Vrasja e Arlind Fugës, dosja pa autor në polici

Viktima Arlind Fuga
Tiranë, dëshmitari: Autorët e thirrën në emër mikun e Shullazit.
Prokuroria e Tiranës delegoi në polici “për zbulim autori” dosjen penale të vrasjes së Arlind Fugës, mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit. Pas vlerësimit të provave të mbledhura nga policia javën e parë të hetimeve, Prokuroria ka vlerësuar se nuk ka elemente të mjaftueshme për identifikimin e autorit të ngjarjes. Për rrjedhojë, grupi hetimor ka vendosur delegimin e dosjes te shërbimet e hetimit të vrasjeve në Policinë e Tiranës, për gjetjen në rrugë operative të provave dhe informacioneve që do të ndihmonin në identifikimin e autorit të ngjarjes. Sipas burimeve nga hetimi, dosja penale për vrasjen e 34-vjeçarit nuk përmban shumë prova, veç të dhënave të vendit të ngjarjes, ku theksohet se viktima është qëlluar me gjashtë plumba. Po kështu, në dosje ndodhet dëshmia e një të afërmi të Arlind Fugës. Ky person, sipas hetuesve, e kishte takuar viktimën natën e krimit, madje kishte pirë kafe me të. Në dëshminë e tij, i afërmi i Fugës ka thënë se i ka dëgjuar autorët e krimit që i kanë thirrur në emër 34-vjeçarit dhe më pas ka dëgjuar të shtënat me armë. Fashikulli hetimor përmban edhe thëniet e një personi të dytë që konfirmon praninë e një motori në skenën e krimit, por asgjë më shumë se kaq. Sipas hetuesve, mekanizmi i ngjarjes dhe të dhënat për autorët e mundshëm të saj janë tepër të mjegullta. Kjo pasi te vendi i ngjarjes ka qenë errësirë e plotë, ndërsa vrasja konsiderohet si një krim mirëfilli mafioz për nga mënyra e veprimit. Shtetasi Arlind Fuga u qëllua gjashtë herë me armë zjarri mbrëmjen e 20 marsit në Tiranë. Vrasja ndodhi mes Rrugës së Kavajës dhe rrugës “Myslym Shyri”, jo shumë larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Viktima njihej për miqësinë e tij me Emiljano Shullazin, të cilin e kishte strehuar në një banesë në vitin 2006, kur Shullazi ishte arrestuar nga policia. Më pas, Arlind Fuga përmendej në dy dosje penale të tjera, njëra për dënimin e Emiljano Shullazit nga gjykata me akuzën e krimit të organizuar dhe tjera për dënimin e shtetases A. Laze. Në dosjen e parë Arlind Fuga pranonte njohjen me Shullazin dhe tregonte si dëshmitar edhe një pseudonim të tij. Në dosjen e dytë, 34-vjeçari ishte dëshmitar për akuzën ndaj A. Lazajt. Kjo shtetase kishte marrë një shumë parash me premtimin për të liruar nga burgu Emiljano Shullazin, ndërsa Arlind Fuga i kërkonte llogari për këtë çështje duke i kërkuar që të shkonin në prokurori e të ballafaqoheshin me personat e përmendur nga Lazaj.