E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, lista e re me 1500 emrat që do të dëmshpërblehen brenda 2009-ës

Autori i Lajmit: Redaksia
Qeveria miratoi dje vendimin për dëmshpërblimin financiar për ish- të dënuarit politikë të regjimit komunist. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë vendim shumë të rëndësishëm, duke siguruar se qeveria do t’i qëndrojë angazhimit të saj për ish- të përndjekurit politikë të regjimit komunist dhe ish-pronarët për dëmshpërblimin dhe kompensimin e tyre. “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm që bëhet në zbatim të ligjit dhe procesi do të fillojë. Këto dy shtresa, të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, do të kenë vëmendjen maksimale të qeverisë për t’i qëndruar dëmshpërblimit, kompensimit të tyre”, - u shpreh Kryeministri.

Lista e re

Ndërkohë, sipas kreut të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Simon Mirakaj, ky dëmshpërblim do të rrjedhë nga fondi prej 2 miliardë lekësh që i përket vitit 2009. “Procesi i dëmshpërblimit ka nisur që në mars të vitit 2009 për një pjesë të ish-të përndjekurve politikë. Ndërsa për sa i përket listës së re që është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, deri në fund të këtij viti pritet të dëmshpërblehen edhe 1500 emra të rinj nga të gjitha kategoritë e ish-të përndjekurve politikë (të burgosur politikë, të pushkatuarit pa gjyq, të internuarit etj.) të cilët do të marrin 1/8 e shumës totale që u takon sipas viteve të dënimit që kanë kryer ose këstin e parë, i cili shkon mesatarisht në 1 milion lekë të vjetra ose 1 milion e 500 mijë, pasi kjo varet nga dënimi që ka kryer çdo person”, - sqaroi dje Simon Mirakaj për gazetën ‘Ballkan’. Për shkak të kohës së shkurtër prej një muaji deri në mbyllje të vitit 2009 mendohet që dëmshpërblimi të shpërndahet vetëm për 500 emra nga 1500 në total, ndërsa pjesa tjetër prej 1 mijë emrash do ta marrin dëmshpërblimin gjatë vitit 2010.

Llogaria bankare

Shuma e llogaritur do të transferohet në një llogari të veçantë në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues do të bëhet nga Ministria e Financave dhe të derdhet në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë e të përzgjedhura, në përputhje me nenin 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar.

Përjashtimi

Projektbuxheti i vitit 2010 nuk parashikon dëmshpërblimin e të gjitha kategorive të ish-të përndjekurve. Një fakt i tillë është bërë i njohur në Komisionin e Ligjeve. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar dy ditë më parë me Ministrinë e Drejtësisë, u vu në dukje se projektbuxheti i vitit të ardhshëm nuk parashikon dëmshpërblim për familjet e të ekzekutuarve pa gjyq dhe për të internuarit. Deri më tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Së bashku edhe me 1500 emrat e rinj bëhen në total 5 mijë emra, të cilët do të mbyllin këstin e parë të marrjes së dëmshpërblimit për vitin 2009.

Greva e urisë

I pyetur nga gazeta “Ballkan” për grevën e urisë të 6 ish- të burgosurve politikë, Mirakaj tha se janë futur në listën e re prej 1500 emrash tre prej të burgosurve që kanë hyrë në grevë urie prej tashmë gati 1 muaj. Ndërkohë që do të mendohet edhe për dëmshpërblimin e pjesës tjetër, por lista emërore përzgjidhet në radhë kronologjike nisur nga përfundimi i shqyrtimit të dosjeve nga Ministria e Drejtësisë.

Lista gjendet e plotë në numrin e sotëm të gazetës BallkanKy lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›