E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moska: “Ja mosmarrëveshjet tona me Pekinin”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Moskë, 14 korrik 1963 – Zbulohet teksti i letrës së hapur të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Sovjetike ndaj homologëve të tyre kinezë, që u bë publik ditën e sotme nga “Tass”, agjencia zyrtare e lajmeve. Nëntitujt e mëposhtëm nuk janë pjesë e letrës origjinale të “Tass”-it.

Si nisi e gjitha

Në prill 1960, shokët kinezë shfaqën hapur dallimet e tyre me lëvizjen komuniste, duke botuar një kolanë të gjatë artikujsh nën titullin “Jetë të gjatë leninizmit!” Këto shkrime, bazuar në shtrembërime, kishin shkurtuar dhe interpretuar në mënyrë të pasaktë punët e mirënjohura të Leninit. Ato përmbanin sugjerime, që në të vërtetë ishin drejtuar kundër themelimit të deklaratës së Takimit të Moskës 1957, e cila u firmos në emër të Partisë Komuniste Kineze nga shoku Mao Ce Dun, kundër politikës së bashkekzistencës paqësore të shteteve me sisteme të ndryshme sociale, kundër mundësisë së parandalimit të një lufte botërore në kohën e ditëve të sotme dhe kundër përdorimit si të rrugës paqësore ashtu edhe të asaj armiqësore për zhvillimin e revolucioneve socialiste.

Refuzimi i Hrushovit

Në vjeshtën e vitit të shkuar, përpara nisjes nga Moska të ish-ambasadorit të Republikës së Kinës në Bashkimin Sovjetik, shoku Liu Hsiao dhe Presidiumi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Sovjetike patën një takim të gjatë mes tyre. Gjatë bashkëbisedimit anëtarët e Presidiumit të Komitetit Qendror shfaqën edhe një herë tjetër iniciativën për çështjen e forcimit të miqësisë kino-sovjetike. Shoku Nikita S. Hrushov i kërkoi shokut Liu Hsao që ti përçonte Mao Ce Dunit propozimin tonë: Të linte mënjanë debatet dhe mosmarrëveshjet dhe mos të përpiqej të gjente se kush e kishte mirë apo gabim, të mos i kthehej së shkuarës, por të niste një faqe të re të marrëdhënieve tona. Por ne as nuk kemi marrë një përgjigje për këtë thirrje të sinqertë.

Ndihma sovjetike për Pekinin

Populli sovjetik me shumë bujari ka ndarë me vëllezërit e tij kinezë të gjitha vitet e eksperiencës së gjatë të ndërtimit socialist dhe arritjet e tij në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Vendi ynë ka luajtur dhe po luan një rol thelbësor në ndihmën që po jep për zhvillimin e ekonomisë së popullit të Kinës. Me një ndihmë shumë aktive të Bashkimit Sovjetik, populli i Kinës ndërtoi 198 ndërmarrje industriale, dyqane dhe projekte të tjera të pajisura me makineri të kohëve të fundit. Me ndihmën e vendit tonë, të tilla degë të reja të industrisë së automobilave, traktorëve, prodhimit të avionëve dhe shumë objekteve të tjera u ndërtuan në Kinë... Ne kemi asistuar me të njëjtin vullnet në konsolidimin e mbrojtjes së këtij vendi dhe krijimin e një industrie mbrojtëse moderne. Mijëra specialistë kinezë dhe punëtorë janë mësuar në ndërmarrjet sovjetike. Tani, gjithashtu Bashkimi Sovjetik vazhdon të japë ndihmën teknike për Republikën Popullore të Kinës në ndërtimin e 88 sipërmarrjeve industriale dhe projekte të tjera. Ne i përmendim të gjitha këto jo për tu lavdëruar, por vetëm sepse udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze janë përpjekur kohët e fundit ta nënvleftësojnë rëndësinë e ndihmës sovjetike dhe ne nuk harrojmë se Bashkimi Sovjetik, në këmbim të kësaj ka marrë mallrat e nevojshme nga Republika Popullore e Kinës.

Zvogëlimi i tregtisë me sovjetikët

Duke u thelluar mosmarrëveshjet e tyre ideologjike me partitë vëllazërore, udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze nisën ti zgjasnin ato deri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Organet kineze nisën shkurtimin e lidhjeve të tyre ekonomike dhe tregtare mes Republikës Popullore të Kinës, Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera socialiste. Në iniciativën e qeverisë kineze, volumi i tregtisë së Kinës me Bashkimin Sovjetik u shkurtua deri në 67 për qind në 3 vitet e shkuara: Dërgesat e uzinave industriale ranë deri në 40 herë. Këto shkurtime u bënë më iniciativën e udhëheqësve kinezë.

Për rreziqet e luftës termobërthamore

Shokët kinezë e nënvleftësojnë qartazi të gjithë rrezikun e luftës termobërthamore. “Bomba atomike është një tigër prej letre” dhe ”nuk është diçka e tmerrshme”, - pretendojnë ata. A mos vallë nuk e shihni që gjëja kryesore është dhënia fund e imperializmit sa më shpejt që të jetë e mundur, por si, dhe me çfarë humbjesh do të arrihet kjo duket një pyetje sekondare për nga rëndësia. Për çdokënd është e drejtë të pyesë, a është me të vërtetë sekondare? A është sekondare për qindra miliona njerëzit që do të dënohen me vdekje pas nisjes së një lufte të tillë? A është sekondare për shtetet që do të fshihen nga faqja e dheut që në orët e para të kësaj lufte? Askush, përfshirë dhe shtetet e mëdha, nuk e ka të drejtën të luajë me fatet e miliona njerëzve. Ata që nuk duan të bëjnë përpjekje për të shmangur një luftë botërore nga jeta e njerëzve, që nuk duan të evitojnë një shfarosje në masë të njerëzve dhe shkatërrimin e vlerave të civilizimit njerëzor, meritojnë të dënohen. Letra e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze e 14 qershorit thotë se shumë rreth sakrificave të paevitueshme janë bërë gjoja në emër të revolucionit. Disa udhëheqës të përgjegjshëm kinezë kanë ngritur pyetjen gjithashtu nëse është e mundur që të sakrifikosh qindra miliona njerëz në luftë... A është e lejueshme që ti pyesësh shokët kinezë nëse ata ia kanë idenë se çfarë lloj shkatërrimi do të lërë pas një luftë bërthamore? Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Sovjetike... nuk mund të ndajë të njëjtat pikëpamje me udhëheqjen kineze për krijimin e “një civilizimi 1 mijë herë më të lartë” mbi trupat e qindra miliona njerëzve. Të tilla pikëpamje janë në kundërshtim të plotë me idetë e marksizëm-leninizmit.

Çarmatimi

Lufta për çarmatimin është faktori më i rëndësishëm për shmangien e luftës. Ky proces është lufta më efektive kundër imperializmit. Në këtë luftë kampi socialist ka në anën e tij shumicën absolute të njerëzimit. Shokët kinezë përparuan me sloganet e tyre të një lufte për jetë a vdekje, duke kundërshtuar politikën e vendeve të tjera socialiste që ka për qëllim zbutjen e tensioneve ndërkombëtare dhe dhënien fund luftës së ftohtë. Në të vërtetë, ky slogan i hedh benzinë politikës imperialiste të lojës me zjarrin... (vijon)
Ky lajm është publikuar: 25/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›