E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e qershorit Ja cilët janë donatorët e fushatës elektorale

Autori i Lajmit: Redaksia
366 milionë lekë u kanë kushtuar partive politike zgjedhjet e 28 Qershorit, 115 prej të cilave donacione private. Të paktën kjo është fatura e deklaruar zyrtarisht. Shpenzimet e partive politike për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 Qershorit janë bërë publike pas auditimit të ekspertëve. Por jo të gjitha partitë kanë mundur të tërheqin donatorët privatë gjatë fushatës, por vetëm 13 prej tyre, ku vendin e parë e zë Partia Demokratike, duke përfituar një total prej më shumë se 81 milionë lekësh. Pas tyre renditen socialistët me 7 milionë lekë, ndërsa në vend të fundit Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës, me më pak se 500 mijë lekë. 18 subjekte të tjera garuese më 28 qershor nuk kanë mundur të përfitojnë asnjë lek.

Donatorët

Në bazë të të dhënave që ata kanë mundur të faktojnë, vihet re se demokratët kryesojnë si për shpenzimet e fushatës, po ashtu dhe për donacionet e marra. Në raportin e ekspertit kontabël Lavdimir Fusha, i cili ka audituar Partinë Demokratike, janë bërë publikë emrat e atyre që kanë financuar këtë parti. Totali i dhuruesve të fondeve jopublike të shumës nga 100 000-1 000.000 lekë vetëm për selinë qendrore është 26.760.000, ndërsa dhurimet në degët e PD-së në rrethe arrijnë në shifrën 5.341.700 lekë. Ndër ta ka emra të njohur si biznesmenë, por dhe deputetë të Partisë Demokratike tashmë si Paulin Stërkaj, Ardian Kollozi apo dhe ish-kreu i Dhomës së Tregtisë, tashmë deputet, Gjok Uldedaj. Stërkaj nga deputet i PS-së u largua nga kjo parti për të qëndruar si i pavarur fillimisht dhe më pas u bashkua me demokratët. Mbështetja e tij për PD-në u shpërblye me futjen në listën e kandidatëve, por dhe sigurimin e mandatit të deputetit. Një tjetër emër i njohur në listën e dhuruesve për Partinë Demokratike është dhe Sulo Shehu, një tjetër biznesmen i njohur vlonjat. Një tjetër donator për demokratët është drejtori Ekzekutiv i birrës Norga, Agron Haxhiraj. Biznesmeni shkodran Gëzim Dibra ka mbështetur PD-në duke i dhuruar asaj 150 000 lekë. Ndërsa për Partinë Socialiste kanë financuar një sërë firmash të ndryshme të tilla si Condor” shpk, “Arela” shpk, Matrix Contruksion”, shpk, “Dajti Eksperes” etj. Të tjerë fiancues janë Edmond Ziso, administrator i "Aquila Liquori", Rodolf Dalipi, Hysni Bedo, Shkëlqim Shejaj etj. Lëvizja Socialiste për Integrim ka përfituar në vlerë monetare, por dhe sende dhe shërbime 11.400.733 lekë. Disa ndër fiancuesit e kësaj partie janë Selim Xhafa, Dritan Toga apo Esmeralda Llane. Ndërsa ndër fiancuaesit e Partisë Republikane është dhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti, presidenti i universitetit UFO, Astrit Veliaj, etj. Anëtarët e G99 kanë qenë dhe disa nga dhuruesit e kësaj partie për fushatën elektorale si Milva Ikonomi, Genc Kojdheli, Maklen Misha, Arbjan Mazniku, Alba Çela etj., të cilët kanë qenë dhe në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Ndërsa për LDK-në dhuruesi i vetëm ka qenë kryetari i kësaj partie, Nikollë Lesi, i cili ka financuar fushatën me 500.000 lekë.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›