Ish-të përndjekurit që do marrin paratë
Qeveria do të japë 10 %nga të gjitha privatizimet për të përndjekurit dhe pronarët
Qeveria miraton listën me 1100 emrat e parë të ish-të përndjekurve që përfitojnë nga fondi i dëmshpërblimit
Në ditët e para të janarit, 1100 ish-të përndjekur do të përfitojnë dëmshpërblimin prej dy miliardë lekësh, parashikuar në buxhetin e këtij viti. Këshilli Ministrave miratoi dje listën me 1100 emrat e ish-të përndjekurve, të cilët përfitojnë nga fondi prej më shumë se 20 milionë dollarë. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo shumë do të kalojë në llogari dhe do të fillojë shpërndarja e tyre ditët e para të janarit.
“Miratimi i vendimit në përputhje me ligjin është kusht i domosdoshëm për disbursimin e kësaj shume, shuma më e madhe që është disbursuar ndonjëherë”,- tha Kryeministri Berisha. Nga të dhënat që disponohen nga Instituti i të Përndjekurve Politikë, deri në mes të këtij muaji kanë dorëzuar dokumentet rreth 13 mijë ish-të përndjekur, ndërkohë që deri ditën e nesërme, ky numër mund të arrijë në 17 mijë. “Me këtë rast u bëj thirrje të përndjekurve politikë të bëjnë çdo përpjekje për plotësimin e dokumentacionit, e kam fjalën jo për këta 1100, por edhe për të tjerë që të mund të përfitojnë sa më shpejt nga fondet që qeveria ka përcaktuar dhe do të përcaktojë për dëmshpërblimin e tyre. Këto 2 miliardë i përkasin këtij viti”, - deklaroi Berisha. Për vitin e ardhshëm, buxheti parashikon sërish 2 miliardë lekë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Procesi i përgatitjes së listave është bërë në bashkëpunim me këtë kategori, Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave.
Ish-pronarët
Ai deklaroi se në bazë të ligjit, qeveria do të japë 10 %nga të gjitha privatizimet për të përndjekurit dhe pronarët. Këtë vit, ish-të përndjekurit arritën të marrin shpërblimet, ndërsa për ish-pronarët, fondi prej 500 milionë lekësh nuk arriti të shpërndahej në kohë. Ndërsa për vitin 2009 buxheti parashikon 600 milionë lekë për këtë kategori. Por, Kryeministri tha dje se edhe për këtë kategori kompensimi financiar do të nisë brenda dy javëve të para të janarit. “Dua t`i garantoj pronarët se edhe kompensimi i tyre monetar do të fillojë dy javët e para të muajit janar, prandaj dhe janë bërë të gjitha përgatitjet që këto dy kategori, dy shtresa të shoqërisë, të mund të përfitojnë atë që u takon në një kohë sa më të shkurtër”, - tha Berisha. Deri më 3 dhjetor, kur përfundonte afati i dorëzimit të dosjeve, në agjencitë rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ishin dorëzuar 704 dosje të tilla. Ndërkohë, bashkitë dhe komunat, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme po përcaktojnë të gjitha pronat publike, që do të vihen në dispozicion për kompensimin fizik, për ata ish-pronarë, dosjet e të cilëve janë përfunduar dhe për ato dosje që janë në shqyrtim e sipër.