Pranga oficerit të policisë në Vlorë, akuzohet për shpërdorim detyre
Vlorë- Një oficer policie në Vlorë ka përfunduar në pranga, nën akuzën e vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës. Sipas burimeve të policisë, i arrestuari është shtetasi Ardian Merkaj, 32-vjeç, pjesë e komisariatit të Vlorës, në sektorin e parandalimit të krimit dhe antidrogës.
Sipas hetimeve paraprake ai akuzohet për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim të akteve. Historia nis 10 ditë më parë, kur një person që këmbeu disa euro në një agjenci të këmbimit valutor, bëri një denoncim në polici për një tjetër shtetas që e kishte mashtruar, duke i marrë shumën e 70 mijë lekëve, me pretendimin se i kishin kthyer më shumë para se sa i takonte. Denoncimin e ka marrë pikërisht oficeri i arrestuar sot, Merkaj.
Ai mbajti një procesverbal për ngjarjen, ndërkohë që i mori shumën e lekëve edhe eurot në cilësinë e provës materiale. Por ndërkohë që në aktet e mbajtura ka shënuar se paratë i janë kthyer të zotit, në fakt nuk ka qenë kështu, pasi rezultoi se i kishte mbajtur vetë oficeri. Pas hetimeve të bëra, oficeri është ndaluar me akzuën e vjedhjes me shpërdorim detyre dhe falsifikim të akteve. Tani ai qëndron në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë.