Ish-ushtarakët: Heqja e ushtrisë, veprim i nxituar
Paralajmërimi për heqjen e shërbimit ushtarak në 2010 do minimizojë rekrutimin
Kroi: Plani i Masave është ndryshuar pa kaluar në Parlament, duke shkelur Kushtetutën
“Ky vendim nuk ka pse merret që tani për në vitin 2010. Në këtë mënyrë qeveria ka vendosur vetë që të demoralizojë rekrutët e rinj, pasi shumë mirë ky kontingjent mund të presë edhe 1 vit e gjysëm apo dy vjet duke iu shmangur shërbimit ushtarak, dhe në fund të përfitojë nga kjo situatë”.
Drafti parashikon një sërë ndryshimesh, midis të cilave heqjen e detyrimit të kandidatit për ushtar profesionist. Thënë ndryshe, me shfuqizimin e nenit 19, të ligjit ekzistues, parashikohet që të gjithë ata individë që do të dëshirojnë të bëhen ushtarë profesionistë, pra të punësohen me pagesë si ushtarë.
Heqja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, tashmë ka ngritur mendjen e qindra të rinjve që deri tani ishin të detyruar që të realizonin këtë detyrë. Me anë të sanksioneve të ndryshme, që fillojnë nga gjobat e deri në ndjekje penale, qeveria është munduar gjatë këtyre viteve që të plotësojë numrin e rekrutëve që kërkohen për të shërbyer si roje dhe shërbime të tjera të ndryshme. Por me anë të një vendimi të marrë ditën e Mërkurë, qeveria ka kërkuar që të gjithë shtetasit shqiptarë të moshës 18 deri në 27 vjeç, pas vitit 2010, nuk do të jenë më të detyruar që të kryejnë shërbimin ushtarak. Ndryshimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave nuk kanë prekur thelbin e ligjit, për sa i përket këtij detyrimi, por bëjnë vetëm disa përshtatje të legjislacionit ushtarak shqiptar me atë të vendeve anëtare të NATO-s. Por sipas ish-ushtarakëve, vendimi i marrë nga qeveria është i nxituar dhe do të sillte një demoralizim të panevojshëm të rekrutëve të rinj. “Ky vendim nuk ka pse merret që tani për në vitin 2010. Në këtë mënyrë qeveria ka vendosur vetë që të demoralizojë rekrutët e rinj, pasi shumë mirë ky kontingjent mund të presë edhe 1 vit e gjysëm apo dy vjet duke iu shmangur shërbimit ushtarak, dhe në fund të përfitojë nga kjo situatë”, - ka bërë të ditur Zyhdi Kroj.
Sipas Krojit, që ka qenë për shumë kohë Kryetar i Shoqatës së ish-Ushtarakëve, një nga shkeljet që janë realizuar nga qeveria është edhe ndryshimi i strategjisë kombëtare për ushtrinë. “Strategjia Kombëtare e Ushtrisë e miratuar në vitin 2004 u ndryshua tërësisht në vitin 2005 dhe ajo nuk kaloi në Parlament për miratim, duke kryer kështu një shkelje të rëndë të ligjit”,- tha Kroi.
Një nga pjesët që mbetet e errët, sipas Zyhdi Krojit, është heqja e forcës rezerviste dhe nxitimi i qeverisë për të hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak. “Shteti shqiptar është ende i dobët ekonomikisht për të mbajtur ushtarë me pagesë dhe një pjesë e mirë e vendeve të rajonit ende nuk kanë një ushtri ku janë të rekrutuar vetëm ushtarë me pagesë. Ku është një detyrim i NATO-s por koha e hartimit dhe zbatimit të ligjit duhet që të jetë e favorshme”,- tha Kroi. Sipas tij, vendimet që po merren në ushtri janë të ndikuara politikisht dhe për to nuk merret mendimi i specialistëve. “Të gjitha vendimet dhe zhvillimet në Ushtrinë Shqiptare merren nga njerëz që janë civilë dhe që nuk janë pjesë e ushtrisë. Në këtë mënyrë arrihet që të ketë një organizim të dobët të ushtrisë sonë. Rast i tillë ishte edhe Gërdeci, ku politika mori vendimet dhe u bë burim i një tragjedie nga më të rëndat që kanë ndodhur në vite”, - tha Kroj.
Drafti
Nisur nga detyrimi që brenda vitit 2010 Forcat e Armatosura Shqiptare duhet të jenë tërësisht profesioniste, Ministria e Mbrojtjes ka paraqitur për miratim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për shërbimin ushtarak”. Drafti parashikon një sërë ndryshimesh, midis të cilave, heqjen e detyrimit të kandidatit për ushtar profesionist. Thënë ndryshe, me shfuqizimin e nenit 19, të ligjit ekzistues, parashikohet që të gjithë ata individë që do të dëshirojnë të bëhen ushtarë profesionistë, pra të punësohen me pagesë si ushtarë, tashmë nuk do të duhet që të kryejnë më parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por të rekrutohen direkt si të tillë. Siç shpjegohet në relacionin shoqërues të këtij drafti, neni 19 del i panevojshëm, për arsye të eliminimit pas 2009 të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Gjithashtu në përgjigje të shqetësime të ngritura nga Amnesty International dhe Ministria jonë e Drejtësisë, është bërë një ndryshim i rëndësishëm edhe përsa i përket aplikimit për shërbimin alternativ. Në bazë të këtij ndryshimi të propozuar, parashikohet që të hiqet afati kohor prej gjashtë muajsh para mbushjes së moshës për t’u thirrur ushtar, në lidhje me të drejtën e shtrirjes së kohës kur mund të bëhet aplikimi për shërbim alternativ. Sipas ndryshimit që i bëhet ligjit ekzistues, tashmë të gjithë ata individë që për shkaqe të ndryshme nuk do dëshirojnë të kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak, duke pranuar të kryejnë një shërbim tjetër alternativ, mund ta aplikojnë për të përfituar në çdo moment, jo vetëm para ardhjes së fletë-thirrjes për ushtar, por edhe gjatë momentit që ushtari mund të jetë duke e kryer këtë shërbim.
+++