E Shtunë, 31 Tetor 2026

"PRS Group Inc.": Korrupsioni në Shqipëri, vetëm rritje

Çfarë është “PRS Group Inc.”

E themeluar në vitin 1979, kompania ka nisur si një institucion kërkimor pranë Universitetit të Sirakuzës, në shtetin e Nju Jorkut. Metodologjia u zhvillua gjerësisht në vitet ’80 nga dy profesorë të njohur në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit, CIA-n, korporata të rëndësishme multinacionale e agjenci të tjera qeveritare. Ajo prodhon raporte për nivelin e rrezikut në më shumë se 100 vende të botës. Të dhënat e saj nuk publikohen në internet, por i shiten të interesuarve, kryesisht korporata të rëndësishme, të cilat i përdorin në procesin e vendimmarrjes para se të investojnë nëpër botë.

Korrupsioni sipas “PRS Group”

Ne synojmë të vlerësojmë nivelin e korrupsionit brenda sistemit politik. Ky lloj korrupsioni përbën kërcënim për investimet e huaja për shumë arsye: ai çorienton klimën ekonomike dhe financiare; redukton eficiencën e qeverisë dhe biznesit, duke i mundësuar njerëzve të marrin pozita pushteti përmes patronazhit politik dhe jo aftësisë profesionale. Ai krijon destabilitet të trashëgueshëm në procesin politik.

Forma më e zakonshme e korrupsionit që hasin bizneset është nevoja për të paguar para për procedura importi apo eksporti, vlerësimesh fiskale, mbrojtjeje policore apo marrje kredish. Ky lloj korrupsioni e bën të vështirë jetën e biznesit dhe në disa raste, mund të detyrojë tërheqjen e investimeve. Vlerësimi për një vend jepet duke marrë parasysh nivelin e nepotizmit në administratë, rezervimin e vendeve të punës, shkëmbimin e favoreve, financimet sekrete të partive politike dhe lidhjet e dyshimta mes politikës dhe biznesit.

Niveli i korrupsionit (Në përqindje me pikët maksimale të mundshme)

Viti1994–971998–20012002–042005–07

Shqipëria50.037.533.316.7

Vendet e varfra45.037.231.131.1

Vendet e mesme53.845.134.033.1

Vendet e pasura67.759.053.254.5

Mesatarja e botës55.547.139.439.6

Europa Lindore75.063.551.451.9

Burimi: PRS Group Inc

Një institucion kërkimor amerikan thotë se që nga viti 1995, korrupsioni në Shqipëri është trefishuar

Niveli i korrupsionit në Shqipëri është rritur vazhdimisht që kur vendi filloi periudhën e tranzicionit, - bëhet e ditur nga të dhënat e “PRS Group Inc.”, një kompani e specializuar në vlerësimin e rrezikut që investitorët duhet të kenë parasysh kur vendosin të investojnë në vende të huaja. Shqipëria pati marrë 50 nga 100 pikë të mundshme nga kjo kompani në vlerësimin e vitit 1995, por ka rënë aktualisht në vetëm 16.7 nga 100 që është maksimalja. “PRS Group” thotë se vendet që marrin mbi 80 pikë në indeksin e saj, konsiderohen si vende të sigurta, ndërkohë që ata që marrin nën 50 pikë, konsiderohen me nivel shumë të lartë rreziku. Shqipëria ka marrë për vitet ’05-’07, vetëm 16.7%, pra minimumin e mundshëm.

Korrupsioni në vite

Në vitin 1994, Shqipëria e kishte indeksin e korrupsionit 50, duke u konsideruar si vend me nivel të lartë rreziku. Por me kalimin e viteve, ndryshimi i disa qeverive nuk ka sjellë në asnjë rast përmirësim të treguesit të korrupsionit, por vetëm përkeqësim. Për vitet ’05-‘07, pavarësisht se qeveria e re premtoi më shumë se çdo gjë tjetër, luftë kundër korrupsionit, deklaratat nuk i bindën analistët e “PRS group”. Shqipëria pësoi një rritje të fortë të korrupsionit gjatë këtyre viteve. Sot konsiderohet si një nga vendet më të korruptuara në botë.

Metoda të ndryshme matjeje

Për matjen e korrupsionit janë zhvilluar metodologji të ndryshme. Vetëm në Shqipëri janë dy organizata që kryejnë një sondazh publik për të matur perceptimin e qytetarëve për nivelin e korrupsionit. Dallimi i këtyre dy sondazheve, nga të cilat, njëra e nxjerr korrupsionin në rritje dhe tjetra në ulje, me metodologjinë e “PRS group”, qëndron në faktin se kjo e fundit nuk ka interes në ndërgjegjësimin e publikut, si dy të parat. Të dhënat e “PRS group” nuk publikohen kurrë për të krijuar spektakël publik dhe janë në shitje për investitorët e interesuar. Ajo nuk pyet publikun nëse e ndjen veten të vjedhur apo jo, por vëren nëse mund të kryhet biznes në një vend të caktuar pa patur nevojë të shkëmbesh favore me klikën politike në vend.

Korruptimi i antikorrupsionit

Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, në Shqipëri janë krijuar herë pas here shumë institucione që kanë marrë përsipër të luftojnë nivelin e korrupsionit në administratë. Por me gjithë përpjekjet, korrupsioni vijon të shtohet, paralelisht me rritjen e numrit të qeverive të ndryshuara. “Ka një konflikt interesi”, - shpjegonte disa ditë më parë një politolog rumun, “për faktin se korrupsioni në klasën politike kërkohet të luftohet nga vetë klasa politike”. Pra është e vështirë të ndodhë që masat antikorrupsion të ndërmerren nga klasa politike që është vetë e korruptuar e nuk mund të luftojë vetveten.

Eurozona në recesion, rënie për të gjithë vitin

Ekonomia e Eurozonës ka pësuar rënie për herë të parë që nga hedhja e euros në treg, një dekadë më herët, me Francën e goditur më rëndë nga çmimet e larta të naftës dhe përkeqësimi i ekonomisë botërore. GDP e 15 vendeve që përdorin euron u ul me 0.2% në tremujorin e dytë të vitit, sipas raportit të Eurostat, Zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian. Kjo shënoi një kthesë të fortë në krahasim me tremujorin e parë, kur qe shënuar një rritje e GDP-së prej 0.7%.

Europa u duk se i shpëtoi pasojave të krizës së kredive me kolateral në SHBA, por ekonomitë e saj kryesore vuajtën pasojat e rritjes së kostos së energjisë dhe uljes së shpenzimeve të konsumatorëve.

Për pasojë, euro u rrëzua deri në 1.477 dollarë pasditen e djeshme, nga 1.84 dollarë që e kishte hapur ditën.

Ekonomia Gjermane u ul me 0.5% gjatë tremujorit të dytë, gjë që nuk qe e papritur për tregjet. Por të papritura qenë rënia e ekonomisë franceze e asaj italiane me 0.3% secila.

Japonezët braktisin jenin si monedhë investimi

Numri i investitorëve japonezë që marrin hua në monedhën vendëse dhe i investojnë paratë në monedha të tjera, pritet të rritet me 46% këtë vit, duke arritur në mbi 1.8 milionë vetë, bëri të ditur një institut kërkimi. Jeni japonez është një nga monedhat e pakta të botës që ofron norma interesi jashtëzakonisht të ulëta për investimet në tituj borxhi apo për depozita. Kreditë në jen japonez kanë interes prej vetëm 0.5% në vit. Për pasojë, shumë investitorë vendës, prej kohësh marrin kredi në Japoni dhe i investojnë paratë në tituj borxhi të vendeve të tjera. Titujt e borxheve të Australisë dhe Zelandës së Re, kanë qenë investimet më të parapëlqyeshme. Interesat e dhëna për dollarin australian arritën këtë vit në 7.25%, më të lartat në 12 vjet. Shumë banka japoneze kanë filluar të ofrojnë si produkt të veçantë linja krediti në jen japonez për t’u investuar në bonde në monedha të tjera. Rreth 1 triliardë jen ose 8.2 miliardë dollarë, janë të investuara në këtë mënyrë. Një tregti e tillë me normat e interesit, është zakonisht e rrezikuar nga luhatshmëria në kursin e këmbimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›