PS: Shteti, i shurdhët për krimet brenda familjes
Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për rastet e shumta të krimit dhe dhunës brenda familjes. Koordinatorja e Forumit të Gruas në këtë parti Ermira Danaj gjatë një komunikimi me mediat, duke marrë shkas nga shtimi i rasteve të krimit brenda familjes ka akuzuar strukturat e shtetit në përgjithësi dhe qeverinë, në veçanti, për mungesë të plotë përgjegjësie për ndërmarrjen e masave parandaluese.
“Brenda pak ditësh, ne kemi dëgjuar dhe përjetuar një numër të madh tragjedish të ndodhura në familjet shqiptare. Krimi dhe dhuna në familje përbëjnë sot një nga fenomenet më shqetësuese për shoqërinë tonë. Dhe ajo që është më problematike, ka të bëjë me faktin se viktimat kryesore janë gratë, të cilat vazhdojnë të vuajnë dita-ditës, jo vetëm diskriminimin gjinor, përjashtimin nga tregu i punës, varfërinë ekstreme, vështirësitë në sistemin shëndetësor dhe arsimor, izolimin social, por edhe indiferentizmin total të shtetit në lidhje me dhunën dhe krimin në familje”, - tha Danaj. Gjithashtu ajo në emër të grave socialiste i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë masa të menjëhershme për izolimin e konflikteve të rënda brenda familjes, ku kryesisht, viktima kanë qenë femrat. “I bëjmë thirrje qeverisë, të mos tregohet e shurdhët ndaj kambanave të vazhdueshme të dhunës në familje, por të punojë për parandalimin e këtij fenomeni, që po kthehet sot në plagën më të rëndë të shoqërisë. Ne kërkojmë me forcë krijimin e një mjedisi ku dhuna të mos shikohet me si diçka normale, por si një akt që duhet ndëshkuar nga e gjithë shoqëria. Partia Socialiste dhe Forumi i Gruas Socialiste, shprehin angazhimin e plotë në luftën ndaj çdo forme të dhune dhe diskriminimit gjinor. Gjithashtu, ne angazhohemi që në programin e ri të 2009, t’i kushtojmë një vend të kryesor krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë qytetaret dhe qytetarët shqiptarë”,- theksoi Ermira Danaj.