E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takim grash çdo të hënë

Teatrit “Oda” i Prishtinës shfaq sot në TK në Tiranë, komedinë “Çdo të hënë”

Çfarë i mundon gratë? Çfarë duan ato? Çfarë bëjnë për të arritur atë që duan? Përgjigjen e kthen trupa e Teatrit “Oda”. Pas 34 shfaqjeve të suksesshme në Prishtinë, vjen në Shqipëri për tri shfaqje komedia “Çdo të hënë”. Një produksion tërësisht femëror. Të gjithë realizuesit janë femra. Jo rastësisht premiera e komedisë në Prishtinë u dha me rastin e 8 marsit, këtë vit. E shkruar nga Sara Bogatti, është vënë në skenë nga Burbuqe Berisha.

Dilema femërore vjen përmes interpretimit të aktoreve Anisa Ismajli, Arbnesha Grabovci dhe Ilire Çelaj. Skenografia është realizuar nga Rozafa Basha, ndërsa kostumografia nga Iliriana Loxha-Basha. E ngjashmeme tematikën e serialit amerikan “Seksi dhe qyteti”, komedia zbulon se çfarë bëjnë dhe bisedojnë gratë kur burrat nuk janë në shtëpi. Karriera dhe pengesat që sjell maskilizmi i shoqërisë. Ambicja për pavarësi dhe dilemat për humbjen e saj kur je në një marrëdhënie. Dëshira për t’u bërë nënë dhe frika se mos përfundon e bëhesh shtëpiake e rëndomtë. Mospërmbushja seksuale dhe dyshimet për identitetin seksual. Të gjitha problemet tipike të grave beqare, të arsimuara dhe profesioniste, që kanë hyrë në krizën e mesmoshës, atë që fillon pas të tridhjetave.

Kjo komedi do të shfaqet në një turne të shkurtër në Shqipëri, në kuadrin e projektit “Festivali Vera e Adriatikut”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkive Fier e Vlorë. Turneu nis sot në Tiranë, në Teatrin Kombëtar, për të vijuar nesër me Teatrin “Bylis” në Fier dhe Teatrin “Petro Marko” të Vlorës më 17 gusht. Të gjitha shfaqjet do të jepen në orën 20.00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›