USAID, projekt për ngjalljen e bursës
Krszysztof Grabowski, një nga ekspertët e USAID që janë duke punuar për funksionimin e Bursës, ka bërë të ditur se janë zgjuar shpresat për një ndryshim të situatës në këtë treg. Në një intervistë për mediat, ai ka sqaruar se janë duke punuar për hartimin e një projekti të bazuar në eksperiencën polake për funksionimin e një prej linjave më të rëndësishme të tregut financiar.
Bursa e Tiranës vazhdon që të jetë në një gjendje gjumi duke mos patur asnjë lloj aktiviteti. Por janë ekspertët e USAID-it që kërkojnë të sjellin diçka të re në tregun e kapitaleve në Shqipëri, që mbetet i paralizuar. Krszysztof Grabowski, një nga ekspertët e USAID që janë duke punuar për funksionimin e Bursës, ka bërë të ditur se janë zgjuar shpresat për një ndryshim të situatës në këtë treg. Në një intervistë për mediat, ai ka sqaruar se janë duke punuar për hartimin e një projekti të bazuar në eksperiencën polake, për funksionimin e një prej linjave më të rëndësishme të tregut financiar, tregun e kapitaleve ose ndryshe, Bursën. Grabowski ka bërë të ditur se nuk pritet që në bursë të ketë një numër të madh kompanish, se e njëjta situatë sipas tij është e pranishme në shumë vende në zhvillim. “Ne nuk presim që, pas projektit dhe realizimit të një kuadri të ri rregullator, të ketë një numër të madh kompanish që do të listohen. Por ne kemi fol me shumë prej tyre, dhe ka kompani që kanë nevojë për financim të mëtejshëm dhe kjo mund të realizohet me anë të shitjes së aksioneve”, - tha Grabowski
Bursa e Tiranës u hap zyrtarisht më 2 maj 1996 dhe vazhdon të ekzistojë në letra edhe sot. Ajo ishte e para bursë në të gjithë historikun e financave të Shqipërisë. "GMA Capital Market Limited" (Angli) ndihmoi në përgatitjen e kuadrit të nevojshëm juridik. Pas një pune të gjatë përgatitore, ligji "Për Letrat me Vlerë" Nr.8080, u miratua në Parlament më 1 Mars 1996. Një ligj i tillë i hapi rrugë krijimit të institucioneve kryesore të tregut të kapitaleve siç janë, Komisioni i Letrave me Vlerë, i krijuar më 16 Prill dhe Bursës së Tiranës më 2 Maj 1996. Bursa e Tiranës, u themelua si departament i Bankës së Shqipërisë (Bankës Qendrore) me synimin e shkëputjes së saj pas një periudhe tranzitore disavjeçare. Ajo u organizua si një treg ankandi dhe instrumentet e pranuara për tregtim ishin Bonot e Thesarit me afat maturimi 12-mujor, pesë seri obligacionesh qeveritare dhe Bonot e Privatizimit. Pas tetorit 1997, sesionet filluan të zhvilloheshin çdo ditë, si dhe filloi tregtimi dhe i bonove të thesarit 3 dhe 6-mujore. Ajo është krijuar fillimisht si departament i Bankës së Shqipërisë, me qëllimin për ta shkëputur atë pas një periudhe tranzitore disavjeçare. Brenda Bankës së Shqipërisë ajo u organizua si treg i drejtuar nga porosia, dhe aktiviteti i saj bazë konsistoi në tregtimin sekondar të bonove të thesarit dhe të 5 obligacioneve qeveritare. Bursa e Tiranës u shkëput përfundimisht nga Banka e Shqipërisë më 1 Korrik 2002, për të vijuar me organizimin dhe funksionimin e saj si shoqëri aksionere. Bursa e Tiranës mori licencën përfundimtare si treg Letrash me Vlerë më 1 Korrik 2003, nga Komisioni i Letrave me Vlerë. Kjo licencë u rinovua përsëri në vitin 2005, për një 2-vjeçar.