E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishin pa leje, largohen lodrat nga bregdeti durrsak

Përgjatë shëtitores buzë detit tek ish-Vollga, në më shumë se 1.5 km gjatësi në Durrës, nuk do të gjesh lodra ku mund të luajnë fëmijët. Meqenëse subjektet, të cilat merreshin me këtë biznes nuk iu bindën urdhrit të bashkisë për largimin nga kjo zonë, Policia Bashkiake u detyrua që ta zbatonte ajo këtë vendim të drejtuesve. Shkak për këtë vendim ishte fakti se asnjëri nga këto subjekte nuk kishte leje nga bashkia për ushtrim aktiviteti. Që të gjitha atrecaturat tashmë janë grumbulluar në një pikë të bashkisë dhe do t'u duhet punë pronarëve për t'i rimarrë ato. E gjithë kostoja e zhvendosjes së lojërave të llojeve të ndryshme është përballuar nga punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët kanë përdorur mjetet e bashkisë. Ndërkohë, një tjetër shkak që ka çuar në këtë vendim ka qenë edhe frika nga ndonjë aksident i mundshëm, pasi ajo është një zonë që në stinën e verës paraqitet e mbipopulluar. Vitin që shkoi një i moshuar humbi jetën, pasi u godit nga karuseli në kohën që po kalonte aty pranë. Prej ditës së premte, Policia Bashkiake e Durrësit po merret me pastrimin e shëtitores buzë detit nga lodrat e shumta, që kishin pushtuar një pjesë të konsiderueshme të tij. Janë rreth 15 subjekte, të cilat janë urdhëruar që të largohen që andej. Por pronarët e lojërave nuk iu bindën afatit të bashkisë për largimin nga bregu i detit, duke detyruar Policinë Bashkiake që të ndërhynte për largimin e tyre. Për zhvendosjen e lodrave dhe inerteve ku ato ishin të vendosura, Policia Bashkiake përdori mjetet e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit pranë këtij institucioni. Policët bashkiakë kanë larguar pjesën më të madhe të tyre dhe atrecaturat i ka grumbulluar te Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit. Besnik Kërtusha, drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Durrësit, deklaroi për standard se "urdhri për largimin e këtyre subjekteve erdhi pas një kontrolli të kryer, ku rezultoi se ato ushtronin aktivitet pa leje. Këto subjekte do ta kenë shumë të vështirë që të përfitojnë lejë, si rezultat i qëndrimit që mbajtën pas urdhrit të bashkisë për t'u larguar që andej. Asnjëri prej tyre nuk e mori mundimin që të largonte atrecaturat sipas urdhrit të bashkisë. Por duket se qëllimi i kësaj të fundit është krijimi i një shëtitoreje të lirë dhe të sigurt për komunitetin në prag të stinës së ngrohtë. Mbipopullimi i zonës bregdetare e akseve pranë brigjeve me lojëra të ndryshme, jo vetëm bllokon lëvizjen e qytetarëve dhe pushuesve, ndot mjedisin, por shpesh shfaq rrezik edhe për aksidente. Vitin që shkoi për shkak të mungesës së masave të sigurimit teknik, në një subjekt gjeti vdekjen një 70-vjeçar, i cili u godit në kokë nga karuseli. Në bashki thonë se për sezonin veror 2010, nuk do të ketë rinovim për lodrat e rrezikshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›