Ishte një tiran me vartësit e tij
Biografia e shkruar nga Michael Barrier tregon sekretet e njeriut që shpiku botën e kartonëve. Pati një intuitë gjeniale mbi krijimin e kartonëve të animuar me zë dhe ngjyra, por nuk dëgjonte asnjë dhe merrte të gjitha meritat
Mos e harroni kurrë këtë: “është ligji i universit që të fortët mbijetojnë dhe të dobëtit, në çdo rast, duhet të dorëzohen, nuk më bëhet vonë fare se cila skemë idealiste mund të krijohet: asgjë nuk mund ta ndryshojë”. Kështu thoshte Walt Disney, më 11 shkurt të vitit 1941, në ditët e grevës së organizuar nga disa bashkëpunëtorë të tij, që i ndryshuan jetën. Me këtë moment Michael Barrier e nis biografinë kushtuar jetës së tij. Barrier nuk është një fanatik i Dizney-t, as një shkrimtar në kërkim të skupeve me çdo qëllim. Si një i pasionuar pas kinemasë ka treguar me dhjetëra intervista të bëra me bashkëpunëtorët më të afërt të Disney-t, dokumente, dizajne dhe përmbledhjen e shumë takimeve që zhvilloheshin në studiot e tij.
Kështu arriti të shkruante një biografi të dokumentuar dhe objektive, ku për karakterin e Walt-it dalin në dritë shumë gjëra. “Njeri, ëndërrimtar dhe gjeni”, shkruan në nëntitullin e pjesës që tregon anën pozitive të tij. Sepse vërtet as që mund të vihet në diskutim që Disney ka pasur një vizion të jashtëzakonshëm për botën dhe për ta ofruar atë në formën e spektaklit. Për të arritur qëllimin e tij (ku pasuria ishte vetëm pasoja logjike e suksesit) veproi me kurajë dhe largpamësi artistike, i ndihmuar nga një fat magjik, por jo gjithmonë njerëzor. Disney ishte i pari që kuptoi se cila ishte fuqia e kartonëve të animuar zanorë (filmi i parë i “Micky Mouse”, i vitit 1982 është zanor), pastaj të atyre me ngjyra dhe me efekte speciale. Ai u bë i pari që hodhi idenë që të tjerët do ta quanin një çmenduri, për të realizuar një film me metrazh të gjatë me kartonë (“Borëbardha” i takon vitit 1937). Për të arritur ta bënte këtë “rriti” artistikisht dhjetëra animatorë, duke i vendosur përballë artit dhe ilustrimit europian, ndërsa për veten rezervoi një rol të veçantë, jo atë të regjisorit, as të producentit.
Ai ishte diçka më shumë, “poseduesi” i një gjuhe dhe një stili, gjykatësi, suprem i gjithçkaje që mund të ndodhte në studion e tij. Me pak fjalë, Walt ishte si presidenti. Në këtë aspekt del fytyra tjetër e tij. “Mund të ishte një njeri shumë i vështirë gjatë mbledhjeve, duke manifestuar mungesën e çdo lloj interesi për ata që e dëgjonin. Pastaj rreth një javë më vonë, vinte në dhomën tënde plot entuziazëm dhe të tregonte për idenë tënde, sikur të ishte e tij”, shkruan Barrier në lidhje me vitet e suksesshme të “Borëbardhës”. “Oh, m..” ishte shprehja e tij më e përdorur, edhe pse donte të tregonte se ishte një modest. Pastaj Walt Disney kishte shumë dëshirë që ta bënte publikun të besonte se disa skena të caktuara të filmave të tij i kishte bërë ai. Donte të bënte t’i besonin se mbanin firmën e Walt Disney-t edhe historitë me kartonë të familjes së rosakëve të dizajnuara dhe të shkruara nga Carl Barks.
Të kontrolloje një skenë të animuar bashkë me Disney-n mund të ishte një aspekt frustrues dhe stresues. Jo më kot Disney e kishte pagëzuar me emrin “sweatbox”, sallën ku kryhej provimi: sweat, që përkthehet djersitje, kjo jo vetëm se salla ishte e vogël dhe pak e ajrosur, por edhe për terrorin e atyre momenteve. Por, pavarësisht gjithçkaje, Disney kërkonte që të gjithë ta donin: si një baba të ashpër dhe shpesh të pakuptueshëm , si një figurë mitike dhe të largët, si një yll. Për më tepër, kërkonte besnikëri absolute: në vitin 1929 pushoi nga puna animatorin e tij, sepse kishte guxuar të pyeste në një tjetër studio se sa paguanin për të njëjtën punë. Kështu, kur në 28 maj të vitit 1941 u organizua një grevë përpara studiove të tij (zbritën në shesh më shumë se një e treta e 1709 punëtorëve), për Disney-n kjo ishte një tradhti e papërballueshme: “Kam kuptuar se duhet të jesh shumë i kujdesshëm kur u jep diçka personave.
Njerëzve nuk duhet t’u dhurosh asgjë”. Disa ditë më vonë shkroi në një gazetë ku shprehte pakënaqësinë e tij për një grevë “të frymëzuar dhe drejtuar nga idetë komuniste”. Që nga ajo kohë, Disney nuk ishte më i njëjti. Pak nga pak, dashuria e tij për kartonët u shua dhe u rrit ajo për dokumentarët dhe filmat e vërtetë. Ndërsa ëndrra e tij u bë “Disneyland”. Dëshira për të animuar është e vjetër sa vetë bota. Që në kohët antike, njeriu i shpellave mundohej të jepte idenë e lëvizjes, duke vizatuar në muret e “shtëpisë” së tij prej guri, kafshë me shumë këmbë. Por që nga tentativat e para e deri më sot, teknikat kanë evoluar shumë. Që nga shekulli i 19, animimi i figurave statike ka filluar të bëhet një mundësi reale: me zbulimin e “lëvizjes pa ndërprerje të sekuencës vizive”, tentativat e panumërta të animimit filluan të jepnin rezultatet e para pozitive. Në fakt, kjo fushë ka evoluar shumë, sidomos në këto dhjetë vitet e fundit me mbërritjen e animimit tredimensional dhe përdorimin e kompjuterëve.
Edhe një herë duhet patjetër ta theksojmë se magjepsin të mëdhenj e të vegjël, janë e vetmja gjë që jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit çlodhen kur i shohin. Madje, duken aq të gjallë dhe të vërtetë sa shpesh qajmë dhe qeshim së bashku me ta. Revolucioni i vërtetë në botën e animimit u bë në vitin 1995, me filmin me metrazh të gjatë “Historia e lodrave”. Deri atëherë, animimi tredimensional kishte shërbyer vetëm për plotësimin e disa teknikave të tjera: animoheshin në 3D (tredimensional) vetëm disa elementë në brendësi të një kartoni. Në fakt, “Historia e lodrave” është filmi i parë i realizuar tërësisht me teknikën CGI (d.m.th. me imazhe të dala nga kompjuteri). Një sukses që u pasua nga të tjerë “Jeta e lepurushit” dhe “Milingona Z”. Publiku filloi të ndiqte i mahnitur një numër të madh filmash të rinj, të prodhuar brenda një kohe të shkurtër. Në ekran po shfaqeshin suksese të mëdha si “Shreku”, “Epoka e akullt” dhe “Monsters & Co”. Lind pyetja nëse suksesi i detyrohet teknologjisë? “Asnjë teknologji nuk mund të transformojë një histori të shëmtuar në një histori të bukur. Asnjë teknologji, sado e sofistikuar të jetë, nuk mund ta tërheqë publikun më shumë se pesë minuta, nëse nuk ka një histori të bukur për të treguar”, shpjegon Steve Jobs, një nga krijuesit dhe bashkëpunëtorët e shumë filmave më kartonë për fëmijë.