E Diel, 1 Nëntor 2026

Disa nga ngjarjet më të rëndësishme të dikasterit më të madh vendor në vend

Nuk mund të thuhet që ky vit ka qenë edhe aq i mbarë për Bashkinë e Tiranës, e cila ka plot 11 minibashki në administrim. Ky vit ka qenë i lodhshëm e i mundimshëm, duke nisur nga janari e deri në dhjetor. Sherre, shamata, grindje mes anëtarëve të këshillit bashkiak dhe një mal pengesash për disa procese.
Kërkesa, ankesa, por muajt e fundit edhe padi nga ana e punonjësve të këtij dikasteri, për gjithë baltën e hedhur, sipas tyre në mënyrë të padrejtë në adresë të atyre që thurin e zbatojnë politikat e qeverisjes vendore. Në harkun kohor të një viti, Bashkia e Tiranës ka realizuar, projekte, rikonstruksione, inaugurime, por edhe prezantime të planeve ambicioze për kryeqytetin.
Rikonstruksioni i sheshit “Skënderbej”, ndryshimi i madh i Liqenit Artificial, por edhe puna e madhe e punonjësve të bashkisë për realizimin e kartave të identitetit, kanë qenë disa nga hapat e hedhur gjatë vitit 2009. Këshilli bashkiak këtë vit ka miratuar rreth 100 leje ndërtimi, për sheshe, pallate dhe godina, kërkesa të qytetarëve apo bizneseve në kryeqytet. Disa nga ngjarjet më të rëndësishme që do të veçonim si risi të këtij viti janë disa “punë” të mëdha.
Sistemi i adresave
Një projekt ambicioz i Bashkisë së Tiranës për sistemin e adresave ka mbyllur një pjesë të punës. Ka përfunduar emërtimi i rrugëve, ndërkohë që ky sistem i ri adresash, me bazë internetin, do të bëjë të mundur regjistrimin e saktë të shtetasve në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Gjithashtu, ai mundëson edhe kërkimin elektronik të adresave.
Baza e të dhënave të sistemit të adresave, mbështetur në një hartë dixhitale, u prezantuan pak kohë më parë. Kjo bazë të dhënash është krijuar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe autoritetet vendore.
Plani urbanistik i Tiranës
Më në fund këtë vit është miratuar plani urbanistik i kryeqytetit. Edhe pse ka pasur debate, sugjerime, ankesa e kërkesa, të paktën anëtarët e këshillit bashkiak kanë rënë dakord në parim me këtë plan. Sipas këtij plani, kryeqyteti në të ardhmen do të zgjerohet edhe më shumë, do të ketë më shumë spitale, qendra shëndetësore, shkolla e gjelbërim. Disa nga sugjerimet e këtij plani kanë qenë për ndërtimin e një azili për pleqtë dhe ruajte të godinave të ulëta, për të respektuar traditën, por edhe për të lënë zona të “paprekura”.
Sheshi “Skënderbej”
Këtë vit, Bashkia e Tiranës firmosi kontratën mes qeverisë kuvajtiane, si kontraktore për fillimin e zhvillimit të punimeve në sheshin “Skënderbej”.
Kryebashkiaku Rama në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës u shpreh: “është një kënaqësi shumë e madhe që edhe procesi i mbylljes së kontratës me kompaninë që do të rindërtojë sheshin “Skënderbej” u krye me sukses dhe sot ne themi me plot gojën, se puna është gati e përfunduar dhe nga ana tjetër shpresojmë që qeveria nuk do të bëhet më tutje pengesë për çlirimin e fondeve që do të mundësojnë hapjen e Unazës së Vogël, për të mos e kthyer këtë kantier të madh në zemër të Tiranës, në një problem për qytetarët dhe për qarkullimin e tyre në kryeqytet”.
Nata e bardhë
është një nga evenimentet më të dashura për kryeqytetasit. është një natë ku kryetari i bashkisë, Edi Rama, pret e përcjell  qytetarë, bisedon, shpërndan autografe e bën fotografi me të gjithë dashamirësit, jo vetëm nga kryeqyteti, por të ardhur edhe nga rrethet nga i gjithë vendi.
Ngjarje
çaste që do të mbeten në kujtesën e secilit prej nesh, në listën e eventeve të vitit 2009, me ‘kumbar” Bashkinë e Tiranës, do të jenë edhe protestat, paditë dhe konferencat e shtypit, lidhur me disa probleme që ka pasur qeveria dhe bashkia. Protesta të punonjësve të bashkisë, por nga ana tjetër edhe përsëritjet e telenovelës “Zogu i Zi” kanë qenë ngjarje që na shoqëruan në kronikë e artikuj gjatë vitit 2009...

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›