Ishte si një nokaut

Flamur Kastrati ishte pa ndjenja për 12 minuta, kur u largua me auto-ambulantë drejt spitalit të Cottbusit, kah mesi i muajit mars. Sulmuesi i ri kosovar, me një të kaluar në Skeid, aktualisht është i huazuar nga klubi holandez Twente tek Osnabruck.
19 vjeçari po luftonte për jetë, pas një dueli që kishte me një lojtar kundërshtar në ndeshje ndaj Energie Cottbus, në ligën e dytë gjermane. Futbollisti me pasaportë norvegjeze ka kujtuar për herë të parë atë që i ndodhi muajin e kaluar.
Ai thotë se në atë rast iu duk se kishte pësuar një goditje për nokaut, kur po luftonte për top me mbrojtësin e Cottbusit, Markus Brzenska.
“Kishim përplasje kokë më kokë me të. Ishte një përplasje e dhunshme. Mora një goditje nokauti. Përpara meje u bë gjithçka zi”, rrëfen Kastrati për ueb faqen norvegjeze vg.no.
Pastaj, në stadium ishte krijuar një qetësi e paparë, derisa vetura ambulante po e bartte Kastratin drejt spitalit. Ndërkohë, personali mjekësor që po kujdesej për futbollistin kosovar ishte syhapur në çdo moment.
Dhjetë minutat e fundit të ndeshjes nuk kishin kurrfarë kuptimi. Futbollistët vetëm po e rrokullisnin topin me njëri-tjetrin, pasi motivi për lojë mungonte. Tash, disa javë më vonë, Kastrati dalëngadalë e ka marrë veten.
Ai arriti madje që në ndeshjen e parë pas incidentit të shënojë gol fundjavën që shkoi, në barazimin e ekipit të tij Osnabruck ndaj Karlsruher, 2-2. “Tashmë nuk kam frikë. Nuk është çështja te hezitimi. Por, mund të them se ndoshta do të jem paksa më i kujdesshëm në duelet e forta”, përfundoi Kastrati.
Aktualisht Osnabruck gjendet në pozitën e tretë nga fundi, e rrezikuar për të rënë nga Bundesliga 2. Ndeshjen e ardhshme, Osnabruck do ta zhvillojë në shtëpi ndaj Arminia Bielefeld.