Kemi boll
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po vazhdon kërkimin për të zbuluar talente të rinj, të cilët synon t’i rekrutojë në Kombëtaren shqiptare në një të ardhme të afërt.
Drejtuesit e ekipit kuqezi tani i kanë hedhur sytë edhe kah Superliga e Kosovës, ku po e shikojnë mundësinë për ta gjetur edhe ndonjë element tjetër për ekipet kombëtare.
Këtë mision e ka nisur të dielën ndihmëstrajneri i Kombëtares shqiptare, Dzemal Mustedanagic dhe shefi i sektorit teknik në FSHF, Astrit Maçi, të cilët i vëzhguan disa talente nga tribunat në ndeshjen ndërmjet Trepçës dhe Prishtinës.
Megjithëkëtë, selektorin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, nuk e brengos fakti se edhe disa futbollistë tjerë nga Kosova mund t’i bashkohen Kombëtares shqiptare.
“Ky fakt nuk çon fort peshë për mua. Por, unë mund të them se pas pranimit tonë në FIFA e UEFA, unë si selektor do t’i ftoj në përfaqësuesen e Kosovës çdo futbollist kosovar që mendoj se më nevojitet ta kem në ekip. Ndërsa më pas lojtarët do të kenë të drejtën ekskluzive për të vendosur se a duan të luajnë për Kosovën apo për të vazhduar me përfaqësueset tjera ku luajnë edhe sot”, deklaroi Bunjaku për Express.
“Unë do t’i ftoj të gjithë futbollistët kosovarë dhe nuk më intereson se a luajnë për Suedinë, Zvicrën, etj. Ndërsa për kosovarët që luajnë në Shqipëri besoj se në këtë rast do të bëhet një zgjidhje ideale, në interes të dyja vendeve tona. Madje, me Shqipërinë kjo çështje do të zgjidhet më së lehti, ndonëse me këtë çështje merren kompetentët, pra krerët e të dyja federatave”, shtoi Bunjaku.
Bunjaku, i cili po punon rreth përgatitjes së reprezentacionit kosovar për gara ndërkombëtare, thotë se me kalimin e kohës kjo çështje do të rregullohet më lehtë se që pritet realisht. “Le t’ia lëmë kohës të zgjidhë çështjen, sepse mendoj se është mënyra më e mirë për ne”, pohoi Bunjaku.
Sipas Bunjakut, drejtuesit e futbollit kosovar dhe atij shqiptar nuk duhet të ballafaqohen fort me këtë ‘problematikë’, pasi në dispozicion kanë me bollëk lojtarë, të cilët janë të talentuar.
“Për fat të mirë, kemi jashtëzakonisht shumë lojtarë shqiptarë. Aq shumë kemi saqë Shqipëria mund t’i ndërtojë dy përfaqësuese mjaft të forta dhe të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe Kosova. Kemi mjaft lojtarë dhe nuk kemi pse të brengosemi”, përfundoi Bunjaku.
Në fund të vitit të kaluar, FSHF në Zvicër e pat organizuar një kamp me talente kryesisht kosovarë, që luajnë në shtete të ndryshme. Nga rreth 50 talente, sa kanë qenë të pranishëm në këtë kamp, FSHF ka zgjedhur rreth dhjetë futbollistë që mund të kontribuojnë në shpresat kuqezi.
Ndërsa Gazeta Express kishte mësuar se në ‘radar’ të Shqipërisë janë dy futbollistët e rinj të Prishtinës, Argjend Mustafa e Ilir Berisha dhe futbollisti i ri i Trepçës, Leart Emini, të cilët një ditë mund t’i duhen edhe përfaqësueses së Kosovës, e cila vazhdon të mbetet jashtë FIFA-s e UEFA-s.