E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishujt e banditëve

Në shumë ishuj në Karaibe gara në armatim mes bandave kriminale ka shndërruar lagjet dikur paqësore në zona të luftës. St. Kitts dhe Nevis, një federatë e përbërë nga dy ishuj, me rreth 50 mijë banorë, deri me tani gjatë këtij viti ka regjistruar 31 vrasje, duke e shndërruar këtë vit qysh tani në vitin më të përgjakshëm në historinë e ishullit. Policia për eskalimin e dhunës fajëson bandat, të cilat njihen me emrat si Vrasësit, Ushtarët e Mafisë dhe Marrja e Jetës.

Kur Dudley Williams ishte komandant i policisë nga mesi i viteve të 80-ta, zbatimi i ligjit në St.Kitts dhe Nevis ishte një punë e lehtë. Krimet e dhunshme ishin një gjë e rrallë në territorin e këtij ishulli të përgjumur në lindje të Karaibeve.

“Nëse dikush është grindur në ndonjë bar, atëherë gjërat janë rregulluar me grushte, ndonjë shkop, me thika në rastin më të keq. Të shtëna nga armët e zjarrit kanë ndodhur një herë në pesë vjet”, rrëfen Williams, tani 79 vjeçar.

Kohërat këtu kanë ndryshuar dhe në shumë ishuj në Karaibe gara në armatim mes bandave kriminale ka shndërruar lagjet dikur paqësore në zona të luftës.

St. Kitts dhe Nevis, një federatë e përbërë nga dy ishuj, me rreth 50 mijë banorë, deri me tani gjatë këtij viti ka regjistruar 31 vrasje, duke e shndërruar këtë vit qysh tani në vitin më të përgjakshëm në historinë e ishullit. Policia për eskalimin e dhunës fajëson bandat, të cilat njihen me emrat si Vrasësit, Ushtarët e Mafisë dhe Marrja e Jetës.

Qytetarët e alarmuar kanë shtuar trysninë ndaj politikanëve në tërë rajonin që ta luftojnë këtë dukuri. Në Trinidad dhe Tobago, në afërsi të brigjeve të Venezuelës, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke ndaluar lëvizjen gjatë orëve të natës dhe duke i dhënë policisë dhe ushtrisë kompetenca të gjëra, për të kryer bastisje.

Dhuna deri me tani ka prekur shumë pak turistët në Karaibe, rajon ky i cili për çdo vit vizitohen nga gjashtë milionë turistë amerikanë. Shumë prej tyre qëndrojnë në objektet luksoze dhe rrallë shkojnë në lagjet e varfra, të zhytura në dhunë.

Megjithatë, ka raste të izoluara: vitin e kaluar, një rreshter i ushtrisë amerikane u vra gjatë një plaçkitje në Trinidad. Në St.Kitts, banditët vitin e kaluar ndalën një autobus me turistë.

Trafikuesit e drogës kanë ndikuar në rritjen e nivelit të krimit, pasi që janë ata që kanë mbushur rrugët me armë zjarri dhe narkotikë.

Ekspertët në Karaibe brengosen se një kulturë e dhunës është ngulitur në ishuj, ku rreth 70 për qind të vrasjeve kryhen me armë zjarri.

“Deri vonë, ne këtu në Karaibe kemi pasur një virgjëri, por ajo është humbur. Kjo gjë është një kuti e Pandores dhe nuk jam i sigurt se a mund të mbyllet më ajo”, thotë Marcus Dat, drejtor i Institutit të Karaibeve për hulumtime të drogës dhe të alkoolit në St.Lucia.

Krahasimet me pjesët tjera të botës janë tmerruese. Xhamajka, një ishull me 3 milionë banorë, është goditur rëndë nga bandat e drogës gjatë viteve të kaluara dhe në këtë vend në vitin 2010 janë shënuar 1428 raste të vrasjeve. Për dallim, Chicago, një qytet me tre milionë banorë, ka raportuar për 435 vrasje vitin e kaluar.

Statistikat nga zyra për krime e OKB-së dëshmojnë se niveli i vrasjeve në ishujt e Karaibeve është dyfishuar për dallim nga viti 1995. Në St.Kitts dhe Nevis, në krahasim me vitin 2002, kur u shënuan vetëm pesë vrasje, numri i vrasjeve është gjashtëfishuar.

Ivelaw Griffith, një ekspert për sigurinë në Karaibe në Universitetin City në New York, thotë se agjencitë për zbatimin e ligjit në këta ishuj kanë kapacitete të kufizuara për t’u përballur vetë me këtë problem.

Për të reaguar ndaj kulturës së bandave, Bahamet kanë ashpërsuar ligjet kundër krimit, duke hapur një numër më të madh të gjykatave. Në këtë ishull këtë vit janë vrarë 104 persona deri me tani, për dallim nga viti i kaluar, kur u regjistruan 94 vrasje.

Norelle Scott, një studente 19 vjeçare, e cila jeton në ishullin New Providence, thotë se tani frikësohet të dal nga shtëpia dhe shton se është pesimiste, sa i përket gjasave për ndryshim.

“Kriminelët po bëhen gjithnjë e më agresiv. Turpërohem për faktin se bashkëkombësit e mi po vrasin njëri-tjetrin për gjëra të vogla, për gjëra materiale dhe gjërat po përkeqësohen”, thotë ajo.

Kryeministri i Bahameve, Hubert Ingraham, ka trimëruar qytetarëve që t’i bashkohen programit për ruajtjen e lagjeve dhe që të ndihmojnë përpjekjet e policisë, për të identifikuar kriminelët.

Disa prej ishujve të varfër dhe në zhvillim kanë kërkuar ndihmën e Scotland Yardit dhe FBI-së, apo kanë angazhuar policë dhe këshilltarë të jashtëm.

St.Kitts ka rekrutuar komisionarin e ri të policisë, Celvin Walwyn, një person i lindur në ishull, por i cilim ka shërbyer si polic në Texas dhe Floridë. Ai ja u ka tërhequr vërejtjen bandave se synon t’i zhdukë ato.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›