E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isinbajeva, tjetër fluturim drejt qiellit

Atletja ruse fiton medaljen e artë në kërcim me shkop dhe vendos rekord të ri botëror me 5,05 metra

Atletika ka dhuruar dje disa medalje ari në disiplina të ndryshme, ku bie në sy fitorja e ruses Jelena Isinbajeva në kërcim me shkop, duke vendosur rekord të ri botëror, me 5,05 metra (5,04 lartësia e mëparshme, që mbahej po nga ajo). Kjo është medalja e dytë e artë për atleten ruse, pas asaj të 4 viteve më parë në Athinë. Fitorja e Isinbajevës ishte e lehtë, pasi e kishte siguruar medaljen e artë që me 4,85 metra, ndërkohë që kërkoi të vendoste rekord të ri botëror dhe që ia arriti me provën e tretë. Medalja e argjendit u fitua nga amerikania Xhenifer Stuczinski (4,80 m) dhe e bronzit nga rusja tjetër Svetlana Feofanova (4,75 m).

GARAT E PISTËS: Amerika triumfon në garën e 400 metrave me pengesa, ku atletët e saj fituan 3 vendet e para, duke i marrë të tria medaljet. E arta u fitua nga Anxhelo Teilor, që la pas patriotët e tij Kerrn Klement dhe Bershaun Xhekson. Dy medalje të arta kanë ardhur dje për Kenian. Në 3 000 metra me pengesa për meshkuj, Brimin Kiprop Kipruto zuri vendin e parë, duke dhënë kohën 8 minuta, 10 sekonda dhe 49 të qindtat. Medalje argjendi për francezin Mahiedine Mekhisi, ndërsa e bronzit u fitua nga keniani tjetër Riçard Matelong. Ndërsa në 800 metra për femra vendin e parë e zuri 18-vjeçarja nga Kenia, Pamela Jelimo, duke dhënë kohën 1'54"87. Në vend të dytë patriotja e saj Janeth Jepkosgei dhe në vend të tretë marokenia Hasna Benasi.

GARAT E TJERA: Amerika fitoi medaljen e artë në hedhjen e diskut për femra. Vendi i parë u fitua nga Stefani Trafton Brown (64,74m), i dyti nga kubanezja Jarelis Barrios (63,64m) dhe vendi i tretë për ukrainasen Olena Antonova (62,59m). Në kërcim së gjati vendin e parë dhe medaljen a artë e fitoi atleti nga Panamaja, Irving Saladino, me 8,34m. Argjendi për afrikano-jugorin Khotso Mokoena dhe bronzi për kubanezin Ibrahim Camejo. Për Panamanë kjo është medalja e parë e artë në historinë e saj në Lojërat Olimpike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›