E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja në telashe, nuk gjen një vend për tu stërvitur

Kuqezinjtë, të drejtuar nga Ari Han, kanë shkuar dje në Shijak, por e kanë gjetur stadiumin të mbyllur

Ndodh edhe kështu. Ekipit kombëtar i krijohen vështirësi në zhvillimin normal të procesit stërvitor, me apo pa dashje. Ishte lajmëruar, që seanca e parë do të zhvillohej në fushën sportive "Tofik Jashari" të Shijakut, ndaj dhe kombëtarja, me në krye trajnerin Ari Han, ka shkuar atje më 18:30, (ishte parashikuar në 18:00) por e ka gjetur të mbyllur derën. Asnjë nga pjesëtarët e klubit shijakas nuk ndodhej në atë moment, kështu që kuqezinjtë, pasi janë bindur se nuk bëhej fjalë për ndonjë shaka apo vonesë, u detyruan të kthehen prapa. Ishte një e papritur e pakëndëshme për trajnerin holandez, që i ka nisur në mënyrën më të keqe përgatitjet për miqësoren me Lihtenshtejnin. Për të mos shkuar dita dëm, trajneri Ari Han, i këshilluar nga njerëzit e afërt të tij, ka menduar ta dërgojë ekipin prapa rezidencës së përhershme, në hotel "Adriatik", në Durrës. Për gati 60 minuta "stërvitja" u zhvillua në rërën e plazhit, ku kuqezinjtë kanë vrapuar dhe gjithashtu kanë luajtur volejboll, si për të thënë që diçka u bë. Nuk është ndonjë çudi e madhe që ndodhin të tilla probleme, por këtë herë është arritur kulmi, sepse çështja ka të bëjë me kombëtaren. Gjithashtu, nuk bëhet fjalë për ndonjë refuzim të drejtuesve të klubit shijakas, por për papërgjegjshmëri të zyrtarëve të FSHF-së, të cilët nuk arrijnë të bëjnë si duhet as gjërat më minimale në të tilla raste. Gjëja më minimale është fiksimi i një vendi, ku do të stërviten kuqezinjtë. Natyrisht që ngatërresa vjen si pasojë e një organizimi të dobët i atyre që merren me kombëtaren. Kurrsesi, asnjë qytet, e aq më tepër Shijaku, nuk mund t'ia mbyllte "derën" kombëtares. Ajo që ndodhi është një skandal, që duhet të vlejë për të ardhmen. Jo më kot, drejtuesit e klubeve apo të ekipeve kombëtare në të gjithë botën i vëzhgojnë terrenet, ku do të stërviten që një javë para e më pas bëjnë programin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›