E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: Do jem në politikë me një projekt të ri për të majtën

Deputeti Kastriot Islami njoftoi se do të vijojë të mbrojë me shumë intensitet bindjet e tij dhe se vendimi i fundit i ndërmarrë nga PS-ja ndaj tij nuk ishte gjë tjetër veçse vendimmarrje staliniste

TIRANË Në një dalje të posaçme për mediat, vetëm pak minuta pas vendimit zyrtar për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PS-së, Kastriot Islami komentoi gjatë vendimin por edhe qëndrimet e deritanishme të tij, një fjalim të cilin ai e kishte përgatitur ta mbante pikërisht para deputetëve socialistë, në rast se debati për të do të zhvillohej me dyer të hapura. Duke sjellë në vëmendje faktin se ai kishte qenë kryetari i Parlamentit të parë pluralist, një nga pjesëmarrësit aktivë në themelimin dhe reformimin e PS-së nga Partia Komuniste, si dhe një nga drejtuesit e komisioneve për hartimin e Kushtetutës, të Kodit Zgjedhor e të sistemeve zgjedhore në këto 20 vjet, Islami ka deklaruar dje për mediat se do të vazhdojë të qëndrojë në politikë dhe se do të punoje për projektin fitues të së majtës së bashkuar. “Kjo është përballje e një projekti që më jep tanimë legjitimitetin ta pagëzoj Projekti Fitues i së Majtës së Bashkuar për Integrimin e vendit në BE me Projektin Rama, përmes të cilit tentohet fuqizimi i autoritetit personal në krye të PS-së, të mbështetur ashtu siç e ka pikturuar analisti amerikan Bugajski prej një klientelizmi në funksion të fitimit të zgjedhjeve nga PS-ja e vetme, gjë që ka dështuar si kur e ka tentuar PD-ja më 1996 dhe 2001, ashtu edhe sa herë ka tentuar ta aplikojë qoftë edhe pjesërisht PS-ja më 2005, 2009 dhe 2011”, - tha Islami. Duke paraqitur një panoramë të shkurtër të gjithë qëndrimeve të tij, Islami ka lënë të kuptohet se në PS u përdorën standarde të dyfishta. Jo pak raste Islami ka kujtuar se në llogoren e tij për një PS fituese kanë qenë edhe deputetë të tjerë, si Ben Blushi, i cili aktualisht është anëtar i kryesisë dhe që dje, për hir të së vërtetës, shënoi një mungesë të madhe në mbledhjen e grupit parlamentar. “Unë kam qenë kundër instrumentalizimit politik të grevës së urisë, së bashku me Ben Blushin dhe më vjen mirë që kam qenë me Blushin që është sot anëtar i kryesisë së re. Duhet të hap një parantezë, se kam përshtypjen edhe për këtë çështje ka pasur keqkuptime. Unë kam respektuar dhe e them edhe sot me zë të lartë të gjitha sakrificat e kolegëve që janë në këtë sallë, por edhe jashtë kësaj salle. Këtë e përsëris sot, pasi e kam thënë edhe në ato ditë dhe nuk e them sot aspak për oportunitet. Por nuk kam qenë dhe nuk jam dakord që një forcë politike që ka 66 deputetë të marrë vendim politik për t’u futur në grevë urie, kjo për mua nuk është efikase, siç edhe rezultoi, por bile e gabuar politikisht” - tha ai. Islami kujtoi gjithashtu edhe një ngjarje tjetër po aq të debatueshme. “21 janari është një moment tjetër. Nuk kam për të thënë më shumë dhe më bukur se ç’ka thënë Blushi për këtë çështje. “…Vrasjet ndodhën sepse edhe Edi Rama nuk e drejtoi protestën dhe nuk u fut mes protestuesve dhe gardistëve….”. Por kjo Blushit fatmirësisht nuk iu llogarit dhe unë përshëndes këtë qëndrim të PS-së ndaj Blushit, ndërkohë që kjo përbën për mua një argument për përjashtim politik. Sot kjo është një nga arsyet e tjera politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë”,- shtoi ai. Islami foli edhe për bojkotin e opozitës, duke shtuar se edhe për këtë lëvizje u harxhua shumë kohë. “Publiku ka kuptuar qëndrimin dyfaqesh të PS-së, duke tentuar nga njëra anë të bindin votuesit socialistë se PS-ja nuk po bashkëpunon me shumicën e po bojkoton Kuvendin, kurse nga ana tjetër t’u tregohej ndërkombëtarëve se PS-ja nuk bojkoton. Ua e them edhe këtë me sinqeritet, se i gjithë faktori ndërkombëtar e kishte shumë të qartë sjelljen tonë dhe nuk mund ta miratonte. Edhe për këtë pikë nuk u reflektua në kohën e duhur, u humb kohë dhe ky veprim nuk prodhoi asgjë. Sot kjo është një arsye tjetër politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë”,- tha Islami, duke shtuar se nuk ishte aspak inteligjente edhe qasja e PS-së lidhur me liberalizimin e vizave. Islami më pas ka folur edhe për qëndrimet e tjera të mbajtura deri më tani nga Rama, për statusin e vendit kandidat e deri te parashikimet e tij të sakta për rezultatin e zgjedhjeve të 8 Majit. Së fundmi, ai sqaron se nuk kishte qejfmbetje për lënien mënjanë të tij nga Rama në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare. “Unë heshta dhe me qetësi nuk reagova, ndërkohë që Rama priste ose largimin tim ose atë që tanimë artikulohet si vetëlargim. Kjo ishte ndoshta tentativë e parafundit për largimin tim politik, por që nuk funksionoi”,- tha ai, duke njoftuar edhe përpjekjen e fundit, që ai bëri gjatë një bisede që zhvilloi dy ditë më parë me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. “Gramozit i kam propozuar dje edhe një opsion tjetër që do ta shpëtonte PS-në nga ky ngërç, por do ta shtjelloj në media, sepse, mesa duket, nuk është marrë në konsiderate”, - tha ai, por pa specifikuar konkretisht. Islami njoftoi se ai do të vijojë të mbrojë me shumë intensitet bindjet e tij dhe se vendimi i fundit i ndërmarrë nga PS-ja ndaj tij nuk ishte gjë tjetër veçse vendimmarrje staliniste. “Ju kujtoj se kjo ngjarje do të mbetet në historinë e politikës shqiptare si një njollë e zezë për PS-në. Këtë mos e harroni. Një ngjarje për të dënuar me dyer të mbyllura dhe në mungesë, një vendimmarrje që do të etiketohet si staliniste. Do të ishte mirë të votonit nominalisht, sepse ky film do të mund të shikohet edhe pas 30 vjetësh”, - tha Islami.

Malaj: Çregjistrimet e deputetëve, të trishtueshme

TIRANË Deputeti i PS-së, Arben Malaj, ka deklaruar dje se çregjistrimet e deputetëve apo përjashtimet e politikanëve janë njerëzisht të trishtueshme. Në një aktivitet të zhvilluar në Qytetin Studenti, deputeti Arben Malaj mori pjesë si i ftuar së bashku me Ilir Zelën, kryetarin e parë të FRESSh-it në panelin e diskutimit, gjatë takimit të hapur organizuar me studentë dhe pedagogë të shkencave ekonomike dhe politike.

“Çregjistrimet e deputetëve apo përjashtimet e politikanëve janë njerëzisht të trishtueshme dhe politikisht të dëmshme për partitë politike dhe për demokracinë tonë. Në shoqëritë demokratike janë individët që përzgjedhin partitë politike të cilave u besojnë dhe për të cilat përkushtohen. Në modelet jo demokratike janë partitë politike që përzgjedhin individët që promovojnë apo që përjashtojnë”, tha Malaj. Ai shtoi se rivaliteti i ideve nuk duhet konsideruar një fenomen elektoral, në prag zgjedhjesh apo në prag kongresi partie, me qëllim mbylljen e problemeve të brendshme.

Ndërkohë një prej studentëve, nëpërmjet një pyetjeje, arriti të marrë nga Ilir Zela premtimin për të garuar si kandidat për kreun e Partisë Socialiste të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›