E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami jashtë grupit të PS-, katër deputetë kundër, dy abstenim

SHKRUAN: Fejzi Braushi 21-12-2011 11:51

Deputetët socialistë votojnë për çregjistrimin e Kastriot Islamit nga grupi. Ruçi rrëzon kërkesën e Islamit për mbledhje të hapur: Nuk do përsërisim KPD-në. Malaj, Bello, Doshi e Gashi kundër, mungojnë Blushi e Harasani

Kastriot Islami nuk është më pjesë e grupit parlamentar socialist. Kanë qenë kolegët e tij ata që votuan dje në shumicë pro çregjistrimit të tij, si masë penalizuese për shkeljen që, sipas tyre, ai i ka bërë statutit dhe rregullores gjatë seancës së fundit plenare, duke mos marrë pjesë në procesin e votimit të Bujar Leskajt. Vetëm deputetët Arben Malaj, Marko Bello, Tom Doshi dhe Azir Gashi kanë votuar kundër përjashtimit të Islamit, ndërkohë që Pandeli Majko dhe Ethem Ruka kanë abstenuar.

Mbledhja

Mbledhja e grupit parlamentar socialist ka nisur në orarin e parashikuar dje në mesditë, me praninë edhe të deputetit Kastriot Islami. Në të i pranishëm ka qenë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ndërkohë që Gramoz Ruçi ka hapur diskutimet duke bërë të ditur fillimisht rendin e ditës. Më pas ai ka kaluar në pikën e parë të rendit të ditës, që ishte ajo për analizimin dhe marrjen e vendimit për çregjistrimin e Kastriot Islamit nga grupi i PS-së, me pretendimin se ai kishte thyer vendimin politik, duke shkelur statutin dhe rregulloren. Mësohet se Ruçi ka bërë një analizë të seancës së fundit plenare, ndërsa ka evidentuar mungesat e tre deputetëve socialistë, mes të cilëve edhe Kastriot Islami. Në këtë moment mësohet se ka ndërhyrë vetë Islami, i cili ka kërkuar prej Ruçit që diskutimin e kësaj pike të parë të rendit të ditës ta bënte të hapur për mediat. Por ende pa marrë një përgjigje për këtë çështje, fjalën e ka marrë kryesocialisti Edi Rama, i cili ka informuar grupin me diskutimet dhe vendimmarrjen e mbledhjes së kryesisë së zhvilluar të premten e shkuar. Islami nuk ka pritur të dëgjojë këtë shpjegim të Ramës dhe është larguar nga mbledhja, duke lajmëruar grupin se do të merrte pjesë në vijimin e diskutimit vetëm nëse mbledhja do të bëhej e hapur. Me kaq, ai ka lënë sallën ku diskutohej çështja e tij, duke deklaruar për mediat se do të priste një vendim të grupit, nëse do të pranonte kërkesën për një mbledhje me dyer të hapura. Ndërkohë që deputetët socialistë kanë diskutuar këtë kërkesë, ku ka mbizotëruar mendimi se mbledhja nuk mund të bëhej me dyer të hapura. “Nuk mund t’i bëjmë mbledhjet e hapura, sepse gabuam njëherë me KPD-në e 2001-it dhe kundërshtari ynë politik nuk kishte më nevojë të bënte fushatë, por fuste kasetat e KPD-së në vitin 2005 dhe fitoi zgjedhjet”, - mësohet të jetë shprehur Ruçi, duke përcaktuar kështu në mënyrë përfundimtare rrëzimin e kërkesës së Islamit. Më pas, drejtuesit e grupit kanë dërguar deputetin Taulant Balla që të thërrasë Islamin, pasi grupi kishte vendosur që mbledhja të bëhej me dyer të mbyllura. Kjo ka detyruar Islamin që të largohet përfundimisht nga selia e PS-së dhe t’i drejtohej Kuvendit, ku do të lexonte për mediat fjalën që kishte përgatitur të mbante para kolegëve të tij deputetë, në rast se mbledhja do të bëhej me dyer të hapura.

Vendimi

Më pas, grupi ka vijuar diskutimin e propozimit për çregjistrim, ku siç mësohet kanë folur kryesisht ata deputetë të cilët kanë dalë në mbrojtje të Islamit dhe kundër kësaj mase ekstreme. Ndër deputetët që e ka ngritur zërin më fort kundër përjashtimit ka qenë Arben Malaj, i cili jo vetëm që e ka konsideruar të panevojshme një masë të tillë, por i ka kujtuar drejtuesve të grupit se nuk ishte hera e parë që shkelej statuti dhe rregullorja, ku rasti më flagrant, sipas tij, ishte mosprezenca në sallën e Kuvendit të 14 deputetëve socialistë ditën e votimit të buxhetit. Në krah të tij kanë dalë edhe deputetët Marko Bello e Tom Doshi, të cilët në fjalën e tyre kanë argumentuar arsyet pse Islami nuk duhej të përjashtohej. Gjithashtu, kundër një mase të tillë ka qenë edhe deputeti Besnik Baraj, i cili megjithatë në fund ka votuar pro propozimit për çregjistrim. Nga ana tjetër, kryesocialisti Edi Rama ka shpjeguar se nuk ishte një vendim kundër Islamit, por një vendim për të vendosur dinjitetin e grupit në vend. Në fund Ruçi ka hedhur propozimin në votim dhe katër deputetët: Malaj, Bello, Doshi dhe Gashi kanë votuar kundër, ndërkohë që Majko e Ruka kanë abstenuar.

Debatet në grupin e PS-së për Islamin

Ruçi: Siç jeni njoftuar edhe me e-mail, si pikë e parë e rendit të ditës do të jetë analiza e seancës së fundit plenare dhe diskutimi i propozimit të kryesisë për të çregjistruar deputetin Kastriot Islami. Në seancën e fundit ishin në axhendë tri çështje, ku e treta, pra zgjedhja e kreut të KLSH-së, ishte përcaktuar si më e rëndësishmja dhe për të cilën ne kishim marrë një vendim politik për të qenë të gjithë prezent. Ndërkohë që gjatë atij votimi pati tri mungesa. Në bazë të statutit (lexon nenin përkatës që parashikon përjashtimin në rast shkeljesh të vendimeve politike), kushdo që shkel vendimet politike çregjistrohet.

Kastriot Islami: Para se të hyni në diskutimin e kësaj çështjeje, dua t’ju them se ju kam bërë në mënyrë zyrtare një kërkesë që seanca për pjesën ku do diskutohet kjo pikë të bëhet e hapur, me praninë e kamerave. Ndaj unë kërkoj një përgjigje për këtë kërkesë.

Edi Rama: Në mbledhjen e fundit të kryesisë dua t’u informoj se ne diskutuam për zbatimin e statutit dhe rregullores nga deputetët socialistë gjatë seancës së fundit…

Islami: Ndërkohë që ju diskutoni për këtë kërkesë, unë po dal jashtë dhe po pres nëse do jetë një mbledhje e hapur ose jo. (largohet).

Rama: Pas seancës bëjmë çdo herë analizë ndaj të njëjtën gjë po bëjmë dhe sot dhe s’besoj se ka arsye të ndryshojë gjë në mënyrën e organizimit të saj.

Gramoz Ruçi: Nuk mund t’i bëjmë mbledhjet e hapura, sepse gabuam njëherë me KPD e 2001-it dhe kundërshtari ynë politik nuk kishte më nevojë të bënte fushatë, por fuste kasetat e KPD më 2005 dhe fitoi zgjedhjet.

Malaj: Nuk besoj se është e nevojshme. Nuk është gjëja më e mirë që po bëjmë duke përjashtuar një deputet. Në radhë të parë, pse duhet të përjashtohet pikërisht tani. Gjatë votimit të buxhetit munguan 14 deputetë dhe nuk u tha asgjë. Pse? Apo se atëherë ishin shumë deputetë dhe nuk mund t’i përjashtonit të gjithë. E dyta, besoj se ka penalitete më të buta, siç mund të jetë paralajmërimi, apo masa të tjera. S’kemi pse të shkojmë deri te përjashtimi, se nuk i shërben kujt.

Rama: S’jemi mbledhur për të përjashtuar njeri, por të shikojmë si është zbatuar statuti dhe rregullorja. Ne nuk po përjashtojmë askënd. Ne sot po respektojmë statutin dhe po i kthejmë grupit dinjitetin e duhur. Askush, pavarësisht kontributeve që mund të ketë patur, nuk duhet të mendojë se është mbi statutin apo mbi grupin.

Besnik Baraj: Unë si njeri jam liberal dhe mendoj se nuk ka nevojë për masa kaq ekstreme. Përsa kohë ka patur dhe raste të tilla, besoj se duhet të jemi tolerantë edhe këtë herë. Natyrisht jam kundër një mbledhjeje me dyer të hapura, pasi kjo do t’i nxirrte gjërat në pazar.

Tom Doshi: Unë s’jam për përjashtim, po qe për përjashtim ai duhet të përjashtohej më parë.

Bello: Çregjistrimi i një deputeti nga grupi unë vlerësoj se nuk është i nevojshëm, aq më shumë kur bëhet fjalë për një njeri që ka kontribute politike. Unë i vlerësoj të gjithë kolegët dhe secili prej tyre ka rolin e vet në jetën parlamentare. Nuk besoj se demokracia e çregjistrimit do të sillte diçka pozitive në gjithë këtë histori. Nga ana tjetër, ne vërtet bëmë një amnisti dhe që u mbështet nga të gjithë, por dua t’u them se Islami nuk ka qenë i pranishëm në atë mbledhje dhe nuk besoj se është njohur me atë vendim. Prandaj do ishte më mirë që sot të mos merrnim një vendim të tillë.

Balla: Islami shkeli vendimin politik për Leskajn

Në emër të grupit, pak minuta pas vendimit, deputeti Taulant Balla ka informuar mediat mbi çregjistrimin e Kastriot Islamit për arsye të shkeljes së vendimit politik në rastin e votimit të Bujar Leskajt në krye të KLSH-së. “Çregjistrimi bëhet për thyerje të vendimit politik të grupit në lidhje me votimin në Kuvend për kandidaturën e Bujar Leskajt si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Deputeti Kastriot Islami, ndryshe nga gjithë të tjerët, vendosi të shkojë në drejtimin e kundërt me frymën e këtij mirëkuptimi dhe përmbajtjen e kësaj vendimmarrjeje të mishëruar edhe në vendimin politik të thyer prej tij”, -u shpreh Balla. Balla bëri të ditur se qoftë pjesëmarrja në votim, qoftë votimi në unison me vendimin politik ishin të detyrueshme për të gjithë anëtarët e grupit socialist. “Sikundër është e qartë se në këtë rast edhe zbatimi i normës statutore në rast shkeljeje të vendimit politik ishte një pasojë e paralajmëruar për këdo që mund t’i binte ndesh vullnetit të grupit duke shkelur vendimin politik”, - tha Balla. Ndërkohë, sipas tij, kryesia e grupit socialist mirëkuptoi plotësisht pamundësinë objektive të deputetit Pandeli Majko për të qenë i pranishëm në seancë dhe në emër të të gjithë deputetëve socialistë i uroi suksesin e plotë të kandidaturës së tij për postin e lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. “Partia Socialiste është një bashkim i lirë njerëzish që besojnë në vlerat e lirisë, drejtësisë, solidaritetit dhe bashkëjetojnë në diversitetin e mendimeve në respekt të njëri-tjetrit e të vlerave e normave të pranuara bashkërisht.”- vijoi më tej Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›