Mustafaj: Ndryshimet në qeveri, të pamjaftueshme
Tiranë- Ish-Ministri i Jashtëm, deputeti demokrat Besnik Mustafaj, i cili aktivitetin e tij po e përqendron më së shumti në takimet me elektoratin që e ka votuar, ka deklaruar dje se ndryshimet e qeverisë Berisha janë të pamjaftueshme. Në një takim me elektoratin e zonës së tij, Mustafaj tha se i kishte mirëpritur emrat e rinj në qeverinë Berisha, porse kryeministri duhet të bënte ndryshime më rrënjësore, në shërbim të interesave të qytetarëve. I pyetur nga media pas firmosjes së dekreteve nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, deputeti demokrat u shpreh se qeveria ka sërish nevojë për përmirësime. “Do t’i bëjmë analizën e nevojshme. Unë mendoj se ishin të pamjaftueshme si ndryshime. Unë shpresoja një formatim më të madh. Por duhet parë efikasiteti i tyre pasi të vihen në provë. Unë ministrave të rinj i uroj për detyrën e re. Unë kam besim të plotë qofte tek Godo, ashtu edhe tek Beja që bëhen ministra për herë të parë, por ashtu edhe për z.Pollo i cili është një politikan me eksperiencë tashmë, por qeveria ka përsëri nevojë për t’u kompletuar më mirë”,- tha ai. Prej kohësh, deputeti demokrat, Besnik Mustafaj ka këmbëngulur në domosdoshmërinë e ndryshimeve të thella në qeverisjeje. Por Kryeministri Berisha e mbylli këtë çështje për 48 ore, ndërkohë që nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete mbi qëndrimin që do të mbajë ndaj përbërjes së kabinetit të tij në të ardhmen. Deri më tani, ndryshimet e tij janë bërë publike vetëm përmes zëdhënëses së tij.