“Rama të bëjë detyrën, si kërkon njeri më shumë”
Deputeti socialist zbulon replikat me Ramën dhe se i ka propozuar Asamblesë mbajtjen e një demonstrate rreth Kuvendit në ditën që diskutohet buxheti
Erjon Braçe ka sqaruar dje në rrjetin social “Facebook” se në Asamblenë Kombëtare të së shtunës nuk ka pasur asnjë sherr apo përplasje mes tij dhe kreut socialist, Edi Rama, por një këmbim të zakonshëm opinionesh. Pavarësisht argumenteve të paraqitura, në profilin e tij nuk kanë munguar kritikat në orët që pasuan mbledhjen. Pak orë pas përfundimit të Asamblesë, Braçe shkruante se po të ndash me ju mendimet, patjetër je armik dhe i do të keqen kauzës duke bërë dëm të pashoq. “Për ju të medias, që nga sot, duhet të flasë vetëm kryetari! Atë pyesni! Ai e do partinë më shumë se çdo njeri tjetër! Po s’foli, zamet e keni të mos merrni vesh gjë. Ja që kemi rregulla të reja demokratike tani. Jemi të rrethuar nga armiq dhe duhet të mbyllemi! Kryetarit i qoftë e lehtë puna në të dyja grupet, por propozimet e mia i kishin shërbyer armikut!”, shkruante më tej Braçe. Duke replikuar me simpatizantët e majtë në profilin e tij, Braçe vijon duke thënë se “jo çdo njeri që mendon ndryshe nga ju, apo nga udhëheqësi, ka koordinuar apo po i bën mirë Berishës! Çlirohuni nga paranoja se po kufizoni veten jo Berishën!”. Deputeti, dhe njëkohësisht anëtari i Kryesisë së socialistëve, ndër të tjera thotë se “kush i ka rënë Edi Ramës, se nuk po kuptoj? Të thuash çfarë mendon, jo gjithnjë ka lidhje me Edi Ramën. Jo moj jo! Nuk vërtitet bota vetëm rreth meje, rreth teje apo vetëm rreth Edi Ramës. Çlirohuni nga dashuria e madhe për veten dhe nga idhujt! Secili bën punën e tij! Edi Rama të bëjë detyrën e tij. As i ka kërkuar kush tjetër gjë më shumë”. Duke sqaruar atë çka ndodhi në Asamblenë e së shtunës, Braçe deklaroi se ka propozuar: a) rikthimin e menjëhershëm të deputetëve të PS në Kuvend, b) organizimin dhe udhëheqjen e një demonstrate të madhe, para e rreth e rrotull Kuvendit ditën që në të do të diskutohet plani i ri buxhetor, c) një reformë të Kushtetutës, d) komitet të të zgjedhurve vendore të PS, e) pakt kombëtar kundër interesave të familjes Berisha, f) platformën “drejtësi për korrupsionin”. Braçe citon në Facebook kryetarin Rama që të jetë shprehur se “do të doja t’u bëja thirrje të mos krijoni debate të kota, pa thelb e për çështje të paqena, që pastaj mbushin faqet e bëhen tituj të deformuar në pasqyrat mediatike të Sali Berishës; mos u peshkoni prej tyre e të tërhiqni vëmendjen në gjëra të tilla”. Braçe thotë se replikoi me Ramën, duke i thënë se “do të doja t’ju thosha që unë nuk jam peshk! Mua nuk më peshkon dot as Sali Berisha dhe as kërrkush tjetër. U bënë vite që është kështu. Mbi të gjitha e quaj të tepërt dhe të pa pranueshëm aludimin tuaj, se unë qenkam pjesë, jam koordinuar apo jam përdorur nga një grup që kërkon asgjësimin e PS! Nuk ka ndodhur e nuk ka për të ndodhur kurrë. Unë nuk kam koordinuar ndonjëherë me PD e Sali Berishën, Kryetar. Të tjerë, që janë edhe këtu, e kanë bërë, unë asnjëherë!”.