Islami: PS shkeli rregulloren e Kuvendit, tërheqja e nismave veprim i gabuar

Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste Kastriot Islami, thotë se ajo çfarë ndodhi të premten në Kuvend ishte një zhvillim i paralajmëruar.
Palët u ndanë qartë në qëndrimet e tyre gjatë fjalimeve në Kuvend duke shenjuar më herët fatin e nismave të PS. Por sipas Islamit, momenti i votimit të komisionit hetimor parlamentar dëshmoi mungesë të respektimit të rregullores nga Partia Socialiste, kur ajo vendosi të tërheqë nismat gjë që u keqshfrytëzua sipas tij edhe nga mazhoranca.
“Partia Socialiste duhet të kishte një mbledhje të grupit të saj parlamentar dhe të shpjegohej qëndrimi, për tërheqjen e dy drafteve, gjë që nuk ndodhi. Askush nuk e dinte këtë se nuk ishte mbledhur grupi parlamentar, për të marrë këtë vendim dhe as nuk u bë e mundur vendosja e firmave, gjë e cila mund të bëhej në mbledhjen e grupit dhe më pas t’i paraqiteshin me shkrim kryetares së Kuvendit, që, drafti tërhiqet, duke respektuar kështu edhe rregulloren e Parlamentit. Kjo gjë u bë në parlament, znj.Topalli shfrytëzoi këtë mungesë të respektimit strikt të rregullores, por edhe pala tjetër me mungesë vullneti për të diskutuar gjetjen e një zgjidhje që do të ishte më shumë politike se sa në respektimin strikt të rregullores”, u shpreh Islami.
Në mungesë të një skenari mbi hapat që do të ndjekë PS pas këtij momenti, deputeti Kastriot Islami thotë se, Partia Socialiste nuk duhet t’i rikthehet rrugës së bojkotit të Kuvendit. Islami kujton për këtë deklaratën e bërë vetëm një ditë më parë në Tiranë nga Komisioneri për zgjerim Stefan Fule, që e cilësoi bojkotin një mjet antidemokratik.
“Nëse do të lexohej deklarata e z.Fule, ajo është e qartë se Partia Socialiste duhet të rrijë në parlament, pavarësisht nëse duhet të zhvillojë apo jo protesta. Kam përshtypjen se ende nuk është marrë vendimi përfundimtar nga ana e PS-së dhe do ta konsideroja plotësisht të gabuar nëse Partia Socialiste do të largohej nga parlamenti, për t’ju rikthyer protestave jo vetëm për faktin se kjo do të thoshte vazhdim i bojkotit, por do të thoshte edhe faktin se nuk respektohet një pjesë e mesazhit të Komisionerit Fule dhe kjo do ta bënte edhe më të vështirë marrjen e mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar dhe për arritjen e këtij objektivi që ka PS, për bërjen maksimale të transparencës së zgjedhjeve”, tha më tej, Islami.
Deputeti socialist Kastriot Islami ripropozon dy rrugët e mundshme, që mund të shënojnë kompromisin politik. E para ka të bëjë me vënien në lëvizje të Komisionit të Venecias si sugjerim ky dhe i Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës.
“Referimi tek Komisioni i Venecias, pra kur dy palë nuk bien dakord i referohemi një gjykatësi më profesional ndërkombëtar, ose vendosja në një kuadër ligjor për zgjidhjen, për të hapur dhe për të parë materialet zgjedhore që janë një pjesë e rëndësishme ku mund të evidentohen shkeljet e pretenduara”, nënvizoi deputeti socialist Kastriot Islami.