E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Hetimor për zgjedhjet nis nga puna javën e ardhshme

Sqaron deputeti Eduart Halimi

PD thekson se mazhoranca është e vendosur të realizojë edhe e vetme hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit

Komisioni hetimor parlamentar për transparencën e procesit elektoral të 28 qershorit, ngritja e të cilit u votua në seancën plenare të së premtes vetëm me votat e mazhorancës, pritet të nisë nga puna javën që vjen.

Sipas deputetit demokrat dhe anëtarit të Komisionit Hetimor, Eduart Halimi objekti i hetimit do të prekë të gjitha çështjet, ndaj të cilave socialistët pretendojnë se janë shënuar shkelje të rënda, përveç atyre që kanë të bëjnë me vendimin e gjykatave, apo ndaj të cilave është regjistruar më parë kallëzim penal në Prokurori.

“Hetim për akuzat dhe dyshimet publike të ngritura nga partitë dhe vëzhguesit, lidhur me zbatimin e legjislacionit, hetimin e KQZ-së në lidhje me përdorimin e teknologjisë në procesin e monitorimit të numërimit të votave, hetim për largimin transferim të punonjësve të Administratës, përdorimi i mjeteve publike në favor e subjekteve elektorale”, u shpreh deputeti Halimi.

Kësisoj, pavarësisht qëndrimit të opozitës, mazhoranca është e vendosur të realizojë e vetme hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Komisioni Hetimor do të funksionojë me kohëzgjatje 3 mujore dhe do të hetojë të gjitha çështjet e parashikuara në vendimin e parlamentit.

Deputeti demokrat Eduart Halimi thekson se besueshmëria e këtij komisioni në sytë e publikut cenohet nga mungesa e opozitës, por misioni i tij do të përmbushet.

Për demokratët transparenca e plotë e zgjedhjeve do të vijojë pavarësisht tërheqjes së socialistëve nga nisma e tyre ligjore për hetim të plotë të procesit elektoral të 28 qershorit.

Komisioni hetimor do të ketë në përbërje të tij 15 deputetë, mes të cilëve 8 i takojnë mazhorancës dhe 7, përfshi këtu kryetarin që i takon opozitës.

Ndryshe nga nisma e socialistëve ku kërkohej që komisioni të ushtronte veprimtarinë e tij për një afat 24 mujor, me votat e mazhorancës në seancë maratonë të së premtes u vendos që të reduktohej në tre muaj, afati i ushtrimit të veprimtarisë së tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›