E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shpëtoni jetët, më pas përgjegjësitë”

 Aristir LumeziKreu socialist Edi Rama akuzoi qeverinë për situatën e krijuar në zonën e Shkodrës. Në daljen e parë publike për 2010, Rama e cilësoi rezultat të keqqeverisjes situatën emergjente të krijuar në Shkodër si rezultat i hapjes së portave të HEC-eve pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit. “është ora që Presidenti i Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kjo katastrofë nuk është për shkak të zemërimit të natyrës, po për shkak të keqqeverisjes dhe njerëzit e vendi nuk duhet të paguajnë asnjë kosto shtesë po për këtë shkak”, u shpreh Rama. Kryesocialisti i kërkoi prokurorisë së Përgjithshme të nisë hetimet për këtë ngjarje. “është ora që Prokurorja e Përgjithshme të mos lejojë humbjen apo tjetërsimin e asnjë prove për përgjegjësinë e pashmangshme të kujtdo qoftë që paguhet nga shqiptarët për t’iu siguruar jetën, pronën, të ardhmen, jo për t’i përmbytur për shkaqe që duhet të bëhen transparente fije për fije dhe duhet të ndëshkohen një për një”, u shpreh Rama gjatë një konference për shtyp në selinë rozë dje pasdite. Rama bëri të ditur se Partia Socialiste ka vënë në dispozicion të të gjithë atyre që duan të kontribuojnë vullnetarisht për banorët e prekur nga përmbytjet, 2 llogari bankare. “çdo anëtar i partisë sonë të derdhë diçka në kontot bankare në ndihmë të Shqipërisë. Nuk ka rëndësi madhësia e shumës që jep secili por numri i atyre që kontribuojnë. Të tregojmë që dimë të bëjmë për njëri tjetrin” u shpreh Rama. Kreu i opozitës u bëri thirrje familjeve të rrezikuara nga uji të largohen sa më parë , duke i siguruar se Partia Socialiste nuk do t’i ndahet qeverisë deri në kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara. “Qeveria të lerë justifikimet e kota dhe të garantojë transparencë për çdo element të kësaj situate. Berisha t’ua kursejë shqiptarëve panikun. Qeveria të lëvizë në kalkulimin e dëmeve, bërjen e transparencës së tyre një orë e më parë. çdo familje në zonën e rrezikut të largohet dhe të besojë se ne nuk do t’i ndahemi qeverisë deri në kompensimin e dëmeve deri në qindarkën e fundit” theksoi Rama. Kreu socialist i kërkoi kryeministrit Berisha të mos krijojë panik tek qytetarët por të ndërmarrë të gjitha veprimet e kreut të qeverisë për të përballuar këtë situatë. “Për çdo element të kësaj situate ku Sali Berisha duhet t’ua kursejë shqiptarëve edhe panikun, edhe broçkullat, edhe gënjeshtrat, edhe avazin e tij vulgar kundër opozitës. Ashtu siç duhet t’u kursejë edhe daljen në publik të ministrit të tij të energjetikës. I cili në qoftë se nuk heq menjëherë dorë, së paku nuk duhet lejuar të ketë më dorë”, u shpreh Rama. Sipas tij, qeveria, e cila është përgjegjëse e kësaj katastrofe, duhet të bëjë kompensimin e plotë të dëmeve që kanë pësuar qytetarët. “është ora që qeveria të lëvizë konkretisht me kalkulimin e dëmeve, përcaktimin e kritereve të kompensimit financiar të çdo dëmi, bërjen transparente të tyre një orë e më parë dhe madje vendimmarrjen për lëvrimin e shumave të para në mënyrë që të inkurajohen për t’u larguar nga zona e rrezikut të gjithë ata që i friken, me të drejtën e Zotit, gënjeshtrës së radhës së këtij kryeministri”, u shpreh Rama. Sipas tij, është ora që qeveria të lëvizë konkretisht me kalkulimin e dëmeve, përcaktimin e kritereve të kompensimit financiar të çdo dëmi, bërjen transparente të tyre një orë e më parë dhe madje vendimmarrjen për lëvrimin e shumave të para në mënyrë që të inkurajohen për t’u larguar nga zona e rrezikut”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›