E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Qeveria po vonon për kartat e identitetit

Për prodhimin e kartave të identitetit dihet vetëm data 1 janar 2009, ku do të fillojë shpërndarja e tyre, ndërkohë që nga informacionet zyrtare apo publike ende nuk është e qartë se kur do të mund të pajiset shtetasi i fundit me kartë identiteti. Dhe a mund të realizohet kjo detyrë para fillimit të fushatës elektorale, që normalisht do të duhej të ishte fundi i prillit 2008 në rast se zgjedhjet zhvillohen në afatin kushtetues qershor 2009.

Shqetësimin për vonesat me kartat e identitet e ka ngritur sot deputeti socialit, Kastriot Islami. “Jam sot para jush për të paraqitur shqetësimin e vonesave dhe të pasigurisë për zhvillimin e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues dhe me të gjithë infrastrukturën zgjedhore të përfunduar, ku kryesisht kam parasysh listat e zgjedhësve të hartuara mbi bazën e rregjistrit civil kombëtar, të përqendruar e elektronik dhe kartat e identitetit” – tha Islami. 

 Sipas dispozitave të ndryshuara kushtetuese zgjedhjet e ardhshme parlamentare normalisht duhet të zhvillohen, jo më vonë se muaji qershor 2009. Nga ana tjetër, zgjedhjet e standarteve demokratike nuk mund të bëhen realitet pa reformimin e Kodit Zgjedhor dhe pa garantuar të gjithë insfrastrukturën zgjedhore, pra pa paisur çdo zgjedhës me kartë identiteti dhe pa hartuar listat e votuesve mbi bazën e regjistrit civil elektronik të përqendruar.  Në rast të kundërt kuvendi do të futej në debatin qesharak për përcaktimin  e datës së zgjedhjeve jashtë afatit kushtetues.

Nuk dihet ende numri i saktë i kartave që duhen prodhuar e shpërndarë, ose së paku kjo gjë ende nuk është bërë transparente. Për rrjedhojë nuk dihet kohëzgjatja për prodhimin e kartave, dhe jo kohëzgjatja e përcaktuar në kontratën me Sagem, por një parashikim se kur procesi i pajisjes së shtetasit të fundit me kartë identiteti do të përfundojë.

Nga media dihet se numri i kartave të prodhuara e të shpërndara në ditë nga kompania franceze Sagem në të gjithë territorin e vendit është, sipas kontratës së firmosur, 15 mijë karta në ditë. Por, është i turbullt informacioni sesa ditë në muaj do të punojë kompania franceze, për të berë të mundur më tej të përcaktohet sesa karta do të mund të prodhohen e shpërndahen realisht në një muaj. Dhe më tej për të bërë të mundur të përcaktohet saktësisht sesa muaj duhen saktësisht për të përmbyllur këtë proces.

“Më duhet t’ju bëj me dije se në kontratën e firmosur me qeverinë shqiptare, kompania franceze ka vendosur rezervën se nuk mban asnjë përgjegjësi në rast se shtetasit nuk paraqiten për të dhënë informacionin e nevojshëm dhe për të tërhequr kartën e prodhuar. Përgjegjësia për këtë aspekt është tërësisht e qeverisë shqiptare dhe deri tani qeveria nuk ka përcaktuar ende asnjë mekanizëm detyrues apo nxitës për zgjedhësit që të mundësohet pajisja e tyre me kartë identiteti” – tha Islami.

Në emër të grupit socialist, Islami i ka kërkuar qeverisë: “Të orientojë kalendarin e veprimeve për pajisjen e të gjithë shtetasve me karta identiteti në mënyrë të tillë që të gjithë zgjedhësit të jenë pajisur me kartë identiteti, jo më vonë se muaji prill 2009 në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në afatin kushtetues, pra jo më vonë se qershor 2009; për këtë qëllim qeveria duhet 

* të sqarojë numrin e saktë të zgjedhësve që do të duhet të pajisen me karta identeti,

* të negociojë e saktësojë kohën e nevojshme, që do t’i duhet kompanisë franceze deri në paisjen e shtetasit të fundit me kartë identiteti;

* të përcaktojë të gjithë mekanizmat ligjorë e infrastrukturorë që detyrojnë dhe nxisin shtetasit për t’u pajisur me kartë identeti;

* në këtë funksion të rinegociojë me kompaninë Sagem të gjithë opsionet për rritjen e kapaciteteve që do të conin në rritjen e ritmeve të prodhimit e të shpërndarjes së kartave në mënyrë që ky proces të përfundojë, jo më vonë se muaji prill 2009, dhe mbi këtë bazë, nëse paraqitet nevoja të përgatisë projektin për shtesat në projekt nga buxheti i shtetit;

* të përcaktojë mekanizmat financiare të ndihmës për familjet në nevojë;

* të studiojë gjetjen e një zgjidhjeje alternative, gjithnjë duke ruajtur prioritetin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›