Rama: Ndëshkim me votë për turpin e Kryeministrit
Pas fjalëve të ulëta që përdori kryeministri në parlament gjatë dy seancave të fundit ka reaguar sërish kreu i selisë rozë, Edi Rama. Ai tha: “Për fat të keq më duhet të riflas lidhur me shfaqjen e ulët që kryeministri i vendit dha këtë javë përmes agresionit të tij ndaj deputetit Taulant Balla që ishte një agresion ndaj parlamentit dhe gjithë qytetarëve e qytetareve të Shqipërisë. Për fat të keq më duhet të riflas sepse pas agresionit nuk erdhi ndjesa, madje nuk pasoi as heshtja, po vijoi shfaqja e ulët duke e ulur edhe më poshtë shkallën e besimit të shqiptarëve tek kjo politikë e vjetër e tek ky parlament i lindur nga imoraliteti i Dushkut dhe i katandisur në një teatër të të gjitha varieteve të imoralitetit politik”.
Rama dënoi veprimin e Kryeministrit i cili nuk kërkoi ndjesë madje e quajti reagim ndaj një provokimi sharjet e tij në Parlament.
“Sipas këtij leksioni halucinant, që Sali Berisha dhe shpura e shërbëtorëve të tij dhanë mu në sallën e parlamentit të Shqipërisë, çdo lloj agresioni i egër verbal në mjedisin tonë shoqëror është i justifikuar, cdo lloj rrugaci që i vërsulet me zhargonin kryeministror të asaj nate një qytetari a një familjeje cfarëdo në rrugë, në plazh, në autobuz, në stadium, në park, në kafene, është i justifikuar, sepse barra e fajita, sipas shumicës së ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë ka kaluar nga agresorët tek provokatorët” – tha Rama.
“Pas këtij leksioni halucinant, të kryeministrit të Shqipërisë, ne kemi vetëm një rrugë, për të shpëtuar nga pasojat e kësaj rruge pa krye ku Sali Berisha dhe të tijtë kanë futur vendin dhe kjo është rruga e bashkimit të qytetarëve shqiptarë, burra e gra, të moshuar, të reja e të rinj, përtej të majtës e të djathtës, në një rrjet të madh mirëkuptimi e solidariteti njerëzor.”
Për një Shqipëri ku politika flet me gjuhën e urtësisë e jo të rrugacërisë, ku parlamenti rrezaton gjuhën më të lartë shqipe e jo nënkulturën e rrugës, ku njerëzit me detyra publike mishërojnë respektin ndaj qytetarit e jo talljen me hallet e shpresat e tij.
“Të gjithë ata e ato që përpara se të jenë socialistë a demokratë, janë njerëz me dinjitet, janë qytetarë e qytetare, janë prindër, gjyshër e gjyshe, nipa a mbesa me të drejtë vote, duhet të bëhen pjesë e bashkimit të ri, për t'i dhënë fund vitin e ardhshëm, me votën e së ardhmes kundër së shkuarës, këtij degradimi të patolerueshëm të politikës së vjetër të së shkuarës, të parlamentit të gjuhës së vjetër të sulmeve me libër shtëpie, të akuzave e të shpifjeje pa karar e as kandar, për t'i dhënë fund këtij sistemi të kalbur politik që e ka katandisur vullnetin e shqiptarëve në një vegël për sundimtarë të një bote të largët, të cilët me sjelljen e fjalët e tyre na kthejnë shekuj mbrapa” – përfundoi Rama.