Islami: Rama, bashkim me rusët për të shpërndarë OSBE-në

Deputeti socialist, Kastriot Islami, ka përsëritur dje se Deklarata e kreut të OSBE-së ishte një shuplakë për Edi Ramën, pasi pas saj, “Edi Rama humbi qetësinë, sepse i lëviznin sytë më shumë seç duhej”
Edi Rama nuk ka shumë arsye për të qenë i kënaqur nga deklarata e shefit të Asamblesë Parlamentare te OSBE-së, Joao Soares. Kështu është shprehur deputeti socialist, Kastriot Islamit, duke iu referuar asaj që zyrtari i lartë i OSBE-së ka thënë. Sipas Islamit, ajo që zyrtari i lartë i OSBE ka deklaruar është një shuplakë e fortë për politikat bojkotuese të shefit të opozitës. Madje deklarata e tij përputhet plotësisht me ato që deputetet e kundërshtarë të Ramës kanë deklaruar gjithë këtë kohë. “I lëviznin sytë më shumë seç duhej. Nuk ishte i qetë. Rama mbrëmë ishte vërtet shumë i shqetësuar sepse realisht ajo ishte një shuplakë e gjithë skemës që ka ndjekur Rama deri tani. Atë që kemi thënë ne para 6 muajsh, ekzaktësisht, pa asnjë presje ndryshe e ka thënë zoti Soares mbrëmë”, tha Islami.
Deputeti socialist thotë se lideri i PS-së ka dëmtuar seriozisht imazhin e partisë që drejton. Madje një skenar që do e dëmtojë akoma më shumë këtë imazh është ai që selia rozë ka për 6 marsin, ditën kur zyrtarisht skadojnë mandatet e deputetëve. “Ka dhe një skenar javën e ardhshme, që të futen, të bëjnë një fjalim, të propozohet një projektligj-special për hapjen e kutive apo për investigimin e fletëve dhe të dilet me idenë që kjo nuk quhet ndërprerje e bojkotit, kjo quhet vazhdim i bojkotit, por me një skenar qesharak” tha Islami. Më tej, Kastriot Islami i ka dhënë një hapësirë të re analizës për sjelljen e pazakontë të liderit të PS-së, duke e cilësuar atë si irracionale nga pikëpamja shqiptare, por që shkon në unison me përpjekjet ruse për të dëmtuar OSBE-në , si një motiv i rëndësishëm i çmontimit të çfarëdolloj strukture që është çertifikuar për të çertifikuar sjelljet demokratike. Në këtë linjë, Kastriot Islami, shanset për zgjedhjet të parakohshme nëpërmjet presioneve në rrugë për Islamin thjesht i cilëson se nuk ekzistojnë. Detyra e momentit e kreut sipas tij të opozitës është të mos kthejë PS në një parti restorantesh e hotelesh, por të riformatojë koalicionin. “Ky lloj hendeku në qoftë se e majta qëndron e përçarë sikurse ndodhi në 2005 dhe në 2009, ndërkohë që në 2007 u bashkua dhe tregoi gjë tjetër. Në qoftë se nuk do të ndodhë kjo gjë atëherë e majta nuk ka shanse të fitojë dhe nuk ka asnjë sistem elektoral t’i nxjerrë fitues në qoftë se janë të përçarë”, tha Islami.