“Shqipëria nuk është vend eksperimentesh, kurrë në asnjë vend të BE nuk janë hapur kutitë e votimit”
Deklaron Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta
Pas kreut të qeverisë Sali Berisha edhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, eliminon si mundësi kompromisi shkeljen e vendimeve të gjykatave. Shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se Shqipëria nuk mund të kthehet në arenë eksperimentesh, përsa kohë ka një shtet ligjor të bazuar në një ligj themeltar, që është Kushtetuta.
Ilir Meta tha se nëse ka qëndrime të ndërkombëtarëve që të hapen kutitë, atëherë, kjo procedurë e paprecedentë, më parë duhet të zbatohet në vendet e tyre, le të bëhet ky eksperiment atje, pastaj në Shqipëri. Ai shprehet se nuk është logjike që të kërkohet negocim për çështje që i takojnë një partie me gjykata dhe jo me sistemin partiak në tërësi. Sipas tij, çështja e kutive nuk mund të negociohet. Ai theksoi se shumica pranon të zgjidhë me opozitën çdo çështje që ka të bëjë me mazhorancën në parlament apo me qeverinë, por nuk mund të trajtojë vendimet e gjykatave.
“Ne nuk mund të na të kërkohet kompromis me mazhorancën për të dhunuar pavarësinë e gjykatave. Nuk e di se në cilin vend të Bashkimit Evropian qenkan rihapur kutitë nga një komision parlamentar hetimor pasi çështjet janë mbyllur nga gjykatat”, u shpreh ai.
Lidhur me afatin kushtetues të vlefshmërisë së mandateve 6 marsin, Ilir Meta u shpreh se do të zbatohet ligji dhe vetëm ligji. Deklarata e Zëvendëskryeministrit vjen në kuadër edhe të reagimeve të ndërkombëtarëve, për situatën politike në Shqipëri.
Me qëndrimet e tij, tha Meta, kreu i opozitës po sfidon ndërkombëtarët dhe kjo është një rrugë e gabuar. Ai përshëndeti deklaratat e fundit të presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares, përmes një deklarate zyrtare, i kërkoi opozitës të heqë dorë nga kërkesat dhe t’i parashtrojë në parlament pretendimet e saj. Ai dënoi çdo tendencë për të dhunuar sistemin gjyqësor, ndonëse mbështeti në emër të OSBE-së ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve.
Edi Rama, në një konferencë për shtyp rikonfirmoi se ai dhe partia që ai drejton nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesa për hapjen e kutive duke pretenduar se hapja e kutive është diçka e natyrshme dhe që ndodh në të gjithë botën. Gjithashtu, ai kërkon që të krijohet një raport i ri me ligjin për sa i përket sistemit zgjedhor duke thënë se duhet të shpëtojmë një herë e mirë nga makthi i zgjedhjeve duke krijuar një raport të ri me vetë sistemin zgjedhor në Shqipëri. Si e gjykoni ju këtë deklaratë?
Unë mendoj se kryetari i PS duhet të jetë më i përgjegjshëm për këtë situatë pasi, për fat të keq ai kërkon t’ua faturojë të tjerëve, për fat të keq edhe vendit, një përgjegjësi ekskluzive të tij. është e lehtë të thuash se duhet të çlirohemi nga ky sistem zgjedhor, ndërkohë që të gjithë e dimë se arkitekti i këtij sistemi, arkitekti i këtij kodi, arkitekti i këtij administrimi, ishte në radhë të parë vetë Edi Rama. Së dyti, është për të ardhur keq që Edi Rama, në vend të bashkëpunojë me z. Berisha, si dhe me Presidentin Topi që ka iniciuar një tryezë bashkëbisedimi, por edhe me komunitetin ndërkombëtar i cili i ka monitoruar këto zgjedhje, i ka certifikuar ato, ka bërë edhe sugjerime të qarta se si duhet ecur në të ardhmen, përkundrazi, Edi Rama kalon në frymëzime kaotike dhe anarkiste që nuk kanë asnjë lidhje me një vend demokratik, asnjë lidhje me një vend i cili është anëtar i NATO-s apo me një vend që synon të bëhet anëtar i BE-së. Nuk e di se në cilin vend anëtar të BE-së, mund të rihapen kutitë nga një komision parlamentar hetimor, pasi kjo çështje është mbyllur nga gjykata? Në cilin vend të botës, po të flasim për botën demokratike, dhe për atë botë që ka zgjedhur OSBE-ODHIR për të monitoruar dhe certifikuar zgjedhjet, hapen kutitë duke hedhur poshtë gjykatat? Pra, të thuash diçka të tillë, do të thotë jo vetëm të thuash diçka krejtësisht të pavërtetë por njëkohësisht do të thotë të injorosh dhe të sfidosh përpjekjet e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, përfshirë këtu edhe institucionet ndërkombëtare për të ndihmuar Shqipërinë që të ecë përpara në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe në rrugën e integrimit evropian. Deklarata e z. Rama është shumë e gabuar sepse për herë të parë në Shqipëri, zgjedhjet u bënë si asnjë herë tjetër nga një kolegj zgjedhor i cili u pranua si gjykata supreme nga Rama dhe Berisha. Dhe për herë të parë, anëtarët e këtij Kolegji Zgjedhor ishin gjykatësit të cilët u zgjodhën me konsensusin e plotë të Edi Ramës. Pra, të mos pranosh as gjykatën që e zgjedh vetë paraprakisht, dhe në fund fare, kur vendimet e saj nuk përkojnë me interesin personal të Ramës, ky është një qëndrim që jo vetëm nuk është parimor por as edhe konstruktiv.
Njëkohësisht, Rama, duke e lexuar ndryshe nga mazhoranca deklaratën e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u shpreh se nuk tërhiqet nga kërkesa e tij themelore, pra hapja e kutive. Por, ndërkohë, afati i shprehur nga Asambleja e OSBE-së 6 marsi, po afron. Sipas jush, a jemi afër gjetjes së një zgjidhjeje apo do të shkojmë në djegien e mandateve?
Mendoj se kompromisi është i gjetur. Ju e dini shumë mirë se nga ana e mazhorancës është bërë e qartë se ajo pranon të diskutojë e të zgjidhë çdo çështje që ka të bëjë me mazhorancën dhe të bëjë çdo marrëveshje me opozitën në parlament. çështjen e gjykatave askush nuk duhet t’ia kërkojë mazhorancës sepse kushdo që kërkon një marrëveshje për të shkelur vendimin e gjykatave, nënkupton se mazhoranca është bërë palë në prishjen e gjithë kësaj ngrehine të demokracisë në vend, e cila është ndërtuar në bazë të një kushtetute që si parim kryesor ka ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjykatave. Pra, në rast se Rama siguron një vendim të gjykatës për hapjen e kutive, kjo është një çështje tjetër. Nuk mund të marrë mazhoranca përgjegjësinë të dhunojë Kushtetutën dhe pavarësinë e atyre gjykatave që i ka konsumuar këto pretendime më parë.
Menjëherë pas tryezës së organizuar nga Presidenti i Republikës, Partia Socialiste është shprehur se është në pritje të një vendimi për plotësimin e kërkesës së saj nga ana e Presidentit. A mendoni se Presidenti mund të marrë një vendim për hapjen e kutive?
Në qoftë se në këtë vend ka një njeri që përfaqëson një institucion, që lexon dhe që duhet ta lexojë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese më mirë se kushdo tjetër, ky është Presidenti i Republikës. Se çfarë mund të bëjë Presidenti, është një përgjegjësi e tij dhe një ndërhyrje nga ana jonë do të ishte e gabuar. Mendoj se nuk është normale të nxitesh nga aleatët e tu, nga të cilët asnjë nuk është në Parlament, për t’i bërë presion Presidentit. Presidenti i Republikës i ka të gjitha kompetencat dhe mundësitë për të gjykuar se çfarë është dhe nuk është e pranueshme dhe në përputhje me Kushtetutën. Por, problemi i aleatëve, mendoj se ka të bëjë me faktin se asnjëri prej tyre nuk është në Parlament, falë kodit që bëri krye-aleati i tyre, Edi Rama. Kjo është e vërteta! Dhe nuk mendoj se ata nëpërmjet këtyre presioneve, do të bëhen deputetë nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. Ne po tregojmë dhe duhet të tregojmë seriozitet. Në këtë moment po kërkohet një zgjidhje nga të gjithë si dhe nga faktori ndërkombëtar. Dhe, natyrisht për këtë duhet të bashkëpunojmë të gjithë me Presidentin përderisa këtë tryezë e ka iniciuar ai.
Sa e vendosur është mazhoranca për respektimin e Kushtetutës pas datës 6 mars kur kemi të bëjmë me djegien e mandateve duke pasur parasysh këtu edhe një deklaratë të Ambasadorit të BE në Tiranë, Lohan, se nëse do të shkojmë tek zëvendësimi i mandateve, kriza do të thellohet akoma edhe më tej? A do t’i shkojë deri në fund mazhoranca këtij qëndrimi?
Unë nuk e di se çfarë ka thënë njëri apo tjetri diplomat. Unë di të them se ne, në çdo rast do të respektojmë Kushtetutën e cila ka përcaktuar të gjitha mënyrat dhe rrugët për ta zgjidhur këtë çështje. Dhe për këtë, ka të tjera institucione kushtetuese që mund të përgjigjen për interpretimin e mandateve në mënyrën e duhur. Pra, nuk është qeveria dhe mazhoranca që mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje.
Në takimet që keni zhvilluar me ambasadorë të ndryshëm, a ju kanë vënë në dijeni se Shqipëria po rrezikon shumë procesin e liberalizimit të vizave për shkak të kësaj krize?
Mazhoranca qeverisëse di t’i lexojë shumë mirë mesazhet e ndërkombëtarëve. Dhe mendoj që qëndrimi ynë në lidhje me këtë çështje është shumë konstruktiv dhe parimor. Ky është një qëndrim shumë i qartë. Në qoftë se dikush këtu, dëshiron të bëjë një eksperiment i cili në thelb synon falimentimin e shtetit ligjor dhe sistemit kushtetues në vend, e ka shumë gabim. Le të hapë një herë kutitë në vendin e tij dhe pastaj le t’a bëjë këtu. Sepse Shqipëria nuk është vend eksperimentesh. është pikërisht ky shtet dhe sistem ligjor, i krijuar me kaq vështirësi dhe sakrifica për të arritur në këtë stad ku jemi sot, që na ka bërë anëtarë të NATO-s dhe që na ka futur në një fazë të re zhvillimi dhe integrimi në raport me vendet e BE-së. Dhe të jeni të sigurt se asnjë ndërkombëtar nuk mund të përkrahë një precedent antikushtetues në Shqipëri që mund të cenojë gjykatat sepse kjo do të thotë që ky do të shërbejë si një precedent destabilizues edhe për vendet e tjera, si vendet e rajonit apo edhe vendet e tjera ku OSBE dhe ODHIR janë prezentë. Kjo do të thoshte se edhe vendet e tjera ku nuk pranohen zgjedhjet, pra ku nuk pranohet raporti i certifikimit të zgjedhjeve nga OSBE-ODHIR, mund ta përdorë këtë precedent tepër negativ në interesin e vet, duke destabilizuar vendin pasi të jenë bërë zgjedhjet, dhe pasi të jetë shprehur gjykata, dhe pasi të dalë raporti i OSBE-ODHIR. Askush nuk mund të përshëndesë dhe të mbështesë një pretendim antikushtetues që cenon pavarësinë e gjykatave. Dhe kjo është thelbësore për të vlerësuar një vend demokratik.
Ndërkombëtarët kanë folur mjaft qartë se zgjidhja e këtij ngërçi politik duhet të vijë nga klasa politike shqiptare sepse kjo ka një risk në procesin e integrimit të vendit...?
Nëse ky proces nuk do të ecë përpara edhe sipas rekomandimeve që janë dhënë nga institucionet që ndjekin procesin e integrimit të vendit tonë dhe nëse këto rekomandime nuk do të merren parasysh duke tentuar për të krijuar një situatë krize të paqenë me sforco, natyrisht që kjo nuk mund të jetë edhe pa efekte. Por, do të jetë shumë e qartë për të gjithë se cili synon të krijojë një krizë e cila praktikisht nuk ekziston në mënyrë destruktive. Kuptohet mjaft mirë se kush dëshiron të sfidojë shtetin ligjor, Kushtetutën e vendit dhe natyrisht edhe sugjerimet konstruktive të faktorit ndërkombëtar.
Dhe, natyrisht që një sjellje e tillë mund të ketë kosto; kjo, vetëm e vetëm se dikush dëshiron të përfitojë nga një situatë e tillë në kurriz të një procesi që ka bëjë me të ardhmen e Shqipërisë.