E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Rama më ftoi për kafe, pranova po s’ndodhi

TIRANE-Deputeti Kastriot Islami deklaroi dje se Edi Rama i ka kërkuar të pijë kafe, para zgjedhjes së Presidentit. Gjatë intervistës në “5 pyetjet nga Babaramo”, në News 24, Islami u shpreh se i vjen keq që pas kësaj ftese, nuk mori ftesë për festën e PS-së në 12 qershor.
A ishte Bujar Nishani presidenti që prisnin shqiptarët?
Duhet të kemi parasysh ndryshimet e vitit 2008, të cilat u bënë me konsensusin më të gjerë të mundshëm në Parlamentin shqiptar, ndryshimet kushtetuese që përcaktuan zgjedhjen e Presidentit nga detyrimi për të arritur një konsensus me mazhorancë të cilësuar, pra me 3/5 ose konsensual, në 3 raunde dhe në 2 raunde me shumicë të thjeshtë. Është e vërtetë që për shkak të artikulimeve që kishte në mënyrë të veçantë komuniteti ndërkombëtar dhe për më tepër opozita e përsëriti këtë lloj retorike të ndërkombëtarëve për një president konsensual, u krijua ideja që presidenti duhet të zgjidhet në mënyrë konsensuale. Përfundimi është që edhe nga përshëndetjet që vijnë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, presidenti është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën, pra siç u miratua në vitin 2008. Përfundimisht u arrit të zgjidhej presidenti në raundin e katërt me votat e mazhorancës, një nga figurat e larta të PD-së.
Cila ishte vota juaj në votim?
Unë mora pjesë në votim, është e vërtetë, për dy arsye të mëdha dhe një tjetër pak më e vogël, e para jam kundër bojkotit. Pra nuk mundet të bojkotohet një seancë e rëndësishme si zgjedhja e presidentit. PS duhet të ishte aty me votat e saj, me 63 apo sa ka, por mesa duket brenda PS-së ka probleme për të mos arritur të konsolidohen në mënyrë të unifikuar të gjitha votat kundër nëse kishte një qëndrim politik kundër kandidaturës së paraqitur nga mazhoranca aktuale, ndërkohë që në një vend tjetër mund të lihej e lirë, ku personazhe të ndryshme mund të votonin dhe Presidenti i Republikës të mos bëhej pjesë e një lufte politike e projektuar në zgjedhjen e vitit 2013. Isha i prirur sepse mendoja një situatë të ngjashme me atë të Greqisë, të jepja votën time kundër zgjedhjeve të parakohshme. Nuk mendoj se Shqipëria për shkak të paaftësisë për të zgjedhur presidentin duhet të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që kam mbështetur edhe ndryshimet në vitin 2008. Sa i përket votës time, ajo është personale.
Gaboi Rama?
Mendoj që PS edhe këtë indikator të lojës politike sa i përket Presidentit nuk e luajti në mënyrë shumë inteligjente. Mendoj që PS për 22 vjet ka figura shumë të rëndësishme për t’ja paraqitur publikut.
Një muaj më parë zoti Rama ju ka kërkuar të pijë kafe dhe në festën e PS-së nuk ju ftoi?
Po kjo është e thënë në mënyrë më të kuptueshme.
Si e shpjegoni këtë, nuk ka asnjë shkrirje në marrëdhëniet tuaja me temperaturat e larta?
Nuk është çështje temperaturash. Unë e kam thënë edhe ndërmjetësve që u munduan të rregullonin këtë kafen kur duhej vota e 71-të që kam qenë shumë eksplicit i kam thënë që unë jam kundër lëvizjeve të tilla, pra nëse janë bërë ndryshimet në vitin 2008 është hequr mundësia e këtyre lloj hileve. Politika shqiptare duhet të mësohet që një herë në 4 vjet bëhen zgjedhje dhe ai grupim që fiton qeveris vendin për 4 vjet dhe opozita kundërshton deri edhe me obstruksion konstruktiv të gjitha veprimet e mazhorancës. Unë isha i sigurt që nëse do tentohej me 71 votat për të rrëzuar qeverinë aktuale, të nesërmen dy - tre persona që u ishte ofruar se do të bëheshin ministra do të ishin të pakënaqur dhe 71 votat do të bëheshin në anën tjetër. Pra ky do të ishte një proces i pafund destabiliteti. Dhe e dyta, zoti Berisha nëse do shikonte që mazhoranca e tij po prishej do kërkonte një mocion besimi dhe do çonte në zgjedhje të parakohshme.
Kush kanë qenë ndërmjetësit dhe çfarë u është ofruar?
Nuk thashë këtë, por thashë që në momentin që kishte dalë editoriali dhe brenda PS-së mendohej që të ndërtohej mazhorancë me 71 vota që do të rrëzonte mazhorancën aktuale, në këtë moment më është ofruar duke më sugjeruar që ju nuk keni asnjë problem në marrëdhëniet personale me Ramën. Dhe unë u kam thënë që unë në marrëdhëniet personale me Ramën nuk kam pasur asnjëherë në historinë time të bashkëpunimit ndonjë problem, që nga koha kur ai ka qenë në qeveri apo ka ardhur në PS dhe jam i gatshëm në çdo moment të pi kafe dhe të bashkëpunoj me të. Por, natyrisht i bindur që do të qëndroja në të gjithë ato elementë që unë kam qëndruar në gjithë këto kohë, siç ishin qëndrimet ndaj bojkotit e ndaj gjithçkaje. Por nuk më është kërkuar as vota dhe asgjë, por një ndërmjetësim për të pirë kafe dhe kjo ka koinciduar me këtë moment. Dhe mbasi ky moment ka kaluar dhe është zgjedhur presidenti atëherë ka qenë momenti i dytë, 12 qershori data e festimit të themelimit të PS-së.
Nëse do të takonit zotin Rama do t’i kërkoni të ktheheshit në grupin e PS-së?
Kërkesa për të pirë kafe vinte nga Rama dhe unë e pranova. Natyrisht do të dëgjoja zotin Rama për vlerësimet e tij dhe do të jepja të miat. Nuk mund të them më shumë se kaq, përderisa kjo nuk është bërë. Ishte një koincidencë e keqe ajo që ndodhi në 12 qershor, që jo vetëm kafja nuk ndodhi, por ndodhi mosardhja e ftesës.
Keni keqardhje për këtë?
Natyrisht që kam keqardhje sepse minimalisht unë do të thoja që në traditën e forcave shqiptare bëhen ftesa, jo më për ata që kanë qenë në radhët e PS-së, por duhen bërë edhe ftesa për kundërshtarët. Ftesat e themelimit të partive duhet të kthehen në festa ku zbuten edhe kontaktet politike.
Nëse keni ofertë nga Rama do ktheheni?
Do ta vendos vitin që vjen.
Apo do t’i bashkoheni lëvizjes së Nanos?
Nuk kam shumë informacion se çfarë po ndodh me lëvizjen Nano. E kam parë vetëm nga media. Po flas për veprimin. Dua të shikoj në ditët në vijim krahas qëndrimeve publike, dua të shikoj veprimet e kësaj lëvizjeje, nga analiza synimi për të bashkuar të majtën më duket pozitive, por dua të shikoj veprimet.
Keni një ftesë për darkën që organizon PD për zgjedhjen e Presidentit Nishani. Do shkoni?
Unë jam shumë i kujdesshëm të refuzoj ftesa për sebepe të ndryshme qoftë në planin socialist, jam shumë i kujdesshëm që t’i respektoj. Do të marr pjesë në këtë darkë. Por mendoj që kjo darkë duhet të ishte organizuar ndryshe. Duhet të ishte një kokteil i organizuar nga Parlamenti, ku duhet të ishte i ftuar i gjithë Parlamenti, edhe ata që bojkotuan seancën. Duhet të ishte i ftuar edhe faktori ndërkombëtar, për të trokitur gotat me një president, i cili duhet të jetë sipas Kushtetutës i gjithë shqiptarëve, por që të ishte i gjithë shqiptarëve duhet të kishte të paktën trokitjen morale edhe nga të gjithë deputetët.
Ndoshta është konceptuar si një darkë e shumicës qeverisëse ?
Mua nuk më shqetëson kjo gjë. Mua më shqetëson që nuk jam ftuar në festën e PS-së, por kur më ftojnë në një festë e shkoj e trokas gotën nuk më shqetëson sepse kjo është një festë për një president që unë do bëja maksimumin që të ishte i të gjithë shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›