Bashkia e Tiranes nderhyn ne rrethrrotullimin e Doganes
Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë në rrethrrotullimin e Doganës me qëllim përmirësimin e trafikut. Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha ka sqaruar sot, lidhur me këto ndërhyrje.
“Bashkia e Tiranës është e vendosur të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ndër këto hapa është edhe ndërhyrja emergjente, në rrethrrotullimin e Doganës, i cili sot vuan nga bllokime të shpeshta të trafikut, si pasojë e shtimit të fluksit të mjeteve (rreth 25 000 mjete në ditë) gjeometrisë jo funksionale si dhe ndalesave pa kriter të mjeteve, në brendësi të tij”, sqaroi Hoxha.
Sipas saj, derisa të arrihet zgjidhja më e mirë, që është kryqëzim me disnivele, Bashkia e Tiranës duke filluar nga dita e premte, do të nisë punën për të realizuar një zgjidhje afatshkurtër dhe efikase, risistemimin e korsive të këtij rrethrrotullimi. “Kjo ndërhyrje konsiston në shtimin e korsive djathtas, me gjerësi 5 metra, ndërtimin e trotuarëve me gjerësi 3 metra si dhe rritjen e sigurisë së kalimit të këmbësorëve, duke ndërtuar kangjellat mbrojtëse dhe për disiplinimin e tyre në kalimet në vijat e bardha. Gjithashtu, do të pajiset me sinjalistikë vertikale, horizontale dhe informuese, si në brendësi të tij, ashtu edhe jashtë rrethrrotullimit. Do të ndalohet qëndrimi i të gjithë mjeteve, 150 metra në çdo drejtim hyrës-dalës dhe përpunimi i çdo pasagjeri nga çdo mjet, 100 metra nga diametri i jashtëm”, u shpreh Hoxha.
Me këto ndërhyrje, Bashkia e Tiranës synon të lehtësojë trafikun, të ulë kostot e transportit, duke shkurtuar kohën e udhëtimit, duke reduktuar nivelin e ndotjes në qytet.