Perfundon ujesjellesi i Koder - Kamzes garantohet uji per 25 mije banore
Në pranverën e ardhshme kryeqyteti do të ketë zgjidhjen përfundimtare të furnizimit më ujë të pijshëm.
Kështu ka deklaruar, kryebashkiaku Basha gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në zonën “Kodër Kamëz” duke furnizuar 24 orë me ujë 15 mijë banorë.
“Plani për të vendosur, për të shtrirë rrjetin e ujësjellësit në të gjithë Tiranën po ecën sipas parashikimit. Në një kohë fare të shkurtër, kemi arritur t’u sjellim ujin më shumë se 60 mijë banorëve të Tiranës, 25 mijë këtu në zonën e “Kodër Kamzës”, 35 mijë në zonën e Kodrës së Priftit dhe lagjeve përreth. Do të vazhdojmë me zonën e Bregut të Lumit për 5 mijë banorë të tjerë, po të minibashkisë nr.11 dhe më pas me 5 mijë banorë të tjerë përballë Kodrës së Priftit, ndërkohë që projektet po bëhen gati për të ndërhyrë në zonat e reja të minibashkisë 4 dhe 8, pranë Bregut të Lumit, tek fusha e “Misto Mames” dhe në Selitë. Plani është që brenda pranverës së vitit të ardhshëm, 100% e territorit të Bashkisë së Tiranës dhe territorit të Tiranës metropolitane, të tilla siç janë edhe pallatet përtej Unazës së Re, ku banojnë qytetarë të Tiranës po në territorin e Kasharit, të furnizohen 24 orë me ujë nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës”, vuri në dukje Basha, gjatë fjalës së tij.
Rreth një vit më parë kryebashkikua Basha ka inspektuar këtë zonë ku një nga problemet më akute ishte mungesa e ujit. Basha premtoi se si për këtë problem dhe për të tjerat, Bashkia do të merrte përgjegjësitë e veta, nuk do të tregonte me gisht fajtorin imagjinar, por do të vepronte për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve si detyrë parësore dhe kryesore e saj.
“Si në çdo punë të mirëplanifikuar, puna fillon nga nëntoka dhe pastaj vazhdon me shtresat mbitokësore të infrastrukturës, që në këtë rast është asfaltimi dhe ku është e mundur trotuarët dhe ndriçimi. Në lagjen ku ndodhemi (minibashkia nr.11), kemi parashikuar për këtë vit në buxhet, jemi në proces të hapjes së investimeve në një numër segmentesh rrugore, me gjatësi totale prej 3 km, dy shkolla, 3 kopshte, 2 çerdhe dhe një bllok banimi i cili do i nënshtrohet një rikualifikimi urban, pra jo vetëm ndërhyrje në infrastrukturë, por në të gjithë komponentët e tjerë si dhe dy kolektorë të ujrave të zeza, të cilët po kështu do të zgjidhin probleme të mprehta të higjenës dhe infrastrukturës për minibashkinë 11. E njëjta gjë vlen kudo ku ndërtohet sot infrastruktura nëntokësore. Nuk do të mbetet me kaq por do të vazhdohet me asfaltimin dhe arritjen e parametrave bashkëkohorë në të gjithë lagjet e Tiranës”, u shpreh, kryebashkiaku Basha.
Plani për të shtrirë rrjetin e ujësjellësit në të gjithë Tiranën, po ecën sipas parashikimit u shpreh kryebashkiaku Basha. Në një kohë fare të shkurtër është arritur të furnizohen me ujë mbi 60 mijë banorëve të Tiranës, ndërkohë po përfundojnë projektet për të ndërhyrë në fushën e “Misto Mames” dhe në selitë. Në njësinë nr 4 dhe 8. puna nuk përfundon me kaq tha qytetari i parë i Tiranës.
Njëkohësisht, kryebashkiaku Basha i kërkoi Drejtorisë së Ujësjellësit që të përshpejtojë hapat për mbylljen e kontratave me banorët e zonës. Ndërsa komunitetit u bëri thirrje që të tregojnë kujdes veçanërisht gjatë sezonit të verës që të mos e shpërdorojnë ujin.