Rama: “Kemi gati programin për të qeverisur vendin”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë i ftuar në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë për të zhvilluar një auditorium me studentë të këtij universiteti nga të gjitha degët e tij. Rama, gjatë bashkëbisedimit me studentët ritheksoi nevojën e formulimit të një programi efikas për qeverisjen e vendit: “Besimi im është që deri sot Shqipëria nuk ka mundur dot të formulojë në 17 vjet tranzicion një program, i cili të garantojë kapërcimin e postdiktaturës dhe transformimin e gjithë infrastrukturës dhe strukturës së shtetit të vjetër në një infrastrukturë dhe strukturë të një shteti të ri. E thënë me një fjali të vetme, nuk ka mundur dot të garantojë modernizimin e shtetit për shkak të mungesës së një programi. Duke ardhur te rasti shqiptar mund të them këtë, që programet e partive kanë qenë programe të shkruara për të marrë pushtetin, për të garantuar kuotimin e asaj apo e atij, që i adresohet, miklimin, ëndërrimin dhe për t’i marrë vota, gjë që ka sjellë që të nesërmen e marrjes së votës partitë kanë mbetur pa gjë në dorë, sepse kanë pasur programe për të fituar, por jo programe për të qeverisur”, - tha Rama
4 Mars 2008