Pensionet 2009, qeveria mashtrim me rritjen reale
"Rritja reale e pensioneve të premtuar nga qeveria për në maj të 2009-ës, nuk do të jetë aq sa është premtuar, sepse, asnjë qeveri, nuk mund ta parashikojë, se si do të jetë niveli i çmimeve pas gjashtë muajsh". Fadil Kepi, specialist i Sigurimeve Shoqërore, duke iu referuar precentëve të mëparshëm të rritjeve të pagave dhe pensioneve nga qeveritë, thotë se, rritjet e premtuara nga qeveritë, nuk përfaqësojnë rritjet reale të fondeve që marrin buxhetorët. "Nëse një kategori pensionesh, prej korrikut 2008, janë rritur në masën 10 për qind në total, rritja reale është vetëm 6.5 për qind, sepse kështu duhet llogaritur edhe indeksimi i çmimeve të konsumit", - thotë për "Shekulli"-n, specialisti Kepi.
Ai i referohet vendimit Nr.856, datë 18.6.2008, të qeverisë shqiptare për "Rritjen e pensioneve", ku u vendos rritja, në masën 10 për qind, të pensioneve të plota, të pjesshme dhe të parakohshme, të pleqërisë, dhe rritjen në masën 15 për qind të pensioneve, të plota dhe të pjesshme, të pleqërisë, të pensioneve të invaliditetit dhe pensioneve familjare. Vendimi hyri në fuqi prej 1 korrikut 2008 dhe qeveria mori nga fondi rezervë, një shumë mbi 2.6 miliardë lekë të rinj.
Rritja e re e rrogave dhe pensioneve, u premtua nga kryeministri Berisha, në 2 shtator 2008, gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive, ku u diskutua për buxhetin e vitit 2009. Duke u bazuar në rritjen e buxhetit me 1 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, Berisha premtoi se në 1 maj 2009, qeveria do të bëjë rritjen e re të pensioneve dhe pagave për rreth 800 mijë familje shqiptare. "Vitin që vjen, rritja e pensioneve në qytet e fshat, nuk do të jetë ashtu siç ka qenë më parë, me 5 dhe 10 për qind, por do jetë 10 dhe 20 për qind".
"Pensionet do të rriten 10 për qind në qytet, dhe 20 për qind në fshat, për të arritur te barazimi i pensioneve mes fshtatit dhe qytetit, por kjo, nuk do të jetë rritja reale e tyre. Asnjë qeveri nuk mund ta parashikojë, se si do të jenë çmimet pas gjatë muajsh dhe është niveli i tyre, që do të tregojë se sa janë rritur realisht pensionet apo pagat" - u shpreh specialisti Kepi. Nga data 1 korrik 2008, pensioni maksimal, pa kompensimet, ishte 19 030 lekë, ndërsa pensioni minimal, ishte 9515 lekë, pa kompensimet.
Edhe specialistë të tjerë kanë qenë skeptikë për rritjen reale të pensioneve dhe pagave gjatë 3 viteve të shkuara nga ana e qeverisë. Nënsekretari për Programin e PS-së, Ilir Beqja, është shprehur se, dyfishimi i pensioneve, është mashtrim, sepse, sipas tij, nuk do të ketë dyfishim për 320 mijë pensionistë pleqërie dhe këta janë tre të katërtat e numrit të pensionistëve, 280 mijë pensionistët (65 % e totalit të pensionistëve në qytet), për 100 mijë pensionistë në qytet (23 % e totalit) për të cilët, në 4 vjet, qeveria nuk do të ofrojë rritje mesatare vjetore më shumë se 8.3 % në vit, duke shënuar rritjen më të vogël në 18 vitet e fundit, prej vitit 1991, kur nisi rritja e parë e pensioneve. Rritjet e viteve të fundit të pagave dhe pensioneve, janë zhvleftësuar nga rritja galopante e çmimeve të artikujve bazë për konsum, shtrenjtimi i energjisë për familjarët dhe rritja e taksave, ndërsa thirrjet për indeksimin e pagave dhe pensioneve, sipas nivelit të inflacionit real, nuk janë marrë asnjëherë parasysh.