E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Vendimi për negociatat dhe bojkotin në forume

02/02/2010  Kundërshtarët e Ramës kërkojnë mbledhjen e asamblesë
“Praktika e kryetarit të PS-së, si e revolucionit kulturor kinez”
Lidershipi socialist përballet sërish me kërkesën e ndërprerjes së bojkotit. Socialistët kërkojnë mbledhjen e forumeve drejtuese mbi këtë çështje. Madje, referuar momentit politik, duhet të jenë forumet drejtuese ato të cilat, sipas socialistëve, do të vendosin mbi platformën e negocimit me kampin kundërshtar në tryezën e kreut të shtetit për zgjidhjen e krizës. Kampi rozë përfshihet ne debatin e radhës, ku dhe këtë herë janë përfaqësuesit e mendimit ndryshe ata, të cilët insistojnë në zgjidhjen e këtyre dy çështjeve vetëm përmes strukturave drejtuese të partisë.
Kërkesa
Lëvizja për mendimin ndryshe në PS kërkon thirrjen e asamblesë kombëtare të kësaj partie, me qëllim që të jetë ky forum ai që do të miratojë platformën që do të paraqesë PS-ja në negociatat me PD-në. Deputeti I PS-së, njëkohësisht përfaqësues i mendimit ndryshe, Kastriot Islami, vuri në dukje faktin se përveç këtij momenti, asambleja duhet të thirret dhe për çështjen e ndalimit të bojkotit. Madje në gjykimin e Islamit zgjidhja e krizës mund të vijë vetëm nga Presidenti Bamir Topi, me qëllim që të arrihet në një përfundim të mirëllogaritur lidhur me qëndrimin që do të mbajë në vijim kampi rozë. “Mendoj që PS-ja fillimisht duhet të mbledhë urgjentisht forumet dhe duhet të kërkojë dhe të miratojë në këto forume platformën e negocimit te Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht, ashtu siç e kanë kërkuar edhe disa anëtarë të asamblesë në mbledhjen e fundit dhe siç është vendosur, duhet të rivlerësojë të gjithë situatën politike dhe në mënyrë të veçantë çështjen e ndalimit të bojkotit”, vuri në dukje Islami lidhur me këtë çështje.
Qëndrimi
Por nga ana tjetër, Islami iu kundërpërgjigj akuzave të ardhura nga lidershipi socialist, ku sipas tyre, Lëvizja për Mendimin Ndryshe është sponsorizuar nga Berisha për udhëtimin e saj në Bruksel. Duke i hedhur poshtë këto akuza, Islami rikujtoi se është më socialist se vetë Edi Rama. “Jemi socialistë të vërtetë. Madje shumë më të vërtetë dhe me rrënjë më të thella sesa vetë Edi Rama. Më vjen keq që zoti Rama ka rënë në një gjendje të tillë kaq të rëndë dhe dashje pa dashje nuk arrin dot mllefin dhe ndoshta elementë të hakmarrjes së tij. Nuk mendoj se duke shpërndarë citate ndaj atyre, që mendojnë se ju përkrahin, besnikëve apo duke lëshuar dacibao ndaj kundërshtarëve, mund të arrihet suksesi i PS-së. Kjo është një periudhë tashmë e kaluar e revolucionit kulturor kinez. Edhe vetë kinezët e kanë kritikuar këtë praktikë. Nuk besoj se kjo i jep sukses PS-së”, nënvizoi deputeti socialist Islami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›