E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyten 100 shtëpi në fshatin Mbrostar

02/02/2010  U bllokuan kanalet kulluese, uji arrin mbi 1 metër
FIER- Janë përmbytur ditën e djeshme rreth 100 shtëpi në dalje të qytetit të Fierit nga pjesa e tij veriore në vendin e quajtur Mbrostar. Nuk ka qenë vetëm rënia e shirave, por sidomos bllokimi i kanaleve kulluese, të cilat kanë shkaktuar gjendjen e jashtëzakonshme në këtë fshat. Madje nxënësit e këtij fshati shumë pranë qytetit të Fierit nuk kanë mundur të shkojnë as në shkollë, ose prindërit e tyre të kryejnë aktivitetin e përditshëm për shkak se niveli i ujërave ka qenë tepër i lartë mbi 1.30 cm në banesat e tyre. “Kjo është gjendja jonë si fshat”, ka thënë Nuredin Veliu, banor i fshatit Mbrostar. Gjendja është alarmante. Shtëpitë janë në pushtetin e ujërave për shkak të bllokimit të pusetave, kanaleve kulluese dhe gjithçka që ka të bëjë me kullimin e tokës. Kanalizimet e ujërave të zeza janë bllokuar dhe janë përzier me ato të bardha. Jemi ankuar në komunë dhe komuna nuk mban asnjë përgjegjësi dhe thotë se e ka fajin firma që ndërtoi autostradën, e cila nga pakujdesia ka bllokuar të gjitha kanalet”. Banorët shprehen të irrituar se taksat vendore i paguajnë deri në një, ndërsa jetesa e tyre është bërë e vështirë dhe se nuk mund të kryejnë dot asnjë veprimtari jetësore, qoftë edhe me fëmijët nëpër shkolla, kopshte apo çerdhe, pasi uji i ka mbuluar mbi 1 m në banesat e tyre. Banorët shprehen se nga kjo përmbytje ka dëme të mëdha materiale, ndërsa pushteti vendor nuk merr asnjë lloj përgjegjësie. Ata gjithashtu janë shprehur se do të protestojnë dhe do të bllokojnë rrugën nëse nuk i jepet zgjidhje problemit të tyre. Shumica prej banorëve shprehen se nuk kanë të jetojnë, pasi shtëpia e tyre është e rrethuar nga uji dhe se janë bërë të pabanueshme për shkak të lagështisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›