E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Asgjë sikur dielli” me këngëtar të ri

02/02/2010  Alban Nimani “braktis” grupin për karrierë solo. Kushtrim Hoxha, vokalisti i ri
Ishte identifikuar me “Asgjë sikur dielli” dhe ishte bërë pamja e tij. Por tanimë grupi i njohur muzikor do të ketë një tjetër fytyrë. Alban Nimani është shkëputur nga “Asgjë sikur dielli” për të vazhduar karrierën e tij solo. Vendin e vokalistit të grupit e ka zënë një tjetër emër, Kushtrim Hoxha. Aktor dhe këngëtar, Hoxha ka përfunduar studimet për aktrim në universitetin “North Carolina” në SHBA. Është pjesë e ekipit të aktorëve në serialin televiziv më të shikuar në Kosovë, “Familja Moderne”, si dhe ka marrë pjesë në role të ndryshme në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, si dhe disa role në Teatrin e Qytetit në Charlotte , North Carolina, SHBA. Ka filluar karrierën e tij në muzikë në grupin “Gre3n”, si dhe ka kënduar në disa shfaqje muzikore në Charlottte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Me ardhjen e Kushtrimit fillon një etapë e re e ‘Asgjë sikur diellit’. Ardhja e Kushtrimit do të sjellë një freski, ndërkohë që bendi do t’i mbetet besnik stilit dhe zhanrit të vet të muzikës duke vazhduar së shpejti edhe me risi të tjera, si dhe albumin më të ri, për të cilin do të japim më shumë detaje më vonë”, u shprehën anëtarët e grupit. “Asgjë sikur dielli” ka nxjerrë në treg deri tani dy albume dhe ka marrë pjesë në festivale të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, ku janë vlerësuar edhe me çmime.
Së shpejti “Asgjë sikur dielli” ka planifikuar të jetë i pranishëm edhe në Shqipëri dhe Maqedoni.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›