E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia e Nikoliçit, e lumtur për mbështetjen që po merr nga Palestina, kundër pavarësisë së Kosovës

29-03-2013 / Nga Redi Agolli

Ministri palestinez i Ekonomisë ka qenë i fundit që ka konfirmuar në Beograd aleancën e palestinezëve me Serbinë, kundër forcave perëndimore dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Deklarimet vijnë në vijimësi dhe flasin për qëndrime dogmatike, të cilat i shërbejnë veç Serbisë dhe jo kauzës palestineze për pavarësi 

Gjatë takimit me kryeministrin, Ivica Daçiç, në kuadër të vizitës zyrtare që zhvilloi më 8 mars në Serbi, ministri i Ekonomisë palestineze, Jawad Naji, i ka shprehur kryeministrit serb, por edhe presidentit Nikoliç, mbështetjen e palestinezëve ndaj ruajtjes së integritetit territorial të Serbisë, fjalim i cili nënkupton se palestinezët qëndrojnë krah për krah Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës. Nga ana e tij, kryeministri Daçiç u shpreh se pret nga vendet arabe dhe vendet e tjera të lëvizjes së të painkuadruarve-pjellën e Titos- që të ndajnë të njëjtën “pikëpamje pozitive” si palestinezët, me pak fjalë Daçiç kërkon që, në kuadër të marrëdhënieve tepër miqësor mes dy vendeve, entiteti palestinez të lobojë kundër pavarësisë së Kosovës tek vendet arabe. Deklarata të tilla kundër Kosovës në Beograd janë bërë një trend i zyrtarëve palestinezë. Në qershor të 2011, ambasadori palestinez në Serbi, z. Mohamed Nabhan, në një intervistë për të përditshmen “Danas”,  sulmoi shtetin e Kosovës dhe u bëri thirrje vendeve arabëve që të mos e njohin këtë “krijesë të Perëndimit”, krijesë të dytë pas Izraelit nënkupton ambasadori. “Zhvillimet në Palestinë dhe çështja e Kosovës, janë dy gjëra diametralisht të kundërta - theksoi Nabhan. “Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, ndërsa Gaza dhe Bregu Perëndimor kurrë nuk kanë qenë në kuadër të Izraelit. Këto janë territore të okupuara ndërsa Serbia kurrë nuk e ka okupuar Kosovën. Paralelja do të ishte e arsyeshme në rast se serbët do të ishin okupatorë” - ka deklaruar ambasadori palestinez në intervistën për “Danas” të Beogradit. Ai vijon më tej se, “Perëndimi e ka njohur Kosovën, e jo vendet myslimane dhe arabe”.
Kjo “aleancë e poshtër” me Beogradin nuk i ndihmon aspak palestinezët në kauzën e tyre për pavarësi. Është absurde që një entitet si Palestina që inspiron të ketë një shtet të pavarur mban një qëndrim të tillë kundër një vendi si Kosova i cili ia ka dalë të realizojë atë qëllim sublim të lirisë për të cilin populli palestinez e kërkon prej kohësh. Pavarësia e Kosovës është një realitet i njohur nga 100 shtete dhe është certifikuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pikërisht me atë të drejtë, nenet e së cilës përdoren shpejt gjatë lobingjeve të palestinezëve për të krijuar shtetin e tyre.  Ajo është shpërblim i përpjekjeve dhe luftës shekullore të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kundër hegjemonisë serbe. Aspirata e lirisë, e pavarësisë dhe parimi i vetëvendosjes duhej të ishin ideale të mëdha bashkuese mes Palestinës dhe Kosovës. Për të shtuar, Kosova u ofron një leksion tepër premtues palestinezëve se pavarësia është një mision i mundur, nëse lufton me diplomaci dhe tregon se je në anën e lirisë. Kësisoj, çdo deklaratë e zyrtarëve palestinezë në mbështetje të Beogradit kundër Kosovës përbën një bumerang më vete për kauzën e tyre për pavarësi. Me çfarë kredencialesh diplomatike por edhe morale do të paraqitet entiteti palestinez përballë shteteve të OKB-së, gjatë fushatave lobuese të tij për pavarësi kur vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Sa të besueshme do të jenë deklaratat e palestinezëve se janë një viktimë e madhe e shtypjes së Izraelit kur ajo mbështet në çështjen e Kosovës pikërisht personazhin negativ të historisë, Serbinë, e cila e ktheu Ballkanin në një thertore për qenie humane? Përgjigja e këtyre pyetjeve, duke iu referuar deklaratave të mësipërme,  ia heq atributet liridashëse dhe liri-promovuese palestinezëve... 
Palestina, një strukturë politike që lufton për pavarësi e afirmim ndërkombëtar, e ka marrë që prej dekadash mirëkuptimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar, e cila e ka njohur atë në mënyrë unilaterale. Por, nga ana palestineze nuk po shohim reciprocitet, nuk po shohim që të na kthehet solidariteti, përkundrazi po shohim një kundërsulm nga llogorja e Beogradit kundër trofeut të lirisë së popullit tonë-pavarësisë së Kosovës.
Pavarësisht se çfarë e bashkon me Beogradin, anti-amerikanizmi apo kontratat e shitjes së armëve siç thonë disa thashetheme, Palestina, duke marrë parasysh çështjen e saj, duhet të jetë e para që ta rreshtojë veten në krah të popujve që kërkojnë liri e trajtim të barabartë, e jo ta rreshtojë veten e  para në një koalicion interesash pikërisht me atë shtet që përfaqëson simbolin e shtypjes, Serbinë, për realizimin e të cilave kërkohet si kusht promovimi i  atyre deklaratave që u shërbejnë orekseve shoviniste dhe antagoniste ndaj idealeve të lirisë dhe vetëvendosjes së popujve, pasi një pozicionim i tillë përbën “vetëvrasje” diplomatike por edhe morale për kauzën për liri dhe pavarësi të popullit palestinez.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›