E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Bathore, kllounët e Partisë Socialiste luajnë komedinë e radhës për legalizimet

29-03-2013 / Nga Sejdi Peka

Për të luajtur komedinë e radhës me të ashtuquajturin “program i Partisë Socialiste”, kllounët e kësaj force politike këtë radhë zgjodhën Bathoren. Nuk është për t’u çuditur se në sallën ku Edi Rama luante me këmbë e me duar me sy të zgardulluar pothuajse nuk kishte banorë të Bathores. Monologu i tij deri në absurd u mbajt përpara disa militantëve të njohur të PS që ishin importuar sa për të mos lënë fare të boshatisur sallën. Nuk kishte si të  ndodhte ndryshe ky bojkot absolut. Banorët e kësaj qyteze që po merr përditë pamjen e një qyteti të bukur, vallë a mundet të kenë harruar kur i sëmuri psiqik i PS pak kohë të shkuar, i quajti “shpellarë, çeçenë” e sharje të tjera publike kundër këtyre njerëzve të mirë, punëtorë dhe bujarë. Këta njerëz të vuajtur ishin larguar nga “kampet e internimit” të pashpallura nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, si Fajza, Shikaj, Berishë, Zahrishti etj, në kërkim të një jete më të mirë për familjet e tyre, sapo prangat e mizerjes komuniste nuk funksionuan më. Themi këta njerëz të persekutuar, se kanë lënë tokat e begata, shtëpitë, mundin, djersën në breza, varret e të parëve të tyre, atje në fundin e Liqenit të Fierzës. U larguan të dëshpëruar dhe të lemerisur nga barbaria komuniste që nuk i dëmshpërbleu me asgjë. U larguan me dhunën e terrorin e policisë komuniste. Vetëm me ato pak orendi që kishin dhe me rrobat e trupit, u vendosën në baraka të ngritura eterniti, ku dielli të piqte në verë dhe acari i dimrit të bënte kallkan. Çizmet e grisura copë-copë dhe balta deri në kupën e gjurit, puna e rëndë në kanale dhe goja e kyçur, ishin lajtmotivi i jetës së tyre të përditshme. Ishte kjo arsyeja që këta të internuar të pa shpallur e pritën ardhjen e demokracisë si i verbëri dritën e diellit. U vendosën në periferi të qyteteve,jo si zaptues tokash që i quajti e majta ish komuniste, por njerëz që e kuptonin vlerën e lirisë dhe të pronës nga e cila ishin privuar. E vërteta është si drita e diellit se duke njohur pronën si të shenjtë për jetën e njeriut ata në përgjithësi u janë përgjigjur pronarëve të ligjshëm duke jau blerë tokën. Me djersën e mundin e tyre,ditë për ditë dhe orë për orë punuan për ndërtimin e shtëpive të tyre. Këta “shpellarë dhe çeçenë” që i quajti skizofreni i Partisë Socialiste, nuk ndërtuan baraka prej qerpiçi balte, por vila të tilla që mundet të krahasohen me ato të Stambollit dhe qyteteve të tjera të Europës, përkundrazi sollën qytetarinë në Kryeqytetin e Shqipërisë. Në ka vend në Tiranë e rrethina që policia e shtetit ka më pak punë kjo është Bathorja. Janë ata njerëz me virtytet më të mira që kanë trashëguar nga të parët e tyre, të sakrificës që në shekuj të parët janë ballafaquar me pushkë në dorë në ekstremin verior të mbrojtjes së Atdheut sa herë që agresorët sllavë kanë tentuar të pushtojnë Shqipërinë. Në këtë pikëpamje duke e quajtur komunizmin si ide sllave që vinte si epidemi murtaje nga lindja bolshevike, e kundërshtuan sa mundën regjimin komunist dhe u persekutuan pa mëshirë nga regjimi i diktaturës. Tek Partia Socialiste këta njerëz shohin sozinë e Partisë Komuniste që nuk ka ndryshuar asgjë në mentalitetin e saj enverist. Kjo është arsyeja që në Bathore gjithnjë dhe vazhdimisht Partia Socialiste del në të gjitha zgjedhjet “me këpucë të kuqe”.Më kot jargavitet Edi Rama në Bathore me gënjeshtrat dhe demagogjinë enveriste të dalë boje. Askush nuk i beson. Askush nuk e voton.
Tani të gjykojmë për gënjeshtrat e Edi Ramës që i tha pa kandar për Bathoren. Duke parë lakenjtë që i rrinin prapa Edi Ramës dhe gajaseshin duke qeshur me marrëzitë e tij, si Tahiri, Beqja, Shalësi, po Artan Lame çfarë fytyre kishte të ndodhej aty Artan Lame, si zv.Ministër i qeverisë socialiste para vitit 2005, ka mbrojtur programin e socialistëve me fanatizmin më ekstrem me idenë fikse “urbanizim dhe më pas legalizim”, që duke pritur të realizohet kjo ide që mendohej të bëhej ligj anipse për fat të mirë të qytetarëve shqiptarë Artani ra nga fiku së bashku me Partinë Socialiste që i humbi zgjedhjet në 2005, do të kalonin dekada dhe nuk mundet të bëhej asnjë legalizim. Shqiptarët do të prisnin natë e ditë me zemër të ngrirë fadromat e Edi Ramës që do tua bënte rrafsh me tokën shtëpitë e tyre gjoja në emër të urbanizimit. Tani mashtruesi i madh premton se “PS do të legalizojë sapo të vijë në pushtet shtëpitë në troje private dhe shtetërore, të tjerat do shemben”. Sipas statistikave të ALUIZNI-it, më shumë se 30% e ndërtesave informale janë të vendosura në troje me pronarë. Sigurisht duhet të merret parasysh se në 8 vitet e qeverisjes së mbrapsht të socialistëve,u falsifikuan me qindra dhe mijëra troje dhe toka ku përfituan paturpësisht dhe padrejtësisht nga ish komunistët të konvertuar si socialistë që përbënin elitën dhe administratën e tyre të korruptuar dhe sot kanë hapur mijëra padi gjyqësore në përpjekje të përfitimeve dhe vjedhjeve të paligjshme, duke i sorollatur qindra njerëz hallexhinj nëpër gjyqe pa fund. Ky 30% i ndërtesave duhet shtuar më shumë se 20% të tjera që do të prishen sipas planit të Partisë Socialiste për rrugë e probleme të tjera të infrastrukturës, që i bie të bëhen rrafsh me tokën dhe pa asnjë shpërblim afro 60% të ndërtimeve informale në Shqipëri. Në këtë mënyrë nga 340 mijë ndërtime informale do të mbeten në këmbë vetëm 160 mijë ndërtesa. Don të thotë një katastrofë e vërtetë që edhe bota do të habitej nga kjo çmenduri që nuk ka shanse të ndodhë. Çdo njeri, sado i pashkolluar që të ndodhet, e kupton se Edi Rama nuk ka asnjë program të shkruar, se përndryshe nuk mundet të thuhen marrëzi të tilla sikur shqiptarët qenkan aq budallenj dhe të mos kuptojnë. Na ka ndodhur pothuaj të gjithëve, kur kemi parë nxënës të dobët në mësime, që kur hynin në mësim përpiqeshin të shkruanin disa formula në pëllëmbën e dorës në mënyrë që të kopjonin provimin. Ky është Edi Rama që u pa publikisht dhe u filmua nga media kur kishte zhgarravitur duart sa një lopatë tek mbante një fjalim në Kukës. I ashtuquajturi “program i Partisë Socialiste” ndodhet në erë, tek një njeri i sëmurë mendërisht.
Qeveria Berisha ka bërë një punë të jashtëzakonshme me një ligj të aprovuar nga Parlamenti me vetëm votat e mazhorancës për legalizimet. Një ligj që ka amortizuar në maksimum kontradiktat ndërmjet ndërtimeve informale, shtetit dhe pronarëve. Nga ana tjetër, i etur për pushtet Edi Rama në kulmin e skizofrenisë i ndjekur nga ish bllokmenët e brezit të dytë të kastës enveriste, si langonjtë për gjah, janë angazhuar me një fushatë të paprinciptë propagande me gënjeshtra e mashtrime pa kufi. Ata derdhin lot krokodili edhe për pronarët duke harruar se pak kohë më parë Edi Rama u tha “ju pronarët shkoni tek partia e juaj Demokratike”. Partia Demokratike ka bërë me qindra e mijëra legalizime nëpërmjet një procesi transparent dhe të qëndrueshëm nga pikëpamja ligjore. Pagesat me letra me vlerë të faturave financiare në masën deri 70% të parashikuara në ligj e kanë bërë procesin të përshpejtuar dhe më të lehtë për t’u përballuar nga familjarët. Këto ndërtime informale që po legalizohen dhe si proces do të përfundojë brenda këtij viti, do të shtojë mirëqenien e njerëzve duke rikuperuar si pasuri kombëtare miliarda euro. Për një proces të tillë që janë të interesuar që të përfundojë sa më parë afro gjysma e popullsisë në Shqipëri, ka shtuar besimin tek Partia Demokratike dhe Qeveria Berisha që në zgjedhjet e 23 Qershorit do të meritojë mandatin e tretë qeverisës. Po çfarë kërkon në Bathore Edi Rama? Shkon për të vënë brirët e del i qethur si dhi e zgjebosur.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›