E Diel, 1 Nëntor 2026

Komunistët si kërcënues të vazhdueshëm të paqes

29-03-2013 / Nga Ilirian Dahri

Në fillim të këtij muaji i gjithë opinion publik ndërkombëtar kishte përshëndetur sanksionet që Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte aprovuar kundra vendit komunist. Kishte qenë një dokument shumë i rëndësishëm sidomos për provat bërthamore që Koreja e Veriut ka kryer  më 12 shkurt. Reagimi i udhëheqjes komuniste kishte qenë i shpejtë dhe agresiv sepse dokumenti e bënte akoma dhe më të vështirë situatën në vendin aziatik sidomos në zhvendosjen e pasurive të bankave dhe korrierëve që lëviznin me para cash. Nga ana tjetër masa të rrepta u aprovuan edhe për lëvizjen e koreanoveriorëve e cila do të kishte kufizime të shumta dhe në të njëjtën kohë i kërkohej të gjitha shteteve anëtare që të dëbonin agjentët koreanoveriorë të cilët rezultonin në listën e zezë. Ndërkaq duhet që të inspektohen mallrat e dyshimta të cilat mund të kalojnë edhe vetëm si tranzit në territoret e shteteve si nga deti dhe nga ajri. Në fillim të marsit, dhe pak orë përpara se të niste mbledhja në OKB, regjimi koreanoverior kishte kërcënuar me sulme me armë bërthamore kundër të gjitha shteteve që do të kërkonin të pengonin vendin aziatik komunist. Në të vërtetë asnjë prej vendeve nuk ishte trembur nga armët bërthamore prej kartoni (siç parakalojnë në paradat “madhështore” në vendin komunist). Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Suzan Rice kishte deklaruar se: “Koreja e Veriut nuk do të përfitojë asgjë me kërcënimet dhe provokimet, por do të fitojë akoma dhe më shumë izolim ndërkombëtar”. Kaluan pak ditë dhe Koreja e Veriut vendosi që të hidhte poshtë të gjitha marrëveshjet që kishte bërë deri në atë moment me Korenë e Jugut duke këputur madje edhe linjën e telefonit të kuq që e lidhte me Seulin. Kishte qenë një deklaratë e Komitetit për Bashkimin paqësor që vinte pas sanksioneve të aprovuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Marrëveshja më e rëndësishme mes dy Koreve ishte ajo e firmosur në vitin 1991 e cila angazhonte dy vendet që të zgjidhnin problemet e ndryshme vetëm me mënyra paqësore duke shmangur kësisoj një konflikt ushtarak mes tyre. Koeanoveriorët mbyllën menjëherë linjën sepse sipas tyre nuk kishte më asgjë për të folur sepse situata ishte shumë e rëndë. Madje në stilin komunist kishin shkuar edhe më larg duke deklaruar se: “Nuk ka mbetur asgjë tjetër dhe hesapet duhen larë vetëm me forcën fizike”. Pak më vonë Koreanoveriorët kishin kërcënuar se do të grisnin armëpushimin që kishte ndalur luftën e 1950 - 1953 nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korea e Jugut do të vazhdonin me stërvitjet e përbashkëta. Marrëdhëniet  mes dy Koreve “nuk janë më të riparueshme dhe një shtet tejet i rrezikshëm mbizotëron në gadishullin Korean, në të cilin një luftë bërthamore mund të shpërthejë nga casti ne cast. Nuk mund të humbasim rastin e artë për një luftë të madhe për bashkimin kombëtar”. Nga ana tjetër zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes të vendit komunist Kim Min - Seok kishte deklaruar se Koreja e Veriut do të vazhdonte me stërvitjet ushtarake në një nivel akoma dhe më të lartë. Koreanojugorët janë të bindur ndërkaq se stërvitjet mund të shpien në provokime ushtarake. Është menduar shpeshherë se “agresiviteti“ i vendit komunist është i paramenduar sepse kërkohet që të arrihet tek ndihmat financiare pa të cilat vendi komunist do ta kishte të vështirë të mbijetonte. Sidoqoftë shqetësim sjellin edhe lajmet që vijnë nga gadishulli korean. Flitet se forcat e armatosura janë të gatshme për luftë duke patur të qartë edhe objektivin e tyre: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Agjensia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut komentonte ditë më parë se objektivi kryesor janë “bazat kontinentale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Hawai dhe Guam” - për të vazhduar se: “nga ky moment komanda supreme e Ushtrisë Popullore së Koresë ka urdhëruar të gjithë artilerinë që të jetë në gadishmëri për sulm, përfshi ato me rreze të gjatë dhe njësitë strategjike të raketave”. Sidoqoftë, sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një bllof komunist sepse trupat amerikane dhe ato koreanojugore nuk kanë vërejtur asgjë jashtë rutinës ndërsa kryejnë të pashqetësuara stërvitjet e tyre të përbashkëta. Ndoshta ndryshimet e liderëve të vendeve fqinje të Koresë së Veriut (Koreja Jugut, Japoni dhe Kinë) kanë rritur disi tensionet në rajon.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›