Islami ndërron mendje: As e bashkuar, as e përçarë, e majta nuk vjen në pushtet
Në një shkrim për gazetën Panorama, Kastriot Islami thekson se PS e ka të pamundur të ngjitet në pushtet me Edi Ramën në krye të partisë.
Përderisa PS do të drejtohet nga Rama dhe klientela e tij ka shumë pak gjasa, për të mos thënë aspak, që e majta të bashkohet, por edhe nëse bashkohet, e majta dhe PS do të rrudhen. Për rrjedhojë PS do të rezultojë fatkeqësisht në çdo rast humbëse, pohon ai.
Sipas tij e majta ka krijuar gropë elektorale duke u paraqitur e bashkuar në zgjedhjet e vitit 2007. Pikërisht në këtë vit ai pohon se e majta çuditërisht ka pasur më pak vota krahasuar me votat e 2005 dhe 2009, kur ajo ishte e përçarë.
Islami deklaron më tej se e majta e përçarë e lë PS-në në opozitë, kurse e majta e bashkuar mban të djathtën në pushtet.
Përderisa PS drejtohet nga Edi Rama dhe klientela e tij, nuk ka asnjë shans të mos përsëriten të njëjtat dukuri që janë shfaqur që nga viti 2001 deri më sot, pra dukuri që kanë ndodhur në 12 vjet, që përmbledhtas do të merrnin dy invariante. Invarianti i parë: E majta e përçarë do ta mbajë me siguri PS-në në opozitë. Invarianti i dytë: E majta e bashkuar, duke rezultuar më e vogël sesa e djathta, do ta mbajë të djathtën në pushtet, thotë ai.
Islami thekson se e vetmja shpresë që mbetet për socialistët e thjeshtë është të presin me sytë nga qielli që e djathta të humbasë vetiu zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht nëse e majta bashkohet apo mbetet e përçarë; të gjithë presin ishalla kështu ndodh.
Ai pohon se synimi dhe taktikat e Ramës kanë gjeneruar frymë mosbesimi dhe përçarje të thellë.