Aleanca KuqeZi prezanton dosjen e Aldo Bumçit dhe kërkon 8 vite burgim
Aleanca KuqeZi zhvilloi së bashku me 300 artistë dhe intelektualë të shquar aktivitetin në kuadër të fushatës Fytyrat e krimit duke publikuar për publikun dosjen për veprat penale të kryera nga Ministri Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi. Kjo dosje publikohet menjëherë pasi Aleanca KuqeZi kërkoi ndëshkimin me burgim të përjetshëm të kryeministrit Berisha për marrëveshjen e dorëzimit të pjesshëm të territorit shqiptar tek shtetit grek.
Në këtë takim, në të cilin merrnin pjesë artistë dhe intelektualë që iu bashkëngjitën Aleancës KuqeZi, u publikua një listë shumë e gjatë e monumenteve dhe veprave të trashëgimisë kulturore të shkatërruara me firmën dhe vendimet e ministrit të Kulturës. Aleanca KuqeZi nisi përgatitjen e dosjes për tia paraqitur prokurorisë mbi dëmin që i ka ardhur identitetit dhe integritetit kombëtar të vendit. Aleanca Kuq e Zi deklaroi se në mbështetje të nenit 160 të Kodit Penal shkatërrimi i veprave të kulturës dënohet deri në 8 vjet burg, dhe ky është dënimi që Aleanca KuqeZi do të kërkojë për shtetasin Aldo Bumci.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet, kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, theksoi se: Arti dhe kultura duhet ti paraprijnë bashkimit kombëtar në kufijtë e vetë etnik. Mafia bardheblu dhe mafia e kuqe në këto 22 vite rrënuan monumente, vepra arti, kështjella, teatro, kinema, biblioteka për ti plaçkitur dhe për ti betonizuar më pas në funksion të pastrimit të parave të prodhuara nga qeverisjet e tyre të pista. Në 22 vitet e qeverisjes së demokratëve dhe socialistëve kemi një bilanc të shkatërrimit të veprave të artit që nuk krahasohet as me dëmet në luftën e parë apo luftën e dytë botërore. Në vitin 1990 ishin 80.000 monumente të trashëgimisë kulturore që mbroheshin me status të veçantë, ndërsa sot as gjysma e tyre. Shkatërrimi i shtëpive të Gërmenjit dhe të gjithë rilindësve është një krim shtetëror antishqiptar dhe padyshim historia mijëravjeçare e kombit po asgjësohet nga bandat e licencimeve për gërmime arkeologjike nga të cilat të gjitha objektet arkeologjike trafikohen në tregun e zi.
Më tej kreu i Aleancës KuqeZi renditi një seri faktesh dhe të dhënash të shkatërrimit të objekteve kulturore duke shtuar se: Nga tregu i zi i kërkimeve arkeologjike dhe i ndërtimeve qeveritare janë tundur nga varret të gjitha eshtrat e ilirëve dhe të gjithë të parëve tanë dukë rrënuar dhe grabitur gjithçka dhe duke flakur vlerat historike. 160 shtëpi monumente drejt zhdukjes në Gjirokastër, 11 objekte të kategorisë së parë të zhdukura në Korçë, Elbasan, Shkodër, Durrës, dhjetëra objekte në Berat janë objekte të vandalizmit antishqiptar të qeverisë. Kontrata e qirasë e ministrit Bumçi për kalatë e Lezhës, Peqinit, Porto Romanos, Ardenicës etj, po shndërrojnë historinë tragjike të korruptimit një deputet-një kala. Në vend që të investohet në kalatë e rrënuara bëhet e kundërta, rrënohen ato që janë vepra të mirëmbajtura të trashëgimisë kulturore. Në prag të 100 vjetorit shtetasi Bumçi lejoi ti dhunohen themelet edhe kështjellës simbol të Gjergj Kastriotit në Krujë. Sikur të mos mjaftonin kaq qeveria e shtetasit Berisha dhe shtetasit Bumçi shitën varret e gjyshërve tanë në Boboshticë duke iu vënë nga një emër ushtari grek në kokat e tyre.
Në aktivitet morën fjalën dhjetëra intelektualë të ndryshëm, të cilët parashtruan vizionin e tyre për një program të qartë dhe të detajuar të Aleancës KuqeZi në lidhje me 4 vitet e ardhshme të qeverisjes kuqezi.