E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS në Kuvend, vetëm për të shpëtuar mandatet

Ministri i Jashtëm deklaroi dje se opozita nuk është e interesuar për transparencën e zgjedhjeve


TIRANË - Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi dje pas largimit të opozitës nga Kuvendi se PS-ja nuk është e interesuar për transparencën e zgjedhjeve. "Këta duan destabilizimin e Shqipërisë.


Duan turpërimin e Shqipërisë, si një vend i cili nuk është në gjendje të forcojë shtetin ligjor. Këta ankohen se nuk u kemi pranuar listën e tyre, që të kemi Komision hetimor parlamentar për 24 muaj. Çfarë do të thotë kjo? 7-8 muaj kanë kaluar, por edhe 24 muaj?


Pra, shqiptarët të rrinë çdo ditë e të dëgjojnë përrallat e tyre për gjoja-zgjedhjet. Dhe, ndërkohë, këta kanë hallin e ekonomisë, bujqësisë, dhe hallet e tjera. Duan t'i mbajnë shqiptarët 4 vjet me kutitë e me fletët e votimit.


Nuk kanë këtë shqetësim. Jo vetëm kaq, por këta duan që Shqipëria, jo 4 vjet, por edhe 40 vjet të tjera të ketë vetëm këtë punë", - tha Meta. Ai ka ftuar deputetët e PS-së që të bëhen pjesë e komisionit hetimor. "Hajde të krijojmë Komisionin, rekomandimet e OSBE-ODHIR-it janë, dhe gjithçka të përmirësohet.


Por, zgjedhjet bëhen në kohën e zgjedhjeve. Shqipëria nuk mund të jetë mot e jetë në zgjedhje, sepse Shqipëria ka shumë probleme të tjera, të cilat duhen zgjidhur", - shtoi ai. Meta ka komentuar edhe thyerjen e bojkotit të opozitës. "Ata nuk kanë ardhur në Parlament dhe nuk kanë bërë asnjë lëshim, por kanë ardhur në Parlament për të shpëtuar mandatet e 30 biznesmenëve që kanë në grupin e tyre parlamentar.


Ata nuk do ta japin asnjëherë votën e tyre, as "për gjykatën administrative" dhe as për ndonjë gjë tjetër të rëndësishme, sepse duan të mbajnë peng Parlamentin dhe të instalojnë një precedent destabilizues, të përhershëm në këtë vend", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›