Ismail Kadare: Marrëdhëniet e mia me femrat
Në këtë intervistë për gazetarin Blendi Fevziu dhënë në Tiranë në emisionin Opinion, shkrimtari Ismail Kadare, flet për librin me kujtime të bashkëshortes por jo vetëm për të.
Ai rrëfen se pjesën disafaqëshe të këtij libri ku flitet për disa grindje e xhelozi, e kanë sugjeruar botuesit francezë të librit, por në to nuk ka asgjë nga ato që përfliten në shtyp.
Emrat që dolën në shtyp janë mikesha të familjes, është turp edhe të flasim për to, – thotë shkrimtari i madh.
Ai rrëfen gjithashtu pjesën e tij për publikime të tjera të këtyre ditëve që lidhen me librin e bashkëshortes. Për SMS-të e Ramës për tu bërë President në 2007, z.Kadare tregon se nuk ishte vetëm Rama, por edhe Berisha i ka telefonuar pas mesazheve të Ramës. Më poshtë, intervista e plotë dhënë gazetarit Fevziu:
Ka filluar panairi i librit dhe është një nga mundësitë tuaja më të mira për tu takuar me lexuesit. Ju jeni gjithmonë në Tiranë, kur zhvillohet panairi i librit…
Po. Përpiqem të jem dhe kam qenë gjithmonë në Tiranë. Është ndoshta veprimtaria kryesore ku unë marr pjesë në Shqipëri.
Kësaj here në fakt nuk jeni vetëm ju me një libër, me një ribotim që është Mosmarrëveshja, i ripunuar besoj?
Po, i plotësuar.
Por është edhe një libër shumë interesant i bashkëshortes tuaj, Helena Kadare Kohë e Pamjaftueshme. Përse Helena Kadare vendosi të shkruajë kujtimet. Ishte një shtysë e juaj, apo vendim i saj?
I saj padyshim. Ka një kohë shumë të gjatë që i ka filluar kujtimet, 15 vjet.
Ju vetë, keni vendosur të shkruani kujtime?
Jo.
Keni thënë disa herë që nuk doni të shkruani kujtime. A mbeten kujtimet e Helena Kadare korpusi kryesor i memorieve tuaja njëkohësisht?
Mbeten apo nuk mbeten kjo nuk ndryshon asgjë në vendimin tim për të mos shkruar kujtime.
Përse në fillim kujtimet e zonjës Kadare u botuan në frëngjisht dhe më pas në shqip?
U botuan kështu, natyrshëm nuk ka ndonjë arsye të veçantë.
A ishte botuesi juaj që insistoi?
Po ishte ai. Ka dëgjuar që prej kohësh që Helena po shkruan kujtime dhe tha kam qejf ti botoj. Ky botim ishte edhe një lloj testi për to. Si janë këto kujtime, në nivel evropian ose…
Si ishte reagimi?
Shumë i mirë. Njëzëri përshtypjet ishin të mira.
Zakonisht kur shkruan kujtime është një moment delikat, sepse përfshin miq, marrëdhëniet me ta, të njohur. Si kanë reaguar ata pas botimit?
Autori është marrë me këtë. Zakonisht kanë reaguar absolutisht pozitivisht. Në këto kujtime ka edhe shumë personazhe të huaj, që janë gjallë.
Në momentin që ju tha se donte të shkruante kujtimet, - zonja Kadare thotë 15 vjet më parë gjatë pushimeve në Dubrovnik të Kroacisë – cili ishte reagimi juaj? Ishit dakord, ishit hezitues apo e inkurajuat?
Tani, ka kaluar shumë kohë por nuk kam qenë hezitues pos as entuziast të thuash nuk kam qenë, sepse e di që është një gjë shumë e vështirë.
Përse është e vështirë?
E di që kujtimet janë të vështira, sidomos kur ka kapërcime epokash, kapërcime mendësish, domethënë vizioni i botës ndryshon. Ndryshon vizioni jo aq sa tek autori i kujtimeve por tek lexuesit. Krijojnë të gjitha kujtimet, kur kalon nga një epokë që pati një thyerje dramatike në mes, tek një epokë tjetër, vështirësohet dyfish.
Ky ka qenë shkaku që edhe ju vetë nuk doni të shkruani kujtime?
Jo. Unë nuk mendoj se kam ndonjë kërkesë të brendshme si krijues, që të shkruaj kujtime. Në këtë libër, ka disa që mund të quhen kujtime ose disa tekste të mia. Aty në vend ti mendoja për kujtime, se veç mund ti botoja, janë rreth 70 faqe ndoshta, ja kam bërë dhuratë bashkëshortes, po të donte ti botojë. Ndoshta plotësonin një farë tabloje, po ajo nuk kishte qenë e pranishme.
Ju i lexuat kujtimet përpara se ato të botoheshin?
Pjesë-pjesë po. Por i kam lexuar tërësisht në frëngjisht sepse ishte më e lehtë të merrja një distancim nga to.
Pra ju lexuat botimin e publikuar në Francë, jo dorëshkrimin?
Të përgatitur po, për ta parë në mënyrë sa më gjakftohtë sepse gjuha e huaj të ndihmon për këtë gjakftohtësi.
A kishit sugjerime për të hequr apo për të shtuar?
Po, i kam thënë të heqë një pjesë.
Pse, ishin delikate, përfshinin miq, të afërm?
Jo delikate, kryesisht pjesë që lidheshin me familjen me fisin dhe mu duk se ishin mjaft të gjata. Ndoshta më ndihmoi dhe kjo, më shtyu, duke menduar e perceptuar një njeri publik që do e merrte në dorë, por pastaj ajo me gjakftohtësi vendosi vetë për versionin në shqip dhe përgjithësisht i hoqi ato.
Meqë ju thoni se kishte disa pjesë të zgjatura për fisin për familjen, duket se në përshkrimin e saj, zonja Kadare e përshkruan pak çuditshëm familjen tuaj, familjen ku ajo hyri për të jetuar…
Kjo është e vërtetë, por ajo nuk do ta kishte ndoshta këtë liri për ta përshkruar çuditshëm, siç thoni ju, në qoftë se nuk do ta kishte pasur këtë liri prej kohësh prej meje. Unë nuk kam qenë i shquar për të bërë himne për familjen, për njerëzit e mi, siç ndodh zakonisht në Ballkan. Sidomos në Ballkan, çdo njeri kur shkruan apo thotë sa fisnik e kisha gjyshin, sa e mirë ishte nëna, sa i mençur babai, a thua se njerëzit sgabonin kurrë….Unë kam qenë krejt i lirë, e kam vërtetuar këtë gjë në veprën artistike kryesisht sepse nuk kam shkruar kujtime. Kam qenë i lirshëm fare. Nuk më vinte zor që në Kronikë në gur ka skena groteske, ku përfshihet i gjithë qyteti dhe familja ime bashkë me to, fisi im.
Cili ka qenë reagimi i tyre në momentin e leximit të këtyre librave?
Këto kanë ndodhur shumë kohë përpara, kështu që reagimi i tyre ka qenë pakëz… prindërit e mi kishin gjithashtu një lloj do të thosha, vizioni të ftohtë për këto gjëra, siç e ka traditë ky qytet. Nuk e merrnin tragjikisht këtë gjë, është e shkruar, është punë e djalit, e shkrimtarit, quajeni si të doni, ne nuk përzihemi, e di ai.
Nuk ka qëlluar ndonjëherë të thoshin, që është përfshirë familja, na ke krijuar probleme me fisin…
Jo, vetëm herën e parë kur unë botova vjershën e parë, isha i vogël fare, isha adoleshent. Për të imituar, e kam thënë, sidomos shkrimtarët rusë që ishin në modë në atë kohë me emër, patronim dhe mbiemër, vura emrin e babait, Ismail H. Kadare. Ata u tallën me mua, se nuk dija të shkruaja, ishte një vjershë budallaqe të them, e njëmbëdhjetëvjeçari, pa asnjë kuptim dhe ia treguan shokët në kafene, i thanë që e bëri djali të ka vënë edhe emrin. Ai më tha, bëj çtë duash, por emrin tim mos e vër më.
Po nuk ju penguan më fare? Nuk ju thanë, bëhu mjek, arkitekt…
Hiç fare, absolutisht, asnjëherë, sepse unë isha i vogël kur fillova të botoj në shtyp. Isha ende 12-13 vjeç dhe vetvetiu e mora atë rrugë dhe nuk më ndërhyri asnjeri.
A ka qenë atmosfera aq e çuditshme në familjen tuaj sa e përshkruan edhe bashkëshortja juaj, që gjithsecili ishte indiferent në raport me veprat e tjetrit?
Pak a shumë ishte ashtu. Ishte ashtu sigurisht dhe unë duke shkruar, sepse kjo atmosferë është e volitshme për letërsinë, ndoshta diçka mund të kem theksuar më shumë e më pak. Por një atmosferë e tillë i shkon letërsisë objektivisht.
Pra thelbi është real?
Po absolutisht.
A duket herë-herë nga vepra juaj por dhe kujtimet e zonjës Kadare që ka pak një erë marrëzie në gjithë ato raporte?
Po duket, unë e kam pranuar këtë gjë dhe në Gjirokastër, pothuajse kjo është e pranuar që e kishte këtë përmasë. Por që ishte një marrëzi e bukur. Në një sens gati, gati artistik. Njerëzit ishin të çuditshëm, sepse duke qenë shtëpi të mëdha kishin një jetë individuale shumë të theksuar.
Të izoluar