E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinematografia kineze vjen per publikun shqiptar

Filmat e kinematografisë kinezë vijnë për publikun shqiptar. Me nismën e Radios së Jashtme të Kinës(CRI), seksionit në gjuhën shqipe dhe me realizim në Shqipëri nga partneri i saj, portali Albeu, nisi Java e Filmit kinez në Internet "Kina në imazhe".

Nga data 10 deri më 16 nëntor, në faqen e portalit www.albeu.com të gjithë shikuesit shqiptarë mund të ndjekin pesë filma kinezë, që tani janë më të pëlqyerit dhe më përfaqësuesit e kulturës kineze. “Shpresojmë se Java e Filmit në Internet do të bëhet një dritare e gjallë për njohjen e Kinës nga bota”, thotë Wang Lei, shefja e seksionit shqip të Radios së Jashtme të Kinës.
"Filma kinezë dhe yje kineze nuk janë të panjohur për shikuesit shqiptarë. Këta të Javës janë filma të fundit dhe pasqyrojnë jetën e sotme të kinezëve." thotë Wang Lei.

Mes filmave që do t’i ofrohen publikut shqiptar në Internet, veçohet ai me titullin “Afër diellit”, që ka në qendër historinë e një piktoreje franceze që i bie një sëmundje e çuditshme pa ndonjë shkak dhe ajo humb shpresat e kërkon të gjejë një vend të paqtë për të pritur fundin e jetës. Ajo endet në shumë vende dhe më në fund vjen në fshatin e bukur malor Shiqiao të kombësisë Miao, në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndimore. Piktorja preket nga bukuria e panoramave dhe zakonet e magjishme në Shiqiao dhe mendon se ky është pikërisht vendi që kërkonte .

Por fshatarët vendës janë të shqetësuar për sëmundjen e saj dhe, nëpërmjet votimit, të moshuarit vendosin të përdorin zogun e shenjtë të fshatit për ta shëruar piktoren. Filmi ka si regjisore Ou Chouchou, për të cilën ky është krijimi i saj i dytë kinematografik. Në film shfaqen panorama të bukura dhe zakonet e veçanta e origjinale të kombësisë Miao. "Afër diellit" fitoi çmimin e filmit më të mirë të huaj dhe të fotografisë më të mirë në Festivalin e 17-të të Filmit të Sedonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ganglamedo” është një tjetër film kinez që do të shfaqet në internet në kuadër të javës “Kina në imazhe”. Filmi "Ganglamedo", me karakter muzikor, vjen nga shpjegimi dhe përsosja e ndjenjave të femrave në pjesën perëndimore të Kinës realizuar nga regjisori Dai Wei. Në këtë film tregohet jo vetëm romanticizmi dhe zhgënjimi i një dashurie, por edhe panorama piktoreske e rrafshnaltës tibetiane. Ceremonia solemne dhe misterioze e budizmit tibetian, doket dhe zakonet e kombësisë tibetiane janë përmbajtjet kryesore tërheqëse të këtij filmi.
Tre filmat e tjerë që do të shfaqen në kuadër të Javës së Filmit kinez në Internet "Kina në imazhe" janë: “Skuneri i Ergunas”, “Një lustraxhi i vogël” dhe “Urtin Duu”. Java e Filmit Kinez në Internet "Kina në imazhe" 2011 zhvillohet gjithashtu në Gjermani, Francë, Japoni dhe vende të tjera.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›