E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare nderohet me çmimin Princi i Asturias për Letërsinë

Shkrimtari është shqiptari i parë që fiton çmimin më të rëndësishëm për letërsinë në Spanjë
Është nderuar me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Letërsinë shkrimtari Ismail Kadare. Për këtë çmim ishin nominuar emra të mëdhenj të letërsisë botërore mes të cilëve dhe shkrimtari japonez Haruki Murakami, si dhe shkrimtari çek Milan Kundera. Më parë këtë çmim e kanë marrë emra të njohur të letërsisë botërore si: Camilo Jose Cela, Carlos Fuentes, Gunter Grass,  Doris Lessing, Arthur Miller, Susan Sontag, dhe Amos Oz. Çmimi "Princi i Asturias" konsiderohet si një ndër çmimet më prestigjioze në botën e letrave. Shkrimtari Ismail Kadare është shqiptari i parë që fiton çmimin më të rëndësishëm për letërsinë në Spanjë. Çmimi për letërsinë ishte i gjashti nga tetë çmime ndërkombëtare që ndahen çdo vit nga presidenti i fondacionit "Çmimi i Asturias", me motivacionin për kontributin e rëndësishëm në kulturën universale në fushën e letërsisë dhe linguistikës. Në edicionin e 29-të të ndarjes së këtyre çmimeve kandidatë ishin 31 shkrimtarë, nga 25 vende të ndryshmet botës. Ky çmim për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare vjen katër vjet pas laureimit me një tjetër çmim prestigjioz, atij të "Man booker Price International". Gazeta spanjolle "El Mundo-s", e cilëson Kadarenë si një shkrimtar, i cili filloi të fitojë famën e tij me romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, në vitin 1963, roman, sipas së cilës, "Kadare arriti njohje brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë dhe që sot materializohet me një nga çmimet më të rëndësishme në qarqet letrare të botës". Kadare është një studiues i madh i traditës shqiptare dhe i këtij vendi Ballkanik, shkruan "El Mundo", duke cituar se veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës. Vitin e kaluar, fituesja e Çmimit Princi i Asturias për Letërsinë ishte kanadezja, Margaret Atwod, të cilën juria e nderoi për veprën e saj të shkëlqyer, sidomos në mbrojtjen e dinjitetit të grave. Ismail Kadare, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe, kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai e kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Asim Zeneli". Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Histori- Filologjisë, në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", e më  pas drejtoi revistën "Les letres albanaises". Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit që prej viteve '60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Ai është autor i disa romaneve të konsideruara legjendë në letërsinë shqipe si ,"Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer të paktën në tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perëndive të stepës", "Koncert në fund të dimrit", por edhe i një serie poezish, përmbledhjesh, novelash. Kadare është nderuar me titullin e lartë "Nderi i Kombit", ndërsa bën pjesë në Akademinë Franceze, ndër 12 anëtarë-shok të huaj të kësaj Akademie, apo edhe i Akademisë së Berlinit. Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale. Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 40 gjuhë të huaja, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›