E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, kamioni turk vret të moshuarën, pranga drejtuesit të huaj të mjetit

Përgjaket superstrada Korçë-Kapshticë, bilanci një 75 vjeçare e vdekur. Koha e keqe me reshje shiu si dhe shpejtësia e një kamioni me targa turke ka provokuar një aksident të rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e shtetases Diturie Zhylegu. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të paradites së djeshme në segmentin Korçë-Kapshticë, në afërsi të fshatit Vranisht në rrethin e Devollit. Kamioni me targa turke që udhëtonte drejt shtetit grek nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës, ka qenë duke ecur me shpejtësi në kohën kur një e moshuar, banore e fshatit Tren ka qenë në rrugë në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të saj. Mosmanovrimi në kohë i drejtuesit të mjetit të tonazhit të rëndë ka sjellë dhe aksidentin fatal ku 75 vjeçarja ka mbetur e vdekur si pasojë e përplasjes së pazakontë. Ndërkaq mjeti ka dalë nga rruga, duke u dëmtuar pjesërisht dhe duke prishur një nga paretet anësore të rrugës. Drejtuesi i mjetit i cili është një 42 vjeçar turk nga Stambolli nuk ka pësuar dëmtime. Ai është arrestuar në kushtet e flagrancës nga policia e Devollit nën akuzën e Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen. Ndërkaq kanë nisur paralelisht dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Drejtuesi i huaj ka pohuar në polici pas arrestimit se ka qenë e moshuara që i ka prerë rrugën mjetit argument që do zbardhet nga ekspertiza shkencore. Superstrada Korçë-Kapshticë shpesh herë kthehet në superstradën e vdekjes, ndërsa dhjetëra udhëtarë në të kanë mbetur të vdekur si pasojë e aksidenteve. Vetëm gjatë këtij viti sipas shifrave zyrtare të policisë lokale në të kanë vdekur tre persona, ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar të 8 vetët. Aksidenti i të mërkurës ka qenë dhe më tragjiku, pasi e moshuara që pritej të kalonte nga ana tjetër e rrugës ka vizituar për herë të fundit vajzën e sëmurë në fshatin Vranisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›