PS frikë nga manipulimet e PD, paketë masash për mbrojtjen e votës
Partia Socialiste është aq e shqetësuar nga manipulimet e mundshme me 28 qershor, sa ka përgatitur një paketë masash për atë që ajo e quan "ruajtja e votës". Vota do të ruhet nga falsifikimi eventual i dokumenteve të identitetit, presioni mbi punonjësit e administratës publike për të votuar përkundër dëshirës së tyre, uzurpimi i identitetit të emigrantëve nga të tretë dhe presioni apo cënimi fizik i komisionerëve dhe vëzhguesve socialistë. Konkretisht, letërnjoftimet mendohen të pafalsifikueshme.
Megjithatë, një kartë plastike e tillë, që i ngjan një karte telefonike apo një karte bankare, mund të prodhohet me printer. Por letërnjoftimi origjinal ka disa pika të padukshme me sy të lirë, të cilët mund të shfaqen vetëm me rreze ultravjollcë. Në selinë rozë bëjnë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka 5500 aparate të tillë, që janë aty në gjendje që prej zgjedhjeve të 2005, kur boja imatrikuluese ishte e padukshme. Përfaqësuesi socialist në KQZ i ka kërkuar komisionit që në mungesë të aparateve të leximit të letërnjoftimeve, të përdorin këta aparate me rreze ultravjollcë. Në Partinë Socialiste thonë se nëse KQZ nuk miraton një vendim në këtë drejtim, ata kanë gati 6000 aparatura të tilla, pra më shumë se cka qendra votimi në tërë Shqipërinë. Po ashtu, vëzhguesit socialistë janë trajnuar që të dallojnë edhe pasaportat e vërteta nga ato false. Një element tjetër, që i jep ngjyrime alla James Bond mbikëqyrjes së socialistëve, janë kamerat miniaturë, për të pajisur me mënyrë diskrete vëzhguesit në zonat e konsideruara problematike prej tyre. Janë 2600 aparatura të tilla, më shumë sesa gjysma e qendrave të votimit në rang republike. Po ashtu, një person tjetër, kryesisht një njeri i lagjes apo i fshatit, që njeh banorët, është pajisur me një numër telefonik për të dërguar sms për çdo lëvizje të dyshimtë të personave që nuk janë banorë të zonës. Vlerësohet si mundësi manipulimi edhe uzurpimi i identitetit të emigrantëve nga njerëz të pajisur me letërnjoftime të rregullta por me emër tjetër. Në raste të tilla, emigrantët që kanë ardhur, PS i nxit të shkojnë të votojnë në ato zona ku mendohet se janë bërë manipulime në të shkuarën me emigrantët. Një vëmendje të posaçme do të ketë edhe për fotografimin e votës dhe në PS mendojnë se ky mund të ishte produkt i presionit ndaj administratës. Në fund, por jo më pak të rëndësishëm, janë të ashtuquajturit grupet e sigurisë. Grupe personash, kryesisht punonjës policie të liruar, që jashtë qendrave të votimit dhe në distancën e përcaktuar nga ligji, do të mbikëqyrin qendrat e votimit. Në qendrat e konsideruara problematike prej PS, grupet e sigurisë do të jenë të përforcuar. Selia rozë do të vërë edhe një numër në dispozicion të qytetarëve 0800 32 32 për të denoncuar çdo shqetësim të tyrin. Një qendër operative do të marrë dhe do të analizojë të tëra të dhënat që do të vijnë nga qendrat e votimit në mbarë Republikën.