E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare nderohet me çmimin “Princi i Asturias për Letërsinë”



OVIEDO - Ismail Kadare, ambasadori i Letërsisë shqipe në botë, është nderuar dje me çmimin “Princi i Asturias për Letërsinë 2009” në Oviedo. Kadareja u shpall kandidatura fituese ndërmjet 31 të tjerave. Ceremonia u zhvillua në teatrin “Campoamor” të Oviedo-s, ku princi Filip i dorëzoi shkrimtarit shqiptar një nga çmimet më prestigjioze në botë. Fjalimin e tij falënderues Kadareja e mbajti në gjuhën shqipe. Sipas shtypit spanjoll, vepra që e bëri Kadarenë të njohur është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Vetë Kadareja është shprehur entuziast për marrjen e këtij çmimi në prononcimet për mediat spanjolle.
Qindra qytetarë spanjollë, në një atmosferë festive, përshëndetën hyrjen në Teatër të personaliteteve më të mëdha të Spanjës, të botës së artit dhe të kulturës nga shumë shtete të botës. Fitues i çmimit "Man Booker International Prize" në vitin 2005, çmimi më prestigjioz në botën anglishtfolëse, Ismaik Kadare, 73 vjeç, kandidat i çmimit “Nobel” në Letërsi, i nderuar më 24 qershor të këtij viti me “Çmimin e madh” spanjoll, ndodhet në Ovideo së bashku me familjen e tij, ndërsa ka qenë i pranishëm në një seri aktivitetesh të organizuara në vigjilje të këtij çmimi. Gjithsej 31 kandidatura nga 25 vende të botës konkurruan për këtë çmim që fondacioni "Prince of Asturias" ua akordon "atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë".
Dhënia e çmimit shkrimtarit shqiptar i përkthyer në të paktën 40 gjuhë të botës, u shoqërua me jehonë, sidomos nga shtypin spanjoll. Gazeta e njohur "El Mundo" njoftonte atë ditë se kandidati shqiptar për çmimin "Nobel" e fitoi garën mes shkrimtarëve të përmasave të tilla si Milan Kundera, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës që jetojmë, italianit Antonio Cabucchi, holandezit Cees Nooteboom, autorë këta të njohur të brezit të Kadaresë. Mbreti Juan Carlos dhe mbretëresha Sofia e Spanjës, kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero dhe Felipe, princi i Asturias, emrin e të cilit mban dhe ky çmim, i dërguan shkrimtarit shqiptar urimet e tyre përmes një letre ku i shprehnin dhe vlerësimet e tyre mbi veprën e tij, për të cilën fitoi dhe çmimin “Pinci i Asturias për Letërsinë 2009”. Çmimi “Princi i Asturias” u krijua në vitin 1981, për punën shkencore, teknike, kulturore, sociale dhe humane të realizuar nga persona, grupe pune apo institucione në arenën ndërkombëtare. Vitin e kaluar, fituesja e çmimit “Princi i Asturias për Letërsinë” ishte kanadezja Margaret Atwod, të cilën juria e nderoi për veprën e saj të shkëlqyer, sidomos në mbrojtjen e dinjitetit të grave.

24 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›